e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Arsenali i kthen borxhin Borusias, Barcelona fiton lehte me Milanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arsenali i kthen borxhin Borusias, Barcelona fiton lehte me Milanin

Liga e Kampioneve vazhdon të dhurojë disa rezultate mjaft të rëndësishme, ku padyshim bie në sy se si ndryshon situata në vazhdimësi në atë që është cilësuar “grupi i vdekjes”. Surprizën këtë radhë e ka bërë Arsenali, që është hakmarrë ndaj Borusia Dortmund duke marrë tri pikët në fushën e gjermanëve, siç këta të fundit kishin bërë në Londër dy javë më parë.

Skuadra e Klop ka dominuar gjatë ndeshjes dhe në pjesën e parë ka shpërdoruar disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh. Por në pjesën e dytë, ishte një kombinim mes Ozil, Zhiru dhe Ramsi, finalizuar nga ky i fundit, që kaloi në avantazh “topçinjtë” e Venger. Më pas, Arsenali ka arritur të mbrojë mjaft mirë të paprekur katërkëndorin e tij, duke marrë tri pikë që e çojnë në vendin e parë në grup. Tashmë Borusia është përsëri në vendin e tretë, me 6 pikë, e kaluar nga Napoli që ka pikë të barabarta me Arsenalin falë suksesit 3-2 ndaj Olimpik Marsejës. Italianët kanë vuajtur shumë për të marrë këtë sukses, pasi francezët janë paraqitur mjaft mirë në këtë sfidë dhe i kanë shkuar shumë afër një rezultati që do të cilësohej surprizë duke parë ecurinë e deritanishme të dy ekipeve. Në fund diferencën e kanë bërë individët dhe dy golat e Higuain kanë rezultuar vendimtarë për fatet e kësaj sfide në grupin ku gjithçka mund të ndodhë në dy ndeshjet e fundit.

Një reklamë për futbollin ka qenë edhe sfida mes Barcelonës dhe Milanit e luajtur në “Kamp Nou”. Katalanasit kanë fituar 3-1, falë magjive të individëve të saj, por nuk prisnin një reagim të ekipit italian në fillimin e pjesës së dytë. Është dashur një gol i minutës së 83-të nga Mesi për të qetësuar trajnerin Martino që shihte yjet e tij të humbnisin raste pa fund para portës së Abiatit, ndërsa linin hapësira të rrezikshme në prapavijë. Pavarësisht kësaj humbjeje, Milani mbetet në vendin e dytë në grup, pasi Ajaksi ka arritur të marrë tri pikë përballë Sëlltik, duke u kthyer përsëri në garë për kualifikimin e mëtejshëm.

Atletiko Madrid ka festuar kualifikimin në turin tjetër dhe njëkohësisht edhe sigurinë matematike të renditjes në vendin e parë në Grupin G. Madrilenët, ashtu siç pritej, kanë fituar lehtësisht 4-0 ndaj Austrisë së Vjenës dhe ky rezultat, i kombinuar me barazimin 1-1 mes Zenit dhe Portos, kanë bërë që skuadra e Simeones të qetësohet dhe të mendojë për kampionatin spanjoll. Ndërkohë, gjithçka mbetet hapur mes Zenit dhe Porto, të cilat nuk duhet të gabojnë më në dy ndeshjet e mbetura të kësaj faze grupesh për të siguruar kualifikimin e mëtejshëm në këtë turne. Humbësi duhet të kënaqet me Europa League, pasi Austria e Vjenës duket një skuadër shumë e dobët për të shqetësuar ata.

Çelsi po shkon qetësisht drejt kualifikimit të mëtejshëm nga Grupi E, ndonëse skuadra e Murinjos ka marrë përsëri më shumë sesa meritonte ndaj gjermanëve të Shalkes. Kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë diktuar ritmin e lojës në Londër, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Çelsi thuajse nuk shfaqet asnjëherë rrezikshëm, por gjen me fat golin e avantazhit në minutën e 31-të, kur portieri Hildebrand nuk eviton ndërhyrjen e Eto’o dhe sfera përplaset në këmbën e sulmuesit duke u kthyer në rrjetë. Kamerunasi është i vetmi që arrin të shkëlqejë në këtë sfidë dhe tregoi se nuk ka humbur nuhatjen e golit me finalizimin e një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 54-t që praktikisht mbylli ndeshjen. Goli i Ba, zëvendësuesit të Eto’o, shërbeu vetëm për statistikë. Megjithatë, gjermanët janë favorizuar nga rezultati i sfidës tjetër në grup, me Steaua Bukuresht që i ka rrëmbyer një barazim në transfertë Bazelit, duke shkaktuar një nga surprizat e kësaj mesjave.