E ndal Leverkuseni, Bajerni merr kreun
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni i Mynihut më në fund pas tetë jav ësh arrin të marrë kreun e tabelës së Bundesligës. Në transfertë ndaj Leverkusenit, ekipi bavarez ka dhuruar spektakël duke organizuar aksione pa fund goli, duke dominuar dhe zotëruar topin 78 për qind, si dhe shënjestruar portën 11 herë, kundrejt 3 të Leverkusenit. Dominim i tmerrshëm, por munguan golat. Pavarësisht kësaj epërsie, Bajerni “dopohet” nga “aspirinat” duke u ndalur në 1-1.
Ndeshja – Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, në krahasim me formacionin triumfues në Mançester bën vetëm një ndryshim: Robenin e zëvendëson me Shaqirin. Bajerni hasi probleme të mëdha me defensivën e “aspirinave”. Bavarezët i lodhën në maksimum vendësit, të cilët vraponin pa fund, por veç të tjerash formuan një “rrjetë merimange” duke mos lejuar ndëshkimin. Veçse kjo rrjetë rezistoi vetëm 29 minuta, pasi ish-lojtari i tyre, Toni Kros, merr një asist nga Riberi dhe ndëshkon portierin Leno. Por, festimi nuk zgjati më shumë se 120 sekonda, pasi Leverkuseni në një kundërsulm të shpejtë arrin të barazojë me anë të Sidnej Sam, i cili kryeson edhe listën e golashënuesve me 7 gola. Pas kësaj surprize rrufe, të besuarit e Guardiolës shpërthejnë me aksione e kundërsulme pa fund. Myler (35’) dhe Shaqiri (40’) kishin shanset ideale për ta mbyllur pjesën e parë në avantazh.
Në 45 minutat e dyta, porta e Leverkusenit u kthye në një tabelë qitjeje, por portieri Leno rezistoi dhe me të drejtë u cilësua njeri i ndeshjes për vendësit. Pep freskon formacionin me Robenin, Manxukiçin e Gëcen duke ndryshuar taktikë. Minutat e fundit bëhen të frikshme. Bajerni sulmon me 11 lojtarë dhe me Nojerin, të cilin nuk e mbante porta. Tri minutat shtesë bëhen makth për “aspirinat”. Gëce humbet shansin ideal para portierit, Leno ia pret Shvajnit gjuajtjen me kokë. Pas pritjeve gjeniale, në sekondat e fundit Leverkuseni hidhet në kundërsulm. Edhe pse Riberi shkaktoi faull jashtë zone, gjyqtari nuk e pa. Ndeshja e transmetuar në 204 shtete na dhuroi spektakël dhe një fund të gëzuar për të dyja skuadrat. Bajerni qëndron i pathyeshëm edhe në ndeshjen e 33-të në Bundesligë (27 fitore, 6 barazime). Gjithashtu, kryesojnë tabelën e Bundesligës për herë të parë dhe ditën e diel do festojnë zyrtarisht “Oktoberfest”- in.