e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Barca poker Rames, CR7 shpeton Realin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barca poker Rames, CR7 shpeton Realin

Kushedi se kur do ndalet kjo Barcelonë. Ndoshta nuk shkëlqen si në vitet e shkuara, por në La Liga, edhe pa këmbët e Leo Mesit, vazhdon t’i thellojë rekordet e saj. Nuk është argjentinasi, por bëjnë gjithçka Sançez e Nejmar. Kiliani shënon një dopietë, ndërsa braziliani veç dy penalltive të reklamuara, shënon golin e tretë. Ksavi vulos pokerin ndaj Vajadolidit në “Kamp Nou”. E të mendosh që skuadra e Valdet Ramës kaloi e para në avantazh me Havi Guerrën që në minutën e 10-të, pas një goditjeje me kokë nga këndi. Jubilar goli i miqve, i cili ishte i 3.000-ti në kampionatin spanjoll. Do të zgjasë vetëm 4 minuta festa e miqve, sepse Sançez barazon gjithçka me një supergoditje nga jashtë zone, që ndalet në trekëndëshin e Marinos. Por goli i avantazhit do të vijë vetëm në minutën e 52-të nga Ksavi, i cili në qendër të zonës nuk gabon shënjestër. Bëhet gjithçka e lehtë për skuadrën e Martinos, e cila 12 minuta më vonë do të gjejë golin e qetësisë sërish me Sançez. Në fund vulos Nejmar, ndërsa në “Kamp Nou” për 20 minuta luajti edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Valdet Rama. Katalanasit gdhihen të parët në renditje dhe sot në mesditë presin përgjigjen e Atletiko Madridit.


Reali - Një fitore në fotofinish, edhe një herë me përmbysje, çka nuk do të shmangë polemikat mbi Ançelotin dhe Realin e tij për një tjetër javë. Në shtëpinë e Levantes, madrilenët dalin me 3 pikë që i sigurojnë vetëm në shtesë. Ishte një tjetër paraqitjeje jobindëse. Të zotët e shtëpisë bëjnë ligjin për një gjysmë ore, kalojnë në avantazh dy herë, vetëm për të kapitulluar në finale falë edhe një Ronaldoje si përherë vendimtar. Në ndryshim nga ndeshja e së mërkurës me Kopenhagenin, Ançeloti rikthen Ramosin, Koentraon, Iskon dhe Lopezin titullar. Por loja e “galaktikëve” respekton trendin e këtij fillimsezoni: reparte të distancuara dhe një lëvizje e ngadaltë dhe e lexueshme. Drithërimën e parë e provokon Baba (4′) me një parabël. Në minutën e 18-të, arbitri Gonzalez fal Varanen, fajtor për një shtyrje në zonë ndaj Babakarit. Por gabimin e “shlyen” në minutën e 36-të, kur Gonzalez nuk shikon një penallti të pastër shkaktuar nga prekja e topit me dorë pas goditjes me kokë të Ronaldos. Për miqtë portugezi është lojtari më i rrezikshëm, por as ai nuk e ka shënjestrën e saktë. Pas kthimit nga dhomat e zhveshjes është sërish Levante që sulmon dhe Lopez shpëton një goditje të Diop në hyrje të zonës.

Reagon Reali, me Ronaldon që qeth shtyllën. Por Levante nuk dorëzohet dhe në minutën e 56-të gjen edhe golin falë një kundërsulmi që konkludohet me sukses nga Baba, vetëm dy hapa nga Lopez. Por buzëqeshja e Levantes ngrin pas një minute, atëherë kur Ramosi barazon me kokë pas një goditje këndi. Ançeloti luan gjithçka për gjithçka në 20 minutat e fundit, duke provuar dhe kartat Morata-Hese, ndërsa Levante mblidhet në gjysmëfushën e saj. Provojnë Benzema, Marselo e Ramos, por në 5 minutat e fundit është sërish Levante që kalon në avantazh me një aksion të El Zhahr. Mirëpo Reali nuk dorëzohet dhe barazon me Moratën në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pastaj shpërthen festa falë një të majte perfekte të Ronaldos që shmang krizën, sepse distanca me Barcelonën sot mund të ishte më e thellë se 5 pikë.