Shqiperi-Bjellorusi, gjendet edhe stadiumi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëri-Bjellorusi do të luhet më 15 nëntor, ora 18:00 (ora jonë lokale) në stadiumin “Akdeniz University Stadium” në Antalia. Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka arritur që ta prenotojë këtë impiant për këtë miqësore. Stadiumi është shtëpia e skuadrës Antaliaspor, e cila militon në ligën e parë turke. Ai është ndër më të rinjtë në Turqi, pasi është hapur vetëm një vit e gjysmë më parë, pra në 2012-ën, dhe ka një kapacitet prej 7.100 vendesh të ulura, ndërsa është projektuar si një stadium multifunksional. Në të zhvillohen edhe gara të atletikës, pasi ka një pistë vrapimi të licencuar edhe nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Impianti është shumë pranë detit dhe afër me resortin ku do akomodohet skuadra jonë përfaqësuese në Belek. Sipas informacioneve nga Federata Shqiptare e Futbollit, pagesa për zhvillimin e kësaj miqësoreje në këtë impiant do të ndahet përgjysmë mes bjellorusëve dhe federatës sonë, paçka se si skuadër pritëse rezulton të jetë Shqipëria.
Transmetimi - Ndërkohë, ende në dilemë mbetet transmetimi i këtij takimi. Duke qenë se është një miqësore, pra nuk bën pjesë në paketën e të drejtës televizive që ka shitur federata më parë, do duhet që kanale të ndryshme televizive të jenë të interesuara, përkundrejt pagesës që ta japin këtë ndeshje. Në rastin konkret pritet që kjo ndeshje të transmetohet nga paketa me pagesë “Supersport”. Sakaq kujtojmë se, gjatë kohës që në drejtim të Kombëtares ka qenë Xhani De Biazi, nuk janë transmetuar për tifozët shqiptarë vetëm miqësoret e majit 2012: Katar- Shqipëri (1-2), luajtur në Spanjë dhe Shqipëri-Iran (1-0), luajtur në Turqi.
Përballjet - Ndaj Bjellorusisë Shqipëria ka zhvilluar gjithsej katër takime, që të gjitha kualifikuese, duke pasur një bilanc prej dy humbjesh, një barazimi dhe një fitoreje. Më 2 shtator të 2006-ës në Minsk, kuqezinjtë barazuan 2-2 falë golave të Ervin Skelës me penallti dhe Besnik Hasit nga goditja e dënimit. Më 17 nëntor 2007 Shqipëria do humbiste në Tiranë 2-4, teksa për kuqezinjtë shënonin Erjon Bogdani dhe Edmond Kapllani. Më 12 tetor 2010, kuqezinjtë do humbnin 2-0 në Minsk, teksa më 26 mars 2011 në “Qemal Stafa” fituan 1-0 falë golit të Hamdi Salihit. Kjo mbahet edhe si një nga ndeshjet më të bukura që ka zhvilluar skuadra jo vetëm nën drejtimin e të ndjerit Josip Kuzhe, por edhe në të paktën dy dekadat e fundit, pavarësisht rezultatit minimal. Ndërkohë, takimi i 15 nëntorit do të jetë i pesti zyrtar.
Lajmi në “Panorama Sport”, reagon FSHF-ja
Ndeshja miqësore Shqipëri-Bjellorusi ishte programuar të luhej në një fushë resorti, pikërisht në “Bellis Sport Center”, por lajmi i publikuar nga “Panorama Sport” të premten e shkuar vuri menjëherë në lëvizje federatën tonë, e cila dërgoi urgjentisht zyrtarët e saj për të siguruar një stadium. Ishte vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka, që pas lajmit të gazetës reagoi menjëherë, duke bërë që Kombëtarja të mos trajtohej si një skuadër klubi në fazë përgatitore. Ai urdhëroi nëpunësit e federatës që të viheshin në lëvizje dhe, pas bisedimeve me drejtuesit e stadiumit në Turqi, dje është arritur përfundimisht akordi, i pranuar edhe nga ana e bjellorusëve.