e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Serbia, 'jo' tifozeve shqiptare ne Beograd

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Serbia, 'jo' tifozeve shqiptare ne Beograd

Ministria e Brendshme e Serbisë ka vendosur që tifozët shqiptarë të mos udhëtojnë drejt Beogradit për ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit, pasi nuk mund të garantojnë sigurinë e tyre. Vendimi është konfirmuar dje për mediat serbe nga shefi i Sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit (FSS), Milivoj Mirko, i cili ka shpjeguar se argumentimi do t’i dërgohet shumë shpejt edhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Në takimin e sotëm (djeshëm) mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme Serbe dhe zyrtarëve të FSS, unë përçova qëndrimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit mbi përmbushjen e kërkesës ligjore të shtetit të Serbisë, që për çdo mbajtës bilete (arritën në 1125) të jepet emri dhe mbiemri i tij. Në deklaratën e tyre, ata në mënyrë eksplicite e hodhën poshtë këtë kërkesë. Si rrjedhojë, është e qartë që kjo përbën mungesë sigurie për tifozët shqiptarë dhe serbë, më saktësisht, nuk është e mundur që të garantohet siguria në mënyrën e duhur për një ndeshje futbolli”, tha Mirko.

Pas kësaj mbledhjeje, duket se Ministria e Brendshme Serbe ka vendosur të mbyllë kufijtë në ditën e ndeshjes, pasi paralajmërimi i tyre për tifozët shqiptarë është shumë drastik. “Meqenëse vendimi i Ministrisë së Brendshme është përfundimtar, – shpjegon Mirko, – mendoj se Federata Shqiptare e Futbollit duhet të informojë tifozët e saj që të mos udhëtojnë më kot drejt Beogradit më 14 tetor, pasi në këto rrethana, në kufi atyre do t’u refuzohet hyrja në territorin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë të na kthejë 1125 biletat që u kemi dërguar më parë, kur shpresonim që të përmbushnim detyrimet minimale të organizimit të një ndeshjeje kaq komplekse”, ishte shpjegimi i zyrtarit të Federatës Serbe për mediat e këtij vendi.

Sipas asaj që kanë shkruar mediat serbe gjatë këtyre ditëve, Ministria e Brendshme do ta justifikojë këtë vendim të vetin para FSHF-së dhe UEFA-s, nëse kjo e fundit kërkon më shumë hollësi, me vizitën e Kryeministrit rus, Vladimir Putin, dy ditë pas sfidës. Sipas “Alo.rs”, shërbimet sekrete serbe pretendojnë se mes tifozëve shqiptarë mund të fshihen “ekstremistë kosovarë” që do të krijojnë incidente dhe të kërcënojnë sigurinë e vizitës së Putin.

Hapi i radhës tani i takon FSHF-së, e cila me shumë mundësi do t’i drejtohet UEFA-s, duke i kërkuar që ajo të detyrojë Serbinë të presë tifozët shqiptarë, ashtu siç bën me çdo tifoz tjetër. Pala shqiptare ka qenë ajo që ka kërkuar gjithmonë që ndeshjet mes këtyre dy kombëtareve të zhvillohen me tifozë udhëtues, ndaj nuk do të dëshironte që Serbia të festonte një “fitore të vogël” ende pa zbritur në fushën e lojës për sfidën e 14 tetorit. E. Kuka

Biletat

Sipas palës serbe, FSHF ka marrë 1125 bileta që do t’u shpërndaheshin tifozëve shqiptarë nga të gjitha vendet