'Debatet me Bekham, Celsi me beri oferte'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Aleks Ferguson ka folur pa doreza, duke analizuar si momentet delikate kur ka qenë trajner, ofertat nga Çelsi, madje edhe shanset e një rikthimi të mundshëm te Mançesteri. Ish-trajneri kërkon që t’i besohet Mojesit, ndërkohë që zbulon edhe arsyet e debatit me Bekhamin.
Pas rezultateve jo shumë pozitive të Mojesit, tifozët duan rikthimin tuaj…
Nuk ka shanse që të ndodhë një gjë e tillë. Është diçka e mbyllur. Jam larguar në momentin e duhur dhe jam i kënaqur me zgjedhjen time. Tani mund të kaloj pushime të qeta, mund të shkoj në Paris, SHBA dhe të vizitoj vreshtat ku prodhohen verërat më të mira në botë. Gjithsesi, nuk më pëlqen që nuk i japin besim Mojesit.
Doni që t’i jepet kohë?
Sigurisht. Ai sapo e ka nisur punën. Jam befasuar kur mësova shkarkimin e Di Kanios nga Sandërlendi. I dhanë një buxhet prej 25 milionë eurosh për blerje dhe pastaj e shkarkuan për pesë javë, në një kohë kur ai ende s’kishte mundur të vilte rezultatet e punës së bërë. Drejtues të tillë nuk kanë për të pasur ndonjëherë sukses.
Në fakt, edhe ju keni rrezikuar të shkarkoheni…
Ka ndodhur në dy raste. Në fillim kur drejtoja Mançesterin, por që bordi drejtues më dha besim, pasi e panë se çfarë pune po bëja me lojtarët e rinj si Skols, Gigs, Kin apo Bekham. Dhe besimi i tyre u shpërblye.
Po rasti i dytë?
Ishte një periudhë kur edhe tifozët po nxirrnin parulla “Erdhi fundi”. Megjithatë, nuk e humba qetësinë dhe as motivimin, por vazhdova punën i qetë. Dhe fitova disa tituj të tjerë…
Keni pasur ndonjë ofertë tunduese për të drejtuar klube të tjera?
Po. Në një rast ka tentuar Abramoviç të më marrë te Çelsi, saktësisht sapo e bleu klubin. Sidoqoftë, ju thashë që nuk ka shanse të ndodhë një gjë e tillë.
Kush është lojtari më i mirë në historinë e futbollit?
Unë jam një fans i Peles. Ka një debat të gjatë mes Maradonës dhe brazilianit, por unë preferoj më tepër këtë fundit. Mbase edhe për faktin që kemi epoka të përafërta.
Po tani?
Do ketë gjithnjë debat për Mesin dhe Ronaldon, ashtu si për Pelen dhe Maradonën. Nuk mund të bësh specifikime, pasi është relative për çdo person.
Ku dallohet një lojtar që të pozicionohet mes më të mirëve në botë?
Mbi të gjitha te karakteri. Ka shumë futbollistë të talentuar, por ata që bëjnë diferencën kanë guxim, nuk dorëzohen, janë egoistë dhe udhëheqin ekipin. Mbase janë karakteristika të lindura. Një futbollist i madh duket kur kthehet në mbrojtje për të marrë topin dhe e nis vetë aksionin. Ai është lider.
Gjatë kohës suaj si trajner ka pasur një debat për mosmarrëveshje me Bekhamin. Si është e vërteta?
David e humbi përqendrimin që kur u martua me Viktorian. Nuk ishte më i fokusuar plotësisht te futbolli. Sigurisht, unë ia bëra të qartë një gjë të tillë. Gjithsesi, lëvizja që më ka surprizuar më tepër prej tij, që përsëri mendoj se është e lidhur me përkushtimin që ka ndaj familjes, ka qenë kalimi nga Real Madridi te Los Anxheles Galaksi.
Mund të flasim pak edhe për Runin. Ai ka kërkuar gjithashtu të largohet…
Po, ka pasur një moment kur donte të provonte një aventurë të re. Mendoj se e binda që të qëndrojë dhe në fakt ai e rinovoi kontratën. Tani duhet të vijë dhe të më japë dorën, sepse është i bindur që ka bërë zgjedhjen e duhur.