e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Notari qe na nderoi ne takimin nderkombetar ne Greqi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Notari qe na nderoi ne takimin nderkombetar ne Greqi

Bianti e ka dashur notin që fëmijë. Në moshën 6-vjeçare lahej me orë të tëra dhe i pëlqente shumë noti. Ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jeton në Vlorë. Pishinat në Amerikë dhe Deti Jon në Vlorë e kanë bërë atë që të ketë një dashuri të madhe për ujin. E gjithë kjo dashuri i shtyu prindërit e tij të besonin se, Bianti do ta donte shumë edhe notin, ndaj edhe filluan që herët ta angazhonin atë në këtë lloj sporti. Sot, për djalin 12-vjeçar nga Vlora, noti është një pasion që do të jetojë gjatë me të. Ende është i vogël, por përpjekjet i ka të mëdha. Stërvitet çdo ditë. Katër herë në javë shkon në Llogara, ndërsa dy ditë të tjera udhëton drejt Durrësit. Është një  sakrificë e madhe si për prindërit, ashtu edhe për Biantin, por kur pasioni është i madh dhe garat janë premtuese është e vështirë t’i shohësh këto përpjekje si pengesa të pakapërcyeshme. 

Çdo ditë ai stërvitet në një pishinë 17-metërshe në Llogara, bashkë me shokun e tij të moshës Thoma Duni, kurse një ose dy herë në javë, së bashku shkojnë në Durrës, brenda ditës për t’u stërvitur. Natyrisht që, kjo është shumë e vështirë dhe është një sakrificë e madhe për ta, por e ndjejnë veten të detyruar për të përshkruar këto hapësira. Sepse në qytetin e Vlorës nuk ka një pishinë të mbyllur, e cila mund të shërbejë për stërvitjen e këtyre notarëve të rinj. Por, ata nuk tërhiqen nga këto vështirësi, pasi e kanë notin pasion. Me një aktivitet fizik të kontrolluar, Bianti ka edhe kohë për të mësuar mirë. Dhe   këtë e vërtetojnë rezultatet e tij në shkollë. Të dy prindërit janë të lumtur me ecurinë e tij dhe presin që ai të vazhdojë kështu, të jetë kampion në not dhe në sport. Në shkurt të këtij viti, Danaj udhëtoi drejt Malit të Zi, ku organizohej kampionati i radhës i notit. Arriti rezultatin më të mirë në pishinën 25-metërshe dhe zuri vendin e parë. Edhe në kampionatin dimëror të organizuar nga Federata e Notit në fund të prillit, Bianti theu tre rekorde. Ndërkohë, javën që kaloi Bianti ka qenë në Selanik të Greqisë.

Aty u organizua një miting internacional në not. Danaj edhe këtë herë garoi me bashkëmoshatarët e tij. Në garën 100 metra stil i lirë, Bianti zuri vendin e tretë duke u kthyer në atdhe me medaljen e bronzit.  Po këtë vit, Bianti ka edhe një sfidë tjetër. Ai do të konkurrojë me 12-vjeçarët e Shqipërisë   për të thyer rekorde të reja. Synimi që të përmirësojë më tej rekordet kombëtare, si në pishinat e mbyllura 25-metërshe ashtu edhe në ato të hapura 50-metërshe është përcaktuar dhe projektuar më së miri në mendjen e Biantit. Ai ka synim që të thyejë dhe rekordin kombëtar në garën 400 metra stil i lirë. Madje, ai tregohet aq i përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve sa që është gati që të bëjë stërvitje dy herë në ditë në mënyrë që të ketë rezultate edhe më të larta. Rezultatet e Biantit në not nuk janë rastësi, pasi ai vjen nga një familje sportistësh. Babai i tij Sadrit Danaj ka qenë një nga futbollistët më të mirë me të rinjtë e Flamurtarit dhe pjesë e ekipit me të rriturit, në vitet 1985-1987, kur Flamurtari shkëlqente në futboll.

Selanik

 Në datat 10-11 maj 2014, në Selanik të Greqisë u organizua një miting internacional në not, për moshat deri në 12 vjeç. Nga shoqata “JON” Vlorë në këtë veprimtari mori pjesë edhe notari Bianti Danaj. Ai me këtë grupmoshë në garën 100 metra stil i lirë zuri vendin e tretë më kohën 01’08”34 dhe meritoi medaljen e bronzit në 84 notarë. Ndërsa, në 200 metra stil i lirë ai zuri vendin e katërt me kohën 02’28”63, duke qenë vetëm dy të qindtat larg rekordit tonë kombëtar.

Bianti pranë shoqatës “JON” u afrua në vitin 2012 dhe brenda një kohe të shkurtër, falë stërvitjes sistematike me trajnerin e tij Bashkim Aliraj u bë kampion dhe rekordmen në garat 50, 100 dhe 200 metra stil i lirë në pishinat 25 metra. Këto rekorde ai i theu dhe i vendosi në datat 26 dhe 27 Prill 2014 në Tiranë. Bianti është një notar që ka dëshirë të madhe për të bërë histori në këtë sport, por vetëm kërkohet punë dhe vendosmëri për fitore. P.H