Cana i sigurt: Etrit Berisha, mes me te mireve ne Europe
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Etrit Berisha do të kthehet në vitet e ardhshme në një nga portierët më të mirë në Europë. Për këtë është i bindur kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili ka mbetur i mahnitur nga paraqitjet e 25-vjeçarit fillimisht në kombëtare, e më pas në radhët e Lacios. Pakkush mendonte se portieri që luante për Kalmarin në Suedi do të shfaqej kaq mirë në nivele të larta, por Berisha ka ditur të përfitojë nga mundësitë që i janë shfaqur, fillimisht duke u kthyer në titullar te kombëtarja shqiptare e më pas duke arritur që të vërë në diskutim postin e titullarit të një portieri të njohur si Marketi te Lacio.
“Unë nuk kisha shumë dyshime mbi aftësitë dhe talentin e tij kur erdhi te Lacio”, pohoi Cana për Lazionews.eu pas ndeshjes miqësore të kombëtares shqiptare kundër Hungarisë. “Sigurisht, për të ishte një hap përpara kalimi nga Suedia në futbollin italian. Unë e kisha parë të luante këtu në kombëtare dhe të bënte paraqitje të pabesueshme. Pastaj erdhi te Lacio, iu dha mundësia të bëhej pjesë e një klubi të madh, në një kampionat të madh dhe të stërvitej e luante përkrah lojtarësh të njohur. Ai thjesht ka vënë në pah talentin e tij kur është kërkuar ndihma e tij, ndoshta edhe më shumë sesa parashikohej në këtë sezon të parë. Sipas meje, ai ka treguar se është në perspektivë një prej portierëve më të mirë në Europë. Pas disa vitesh do ta shohim të përmirësohet më shumë”, ishte bindja e Canës.
Kapiteni i kombëtares ka folur edhe për rrugën e vështirë që i pret kuqezinjtë në eliminatoret e Euro 2016, në një grup nga më të vështirët që mund të caktonte shorti. Sipas tij, miqësoret si ajo e të mërkurës kundër Hungarisë, do të shërbejnë për të qenë sa më të gatshëm kur të fillojnë kualifikueset e Europianit 2016. “Duke pasur parasysh progresin e vitit të kaluar, me shumë të rinj që kanë ardhur për të luajtur me Shqipërinë, mendoj se kualifikueset e Botërorit kanë qenë në përgjithësi pozitive, edhe pse nuk i mbyllëm mirë për shumë arsye si mungesa e ndonjë lojtari apo e eksperiencës. Tani po mundohemi të rinisemi mbi këto baza me lojtarët e rinj dhe të bëhemi gati për ndeshjen e parë në fushën e Portugalisë në shtator, që do të jetë shumë e vështirë. Kemi 3-4 ndeshje të rëndësishme në një grup me vetëm 5 skuadra, ku të gjithë janë shumë të fortë. Ne thjesht duhet të punojmë për të qenë sa më gati që të jetë e mundur kur të vijë momenti”.
Ndeshja me Hungarinë ka qenë e fundit e këtij sezoni për Canën, i cili nuk do të jetë pjesë e grupit kuqezi që do të përballet me San Marinon, pasi në ditët e ardhshme do të martohet. Ndaj që nga dita e djeshme, mesfushori i kthyer në mbrojtës, mund të fillojë të mendojë se në cilin klub do të luajë në sezonin e ardhshëm. Situata e paqartë te Lacio ka bërë që babai i tij, Agim Cana, që kryen njëkohësisht edhe rolin e menaxherit, të vërë në diskutim qëndrimin në Itali. Por vetë futbollisti bëri të qartë se prioriteti i tij ishte të qëndronte te Lacio. “Shpresojmë të vazhdoj te Lacio, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Problemet e fundit në klub? Mendoj se për çdo klub e çdo lojtar, për çdo ambient, prania e harmonisë mes klubit dhe tifozëve është parësore dhe me siguri preferojmë të gjithë që gjërat të shkojnë mirë. Të gjithë duhet të mundohen të bëjnë pjesën e tyre, e jona është të mundohemi të ngremë sa më lart klubin tonë, Lacion, duke bërë më të mirën në fushën e lojës”.