Shpeton Celsi, ndalen Arsenali e Totenhemi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndalet Arsenali, por ngjitet sërish në vend të parë, edhe pse tashmë kryeson me pikë të barabarta me Liverpulin: në fushën e Uest Bromuiçit nuk shkon më shumë se 1-1. Goli i Uilsherit në pjesën e dytë, barazon atë të argjentinasit Jakob (42′). Skuadra e Klarkut është solide në mbrojtje, duke mos i hapur shumë punë portierit Majhill në pjesën e parë. Avantazhi i të zotëve të shtëpisë vjen nga krosimi elegant i të zakonshmit Amalfitano, Gibs mbron keq dhe Jakob me kokë shënon golin e parë në Angli. Në fillim të pjesës së dytë, vendësit mund të dyfishonin me Anelkanë, ndërkohë që paraqitja e dyshes së qendrës Mertezaker- Koshielni lë jo pak për të dëshiruar. Venger ndërron Ramsejn me Roziçkin (59′) dhe pas aksionit spektakolar të Ozil-Zhirud, finalizon çeku me një asist për Uilsherin, i cili nuk fal nga jashtë zone duke shënuar edhe me ndihmën e një devijimi (63′). Ndeshja hapet dhe Arsenali ka një tjetër rast të mirë me Zhirudin, por Majhill bën mrekullinë. “Topçinjve” iu mohua dhe një penallti e pastër nga arbitri Meson, por kjo nuk i pengoi që të shkonin në pushimet e ndeshjeve ndërkombëtare në krye të Premier Ligës.
Totenhemi Andre Vilas Boas humbi shansin e artë për t’u ngjitur në krye të Premier Ligës, por në derbin me Uest Hemin pësoi humbjen e tij më të rëndë në “White Hart Lane”. Totenhemi u shkatërrua në pjesën e dytë nga rivalët e Sem Alerdajsit, që shënuan 3 gola njëri më i bukur se tjetri në harkun e 13 minutave dhe siguruar fitoren e parë në “White Hart Lane” që prej vitit 1999. Uinston Reid hapi serinë e golave nga një goditje këndi, Rikardo Vaz Te dyfishoi, ndërsa Morrison realizoi një gol spektakolar duke vulosur triumfin me shifra të pabesueshme në fillim të ndeshjes. Në fund të 90 minutave vetëm vërshëllima për Spërsat, që nuk merituan asgjë më pak në këtë takim.
Çelsi Me ndonjë vuajtje të tepërt fiton Çelsi, duke mundur 3-1 Nouriçin në “Carrow Road” dhe siguruar 3 pikët e para në transfertë këtë sezon. Ndeshje jo e lehtë për djemtë e Murinjos, që i sigurojnë 3 pikët vetëm në 5 minutat e fundit. Por blutë e nisin shumë mirë dhe kalojnë në avantazh në rastin e parë që krijojnë. Lampard lëshon një parashutë nga thellësia për Demba Banë, i cili bën spondin për Oskarin: E djathta perfekte me të jashtmen e brazilianit sjell një gol spektakolar. 4-2-3-1-shi i Murinjos shkëlqen në 30 minutat e para me Oskarin, Matën, Shyrrlen dhe Demba Banë. Ky i fundit, i preferuar në vend të Etosë (Torres është i pezulluar). Bomberi senegalez i shkon pranë golit në minutën e 13-të, pasi u çmarkua nga një asist i Matës. Çelsi vuan në krah të majtë: Kol gabon kohën e presingut dhe është i pasaktë në mbulim, duke i lejuar Martinit të hedhë disa krosime që përhapin panik në mbrojtjen e Murinjos. Por, mbrojtësi i majtë pësoi një goditje në brinjë dhe prandaj edhe u zëvendësua.
Gjithsesi, Çeh nuk i bën dorezat pis. Miqtë e nisin më mirë pjesën e dytë me Banë sërish pranë golit. Pastaj skuadra luan një lojë defensive dhe përpiqet të dalë përpara me mbrojtësit e krahut. “Kanarinat” fitojnë terren dhe kurajë. Van Volfsvinkel kërcen më lart se Terri në zonë, ndërsa Pilkington i vjedh kohën David Luizit duke barazuar 20 minuta nga fundi. Murinjo duhet të ndryshojë: hyjnë Eto dhe Hazard për Ba dhe Kol, më pas Uillian për Matën. Rrezikon, por në fund shpërblehet. Hazard niset në një kundërsulm dhe feston, duke falënderuar dhe gafat e Tetejt dhe portierit Rudi. Një minutë më vonë vjen dhe perla e Uillianit, që vulos përfundimisht 3-1.
Murinjo: Çelsi i fitores, rrezikova me zëvendësimet
Trajneri i Çelsit, Zhoze Murinjo, pranoi se guximi i tij me zëvendësimet solli fitoren e bluve në “Carrow Road”. Kur rezultati ishte 1-1, 50- vjeçari hodhi në fushë Etonë, Hazardin dhe Uillianin, duke sakrifikuar edhe Kolin, pavarësisht problemeve fizike. Këta të fundit shënuan dhe dy golat e fitores. “Plani im ishte që të vinim këtu, shënonim golin e parë dhe të dytë për ta mbyllur ndeshjen së më shpejt që të ishte e mundur. Lojtarët dhanë më të mirën, ndërsa kundërshtari luftoi dhe na hapi shumë punë. Këto ndeshje janë tepër të vështira. Pas barazimit të tyre unë nuk mund të luftoja për 1 pikë. Jam trajner i Çelsit për të fituar, kështu që më duhet të rrezikoja pak. Preferova Demba Banë, sepse ai është më i përshtatshëm në ndeshje të tilla. Kur takimi u hap dhe u krijuan hapësira, mendova të fusja Etonë. Merituam një fitore të vështirë”, – tha pas ndeshjes trajneri portugez.
Venger: Ishte një ndeshje që na la pa frymë
Arsen Venger lavdëroi shpirtin e skuadrës së tij pas barazimit me Uest Bromuiçin. “Mbetëm pa frymë. Uest Bromuiçi na tregoi se përse fituan me Mançester Junajtid javën e shkuar dhe ne kishim për detyrë të bënim një paraqitje të jashtëzakonshme. Treguam karakter dhe krijuam dhe shanset për ta fituar ndeshjen. Skuadra e Klarkut është shumë e fortë në kundërsulm, pasi ka lojtarë të shpejtë. U përpoqëm me të gjitha mënyrat për të shënuar dhe golin e fitores, por nuk ia dolëm dot”, – u shpreh pas ndeshjes menaxheri i “topçinjve”, i cili deri më 19 tetor (ndeshja e radhës me Nouriçin) do të shijojë kryesimin e Premier Ligës.
Vilas Boas: Të lodhur nga Europa, na surprizuan
Trajneri i Totenhemit pranoi se ai ishte befasuar nga paraqitja e Uest Hemit në derbi. Tre golat e “çekiçëve” në pjesën e dytë i dhanë fund rekordit të Spërsave pa humbje në shtëpi. Andre Vilas Boas pranon se kjo disfatë është një alarm zgjimi për të tijtë, sepse me një fitore do të ishin në krye bashkë me Liverpulin dhe Arsenalin. “Ne pësuam tre gola, por përpara kësaj ndeshjeje ishim skuadra me mbrojtjen më të fortë. Por, kësaj radhe Uest Hemi ia doli të na suprizonte. Ishte një ndeshje delikate, sepse vinte edhe pas një takimi të lodhshëm në Ligën e Europës. Duhet të zgjohemi, sepse deri tani kemi bërë shumë mirë” – tha portugezi.