e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Shpeton lekuren' Portugalia, ndersa zhgenjen shume Kristiano Ronaldo.

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Shpeton lekuren' Portugalia, ndersa zhgenjen shume Kristiano Ronaldo.
Edhe pse e kanë parë veten në epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë, me golat e Pepe dhe Postiga, luzitanët i kanë mbyllur 90-minutat e dyta të Grupit B me zemër në dorë, sepse deri në minutën e 87-të ishin në barazimin 2-2. Deri këtu, gjithcka ka ndodhur për shkak se lojtari i tyre më i mirë, Ronaldo, ka bërë atë që askush nuk do ta mendonte: dy herë i gjendur i vetëm përballë portierit danez nuk ka shënuar dot. Dhe po nuk shënove, do ta pësosh. Ky është ligji i pashkruar i futbollit ka marrë vlerë të plotë në ndeshjen Portugali-Danimarkë, sidomos në rastin e golit të dytë e të barazimit të vikingëve, realizuar nga sulmuesi i tyre kryesor, Bendtner.

Nëse dy minuta më herët, Kristiano Ronaldo nuk ishte në gjendje të trefishonte shifrat për të tijtë dhe të vinte në shina të sigurta fitoren, vetëm për vetëm me portierin danez, është Bendtner në kahun tjetër, që me kokë, në një pozicion mjaft të vështirë, ndëshkon për të dytën herë luzitanët. Më pas, kur kishim mbetur fare pak minuta lojë, është dashur Olivera, i futur si zëvendësues në pjesën e dytë, 20-vjecari i talentuar portugez, që të shpëtojë nderin e Ronaldos dhe kombëtares së tij, sepse një barazim 2-2 do t’i kishte nxjerrë ata praktikisht jashtë luftës për kualifikim. Minuta e 87-të ka qenë fatale për danezët, që po e mendonin veten me katër pikë, por janë ndëshkuar nga i riu portugez. I cili ka ndryshuar sërish rrjedhën e kësaj ndeshjeje mjaft të luftuar e tepër emocionuese, sidomos në pjesën e dytë, kur reagimi i vikingëve ka qenë i fortë, ndërsa pjesa e parë është kontrolluar nga portugezët.

Falë përmbysjeve të mëdha, sa në njërën portë, aq edhe në tjetrën, ky 90-minutësh, që ka prodhuar bollëk golash, plot pesë të tillë, ka dërguar tri piklët e para në llogarinë e luzitanëve, që tashmë barazohen në këtë drejtim me Danimarkën. Formacioni i Morten Olsenit ishte surpriza më e madhe e ndeshjeve të para të fazës në grupe, kur gjunjëzoi gjigantët e Holandës, ndërsa ishte fare pranë një barazimi edhe me portugezët. Ndaj Portugalisë tentuan surprizën e dytë, për të siguruar edhe kualifikimin, dickaje që nuk ia arritën dot për fare pak minuta qëndresë në fund të lojës, ndërkohë që luzitanët nuk duhej të dështonin për të marrë tri pikët, sepse vetëm kështu do të kenë ende shanse për të vazhduar aventurën në Evropian.

Edhe kësaj here, loja e danezëve ka pasur tipare mbrojtëse, edhe pse ka gabuar jo pak në pësimin e dy golave të parë. Skuadra e trajnerit Olsen do të ishte e kënaqur edhe me një pikë ndaj Portugalisë. Portugalia, ashtu si edhe ndaj Gjermanisë, zhvilloi deri diku një paraqitje të kënqashme, duke u mbrojtur mirë në shumicën e lojës, por në fakt nuk shfaqi rrezikshmërinë e duhur në repartin e avancuar. Gabimet fatale në këtë drejtim përfshinë edhe Kristiano Ronaldon, që humbi gola të sigurtë në pozicione tepër ideale dhe e mbajti kombëtaren e tij me “lakun në fyt” deri në vërshëllimën e gjyqtarit.