e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqipëria mund të ulë paksa kryet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëria mund të ulë paksa kryet

besnik dizdariNga BESNIK DIZDARI

Qofsha i gabuar, por mendoj se Shqipëria e Kombëtares së futbollit, e cila ka arritur suksesin e saj më të madh në histori, tash ia vlen të ulë paksa kryet. Më lindi ky mendim mbas ndeshjes me Austrinë. Jo sepse Shqipëria humbi 1-2 me një prej skuadrave sot më të forta të kontinentit.

Dhe as sepse zhvilloi një 45-minutësh të parë ndër më të dobëtit e saj në gjithë këto vite, çka me gjithë përmirësimin e dukshëm të 45 minutave të dyta nuk mënjanoi një humbje 1-2 në Vjenë, që megjithatë është krejt normale. Por sepse kam përshtypjen se e ka çue kryet paksa si tepër.

Qofsha i gabuar, por të paktën mua për vete më duket se Shqipërinë e ka përfshi një lloj kryelartësie prej së cilës ndoshta sapo është shfaqur deri diku edhe një eufori. Kjo u pa me mënyrën se si e filloi ndeshjen me austriakët, një lloj mendjelehtësie që dukej qartë se i vinte prej kryelartësisë "së brumosur" prej gjithë këtyre muajve "festivë" të mbaskualifikimit historik.

Mandej, në pjesën e dytë, kur papritmas kryelartësia u shndërrua në "kryeultësi", Shqipëria u kthye në lojërat e saj të mira që i kanë dhënë për herë të parë biletën e çmueshme për te më të mirët e një Kampionati Europian.

E vërteta është se ka disa muaj që për Kombëtaren e Shqipërisë nuk ndien asgjë tjetër veç lavdërime, gëzime, si të thuash një si lloj etje për pushtet futbollistik, lëmime sedre, përkëdhelje, kréni. Dhe e gjitha kjo nuk vjen vetëm prej Federatës Shqiptare të Futbollit e as prej shpërblimeve të merituara në mijëra euro, as prej vetëreklamës, as prej ceremonialit të fanellave të reja (a vërtet përbën ngjarje spektakolare prodhimi i fanellave të reja?).

Më duket se kjo vjen edhe prej një pjese të shtypit e televizioneve apo prej atyre gazetarëve, të cilët janë tejet të afërt me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët të gjithë së bashku, siç e kam thënë kushedi sa herë, veç ledhatojnë e lavdërojnë.

Madje, duke kaluar nga Kombëtarja e deri të Kampionati i Shqipërisë, i cili dihet se me këtë Kombëtare nuk ka të bëjë aspak. Ndeshja e Vjenës me të dy tablotë kundërshtuese të saj tregoi se Kombëtarja vazhdon t'i kënaqet kualifikimit dhe assesi nuk të tregon se me çfarë po merret, çfarë po mendon, çfarë po strategjizon për fundoret (finalet) e Francës, të cilat merret me mend se janë diçka krejt tjetër.

Qysh prej dronit të Beogradit e deri tek arritjet e bujshme në Portugali e në Danimarkë; apo dy fitoret e çmueshme me Armeninë, e deri edhe te dy humbjet e Elbasanit, pak të përimtuara, ato me Serbinë e Portugalinë.

Të gjitha këto të marra së bashku befas të çojnë te një grafik krejt i çrregullt ulje e ngritjesh që ndoshta është i vetëm në krejt historinë e kualifikimeve europiane, teksa të habit se si ka qenë e mundur që përmes kësaj "paqëndrueshmë- rie" të mbërrihet te kualifikimi i bujshëm shqiptar.

Vetëm në 3 ndeshjet e fundit pra, Shqipëria ka humbur 2 prej tyre dhe prapë është kualifikuar! Rast i rrallë në historinë e një Europiani! Ngjarjet dihet, kanë qenë rrokullisëse në skenë e në mbrapaskenë, në fushën e blertë e në vendime gjykatash sportive, prej të cilave them se me meritë Shqipëria, me një skuadër ndër më të mirat e saj në histori, në fund të fundit ka marrë atë që i takon.

Mirëpo, e gjithë kjo histori fort e bukur pak vlen për çka do të mund të ndodhë në Francë, ku Shqipëria do të ndodhet e ulur në skenën e madhe duke pas përpara fletën e bardhë të një provimi krejt enigmatik. Çka është në natyrën e vetë sportit kapricioz të futbollit.

Ndërkaq, duke i lënë mënjanë hamendjet, them që kjo Kombëtare, edhe nëse i humb të tri ndeshjet e grupit duke treguar futboll cilësor, nuk ka përse të dëshpërohemi. Shqipëria nuk është as qendra e Europës, as mrekullia e futbollit.

Ajo është thjesht debutuesja e një Europiani vërtet të çuditshëm, ku përveç Shqipërisë janë edhe nja dy a tre po të vegjël që quhen Islandë, Irlandë e Veriut dhe Uells, ndonëse jo aq fort këta dy fundit, të cilët dihet se janë britanikë, qoftë dhe të "kategorisë së dytë". Kësisoj, Shqipëria nuk ka përse të harrojë se në Francë do t'i duhet të vërtetojë se nuk është atje thjesht për hir të një fitoreje tryeze si ajo e 3-0 e Serbisë, por sepse është një skuadër shumë e mirë, serioze dhe profesioniste.

Dhe pa harruar se shkuarja e saj atje assesi nuk flet për rritje të futbollit të brendshëm shqiptar. Në të vërtetë flet për atë që kjo Shqipëri ka ditur të luajë kartën e strategjisë së "oriundëve" shqiptarë të prodhuar gati mbi 70 për qind prej shteteve të tjerë të Europës, sidomos Zvicrës.

Për të gjitha këto mendoj se kjo Kombëtare "shqiptaro" - kosovare ka nevojë të jetë pra paksa më kryeultë dhe në 73 ditët e mbetura të mund t'ia mbushë mendjen vetes që edhe pse është kualifikuar, kjo nuk do të thotë se është bërë "europeiste" e vërtetë.

Këtë do t'i duhet ta vërtetojë në stadiumet e Lensit, Marsejës e Lionit. Përveç festës sonë që të duket se po zgjat pak si tepër, në gjithë këta tre muaj të parë të vitit, përveç skenave shpërblyese, ceremonialeve e gëzimit të pandalshëm, nuk kemi pa diçka tjetër të veçantë për përfaqësimin në FRANCË 2016.

E kam fjalën për një veçanësi që e kërkon veçanësia përgatitëse e turneut të madh transalpin. Pa guxuar të mendoj qoftë edhe për ndonjë risi... Një gjë është: Shqipëria e ka skuadrën dhe e ka të mirë. Ndoshta do t'i duhet të luftojë një lloj rreziku të një paramendimi apo paragjykimi se "unë jam".

Pa menduar se bash këtu mund të lindë kryelartësia e vetvetishme, çka më duket se u duk në stadiumin e Vjenës. I pashë lojtarët shqiptarë tek po dilnin nga nëntribunat e dhomës së tyre për pjesën e dytë disi të qeshur e si pa asnjë shqetësim.

Nuk arrita ta kuptoja këtë psikologji që gati m'u duk si indiferencë. Sigurisht, kjo skenë e rrufeshme i përkiste thjesht një prag dyzetepesëminutëshi të dytë futbolli e natyrisht s'ka arsye të ngryseshin portretet e tyre, qoftë edhe prej trysnisë së një 2-0 kryeneç.

E vërteta është se skuadra me këtë "buzagaz" të nëntribunës, siç m'u pa mua, diti ta kthejë lojën, por jo rezultatin. Kur për pak ai mund të shkonte edhe 3 apo 4-1. Gabuan austriakët, ndërsa Shqipëria mbeti me 10 lojtarë për faj të saj, jo për fajin e arbitrit, Madje qysh në pjesën e parë mund të kishte pësuar edhe një 11-metërsh!

Pa shkuar mandej te tre apo katër episode disi të rëndë gabimesh (faulle) të saj, krejt të panevojshëm, që në ditët franceze s'ka për t'ia falë kush aq lehtë siç ia fali apo ia zbuti gjyqtari sllovak me emrin Kruzllak. Kështu pra, Shqipëria mund të ulë paksa kryet apo kréninë. Ka mbi dy muaj kohë për ta bërë këtë dhe jo vetëm këtë.

Ndoshta do t'i vlente paksa edhe ndonjë leksion psikologjie, sepse si debutuese ajo natyrisht nuk e njeh se çka mund të jetë logjika dhe alogjika e turneut europian të më të mëdhejve të futbollit, në bashkësinë e të cilëve papritmas u gjend bukur e mirë edhe ajo. Mirëfilli teknikisht nuk guxoj fort të përsias. Sepse kjo është punë trajnerësh, ndonëse 11-shi i parë me 4-5 emra me rreth e përmbi të 30-ve m'u duk disi në moshë (28 vjeç mesatarja), teksa më mbetën sytë te 16-vjeçari i Austrisë, Alexandër Burgstaller.

Dhe nuk bindem ndërkaq se për një 0-0 me Greqinë i duheshin dhënë Shqipërisë së 21-vjeçarëve lojtarë prej listës së Kombëtares. Eksperimente të padobishme. Shqipëria do të luajë në Francë 3 ndeshje brenda 8 ditëve! Asnjëherë në jetën e saj "të vështirë" nuk ka mbajtë mbi shpinë një peshë kë- sisoj kaq të rëndë!... Përsëris: Kombëtarja e Shqipërisë mund të ulë paksa kryet. E aq më tepër kréninë...