e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mustafi shkon ne Boteror 'fale' Rojsit!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mustafi shkon ne Boteror 'fale' Rojsit!

Botërori ka humbur një tjetër “xhevahir” të çmuar: Marko Rojs nuk do të marrë pjesë në “Brazil 2014” për një këputje të pjesshme të ligamenteve të kaviljes së majtë. Gjermani i Borusias së Dortmundit është dëmtuar para dy ditësh në ndeshjen miqësore kundër Armenisë skuadra e Lëvit fitoi 6-1 dhe dje, pas analizave mjekësore, mjekët morën vendimin e hidhur.

Pas këtij vendimi, trajneri i Gjermanisë Lëv, la rithirrur kështu shqiptarin me pasaportë gjermane, Shkodran Mustafi. Mbrojtësi i Sampdorias, i cili kishte qenë pjesë e listës paraprake të Lëvit, për t’u lënë në shtëpi më pas, ka udhëtuar menjëherë për t’iu bashkuar “panterave”. Nisja e kombëtares së Lëvit për në Brazil është bërë mbrëmë nga aeroporti i Frankfurtit dhe mbërritja parashikohet të jetë sot në mëngjes. Pra, pas Falkaos e Riberisë, edhe Gjermania humb një nga yjet e saj. Ç’është e vërteta, dëmtimi i Rojsit ishte i paparashikuar për të gjithë mjedisin gjerman. Trajneri Joakim Lëv e konsideron një humbje të madhe: “Është shumë katastrofë e madhe kjo që na ka ndodhur. Marko Rojs ishte në formë të shkëlqyer, – u shpreh trajneri i kombëtares. – Ai është paraqitur shumë mirë në stërvitje dhe miqësore. Ne prisnim që Marko të ishte protagonist në Botëror”. Më pas Lëv shpjegon dhe arsyet pse zgjodhi të rikthejë në kombëtare Mustafin, pasi më parë e kishte hequr nga lista e 23-es. “Shkodranin e morëm jo për ta zëvendësuar kokë më kokë, tregon Lëv. Ne kemi shumë lojtarë cilësorë në repartin e sulmit me Shyrrlen, Podolskin, Gëcen, Mylerin, Ozilin, Drakslerin dhe Klosen. Prandaj vendosëm të marrim një alternativë më shumë për mbrojtjen. Mustafi na bindi në stërvitje, ai është i gatshëm dhe ne i besojmë. Dimë si të mbështetmi te forcat e tij”.

Kësisoj, futbollistët shqiptarë në “Brazil 2014” bëhen 9. Përveç tifozëve që do të udhëtojnë në Amerikën Latine për të parë nga afër veprimtarinë më prestigjioze në botë të futbollit, në fushë nuk do të mungojnë as ngjyrat kuqezi. Zvicra është kombëtarja me numrin më të madh të shqiptarëve, 5 (Shaqiri, Behrami, Xhaka, Mehmedi e Xhemaili), por nuk është vetëm shteti helvet që do të përfaqësohet nga shqiptarët. Adnan Januzaj, “blerja” më e fundit e Belgjikës, është grumbulluar nga Marc Vilmots për Botërorin e Brazilit. Edhe Greqia do të ketë dy shqiptarë në Botëror: Gjergji Kone dhe Sotir Nini, ndërsa “rasti” i fundit është pikërisht Shkodran Mustafi, i cili duhet të “falënderojë Rojsin e dëmtuar për të udhëtuar në vendin e “Sambas”.

9

futbollistë shqiptarë do të përfaqësojnë ngjyrat e kombëtareve të tyre në Botërorin e Brazilit. Zvicra ka 5: (Shaqiri, Behrami, Xhaka, Mehmedi e Xhemaili). Greqia ka 2: Kone dhe Nini. Belgjika ka Adnan Januzajn dhe Gjermania ka Shkodran Mustafin