Shqiperi - Danimarke, nordiket fitues ne statistika
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas gati 24 orësh Shqipëria do të luajë me Danimarkën në “Elbasan Arena” për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Por çfarë thotë historiku i përballjeve mes këtyre përfaqësuesve? Kombëtarja jonë është ndeshur plot tetë herë me nordikët në eliminatoret e Evropianit dhe Botërorit.
Në këto përballje zyrtare me danezët, në fakt Kombëtarja jonë ka vetëm një fitore, një barazim dhe gjashtë humbje, statistika këto që flasim vetëm për nordikët.
Ndeshja e parë me danezët më 29 qershor 1963, që ishte njëkohësisht edhe i pari takim zyrtar për Shqipërinë në një fushatë eliminatore të Kampionatit Evropian, është mbyllur me fitoren e thellë 4-0 për nordikët. Bëhet fjalë për kualifikueset e Evropianit “Spanjë 1964”.
Megjithatë sfida e kthimit që u luajt disa muaj më vonë në Tiranë regjistron edhe suksesin më të madh të Shqipërisë ndaj kombëtares daneze, pasi një gol i të paharrueshmit Panajot Pano i dha përfaqësueses sonë fitoren 1-0 ndaj rivalëve të tyre nordikë.
Që prej asaj periudhe Shqipëria edhe pse është përballuar edhe 6 herë asnjëherë nuk ka arritur ta mundë kombëtaren skandinave.
Pas 30 vitesh Shqipëria do të takohej sërish me danezët, pasi u shortuan në të njëjtin grup eliminator për kualifikueset e Botërorit “USA 1994” dhe ndeshja e parë u luajt përsëri në Danimarkë. Ashtu si 30-vjet përpara edhe në atë përballje Shqipëria pati të njëjtin fat me danezët që fituan me rezultatin e thellë 4-0.
Takimi i kthimit luhej më 8 shtator të vitit 1993. Në këtë ndeshje danezët vini si favoritë pasi në formacion kishin lojtarë që sapo kishin fituar Evropianin. Gjithçka përfundoi siç ishte parashikuar; danezët fitojnë në “Qemal Stafa” 0-1.
Përballja e radhës do të ishte në fillim të shekullit të ri, në vitin 2004. Në Tiranë kombëtarja kuqezi priti përfaqësuesen që ashtu si sot edhe në atë periudhë drejtohej nga trajneri aktual Morten Olsen, ndërsa Shqipëria drejtohej nga gjermani Hans Peter Brigel. Miqtë fituan 2-0 dhe u kthyen në vendin e tyre në pritje të takimit të kthimit, i cili përfundoi po me fitoren e tyre (3-1).
Fati e deshi që Shqipëria dhe Danimarka të ishin në të njëjtin grup eliminator edhe për kualifikueset e Botërorit që u zhvillua në Afrikën e Jugut 4 vjet më vonë.
Me holandezin Arie Han në krye kuqezinjtë u mundën lehtësisht me shifrat 3-0 nga përfaqësuesja skandinave më 1 prill të 2009. Në takimin e kthimit më 9 shtator të të njëjtit vit, të luajtur në “Qemal Stafa” ekipi ynë i drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe barazoi në shifrat 1-1.
Në takimin e radhës mes tyre që do të luhet më 11 tetor, në orum 20:45 në “Elbasan Arena”, Kombëtarja jonë dhe ajo daneze do të kërkojnë jo vetëm tri pikët e radhës, por edhe kreun e Grupit I, i cili momentalisht udhëhiqet nga Shqipëria pas fitores historike me Portugalinë.