e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Elbasani, nje qytet ndryshe para ndeshjes Shqiperi - Danimarke

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Elbasani, nje qytet ndryshe para ndeshjes Shqiperi - Danimarke

Pak orë para se përfaqësuesja shqiptare e futbollit të zbresë në fushën e “Elbasan Arena” për t’u ndeshur me ekipin e Danimarkës, qyteti duket ndryshe nga ç’ka qenë më parë. Qendra e qytetit është bllokuar me shirita ku lejohet të kalojnë vetëm këmbësore dhe të gjithë qytetarët e kanë respektuar thirrjen e bërë nga Policia dy ditë më parë për të mos qarkulluar me makina në rrugët kryesore. Ndërsa shumë dyqane në bulevard kanë nxjerrë tenda në rrugë, ku tregtojnë flamurin kuq e zi, për t’iu bashkuar edhe shumë qytetarë që në shenjë patriotizmi i kanë vendosur flamujt në ballkonet e tyre. Asnjë qytetar nuk ka shprehur mëri për bllokimin e qarkullimit te mjeteve, ndërsa një pjesë e mirë e tyre e kanë parë më nga afër stadiumin e ri “Elbasan Arena”. E gjithë dita e shtunë deri mëngjesin e së dielës do të jetë ndryshe në qytet.


Burime nga stafi drejtues i stadiumit bëjnë të ditur se tifozët të cilët do të ndjekin ndeshjen do të hyjnë në stadium në orën 17.00 . Ndërkaq, që në orët e para të mëngjesit pranë stadiumit kanë mbërritur forca të ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana, qe ne bashkepunim me Policine, do te krijojne kushtet e duhura per nje rend e qetesi normale.


Në pasditen e djeshme në Elbasan ka mbërritur edhe ekipi i Danimarkës, ku në një konferencë për shtyp trajneri Morten Oslen, pasi vlerësoi ekipin shqiptar, tha se “në këtë ndeshje kemi një përzgjedhje të mirë lojtarësh, pasi ekipi i Shqipërisë ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner italian mjaft të mirë. Ndaj e kemi marrë shumë seriozisht këtë ndeshje”, tha Olsen. Ai nuk ka lënë pa vlerësuar edhe kushtet e stadiumit “Elbasan Arena” si edhe fushën e stadiumit. Menjëherë pas konferencës për shtyp, ekipi i Danimarkës ka nisur stërvitjen në fushën e stadiumit. Mësohet se në Elbasan ka mbërritur edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh të ardhur nga Danimarka. Ndërkaq ende nuk ka mbërritur në Elbasan ekipi yne kombëtar, i cili bëhet e ditur se do te vije rreth mesditës. /a.ke/