Juve vijon ndjekjen, Milani zhytet me thelle
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi nuk i humbet mundësitë. Bardhezinjtë i përgjigjen një Rome që të mrekullon dhe një Napoli konstant që vazhdon të shfaqet në nivele të larta, duke mundur Milanin me rezultatin 3-2. Janë vendimtare ndryshimet që trajneri Konte bën. Xhovinko shënon golin e dytë të “Zonjës së Vjetër” dhe bën që Meksesi të nxirret me karton të kuq, ndërsa Pogba, edhe si një lojtar krahu, tregoi se e meriton të jetë titullar. Juvja arriti që të fitonte për herë të 6-të në 7 takime të luajtura. Në një sezon të gjatë, ai që hyn nga stoli, duhet që të jetë vendimtar për ekipin e tij. Në të tillë mënyrë Juvja nuk krijon largësi me kreun. Milani humbet një takim jo pa trishtim, ndërsa iu desh që të vuante ritmin e vendësve, por edhe mungesat në formacion.
20 sekonda dhe gol - Milani, që luan me Noçerinon në mesfushë në vend të Polit, shënon golin që në aksionin e parë, pasi ka bërë nisjen e topit. Ndërsa mbrojta largon topin, Noçerino gjuan me të djathtën, Padoin s’ka çfarë të bëjë dhe topi shkon te Muntari, i cili gjuan menjëherë ultas dhe mposht Bufonin. Mbrojtja bardhezi nuk është rreshtuar siç duhet, Azamoah mbi të gjithë, dhe “Juventus Stadium”-in e pllakos heshtja.
Reagimi - Goli i pësuar ka efektin që Konte shpreson. Juvja rifiton topa dhe nis aksione të shpejta me Kualjarelan dhe Tevezin. Vidal jep një asist për napolitanin, por që shpërdoron dy hapa larg portës. Më pas, vendësit e provojnë me gjuajte nga jashtë zone me anë të Kielinit dhe të Azamoahs, por portieri Abiati është i zoti që t’i presë ato. “Djalli” kapitullon në fund të çerekorëshit të parë, kur Tevezi rrëzohet në qendër nga De Jongu. Pirlo është ai që gjuan dhe e djathta e tij befason Abiatin, i cili shikon topin të futet në portë.
Ulet ritmi - Në vazhdim gara shuhet. Milani arrin ta kontrollojë topin mirë. De Jong luan mirë para mbrojtësve dhe Montolivo qetëson lojën, ndërsa Juvja nuk arrin që të rrezikojë nga krahët. Azamoah dhe Padoin mund të bëjnë më mirë. Dhe, me Markizion pak të turpshëm, pjesa e dytë e fraksionit të parë shndërrohet në atë më pak interesanten e garës. Sepse edhe Milani lodhet që të krijojë raste, me Matrin e Robinjon jo në momentet e tyre më të mira. Çmendet Meksesi – Pjesa e dytë nis menjëherë me polemika. Meksesi qëllon me grusht Kielinin në një aksion të nisur nga goditja e këndit, por nga arbitri nuk shikohet ky rast. Në vazhdim, rasti më i mirë është për Milanin: Padoin humbet një top, Matri gjuan dhe e çon topin te Robinjo, por Bufon tregohet vendimtar dhe arrin të shpëtojë portën. Konte vendos të heqë Padoinin dhe fut në krahë Pogbanë. Francezi ia del që të luajë mirë edhe në këtë rol, madje menjëherë i afrohet golit dhe pastaj jep një asist për Azamoahn, i cili shpërdoron. Kualjarela del dhe në vend të tij futet Xhovinko.
Vendimtar - Sulmuesi i sapofutur në lojë i sjell buzëqeshjen “Juventus Stadium”- it. Gjithçka lind nga një top i humbur i Montolivos, para mbrojtësve të qendrës së Milanit, Vidali i pason Xhovinkos që driblon Zapatan dhe me një diagonale mposht Abiatin. Meksesin më pas nuk e mbajnë nervat. Ai nis të protestojë dhe arbitri i jep karton të verdhë; pas 4 minutash ndërhyn keq nga pas ndaj Xhovinkos dhe ndeshja e tij mbyllet aty.
Vulos Kielini - Trajneri Alegri vendos të nxjerrë Noçerinon dhe fut Niangun, duke kaluar në modulin 4-3- 3. Mirëpo Pirlo bëhet sërish protagonist, kur gjuan një tjetër goditje këndi e topi përfundon në traversë. Është Kielini, i cili përfiton e gjuan menjëherë kur topi kthehet dhe rezultati shkon në 3-1. Në përfundim duhen edhe 15 minuta, gjatë të cilave Milani me anë të Muntarit arrin që të gjejë golin e dytë, falë edhe devijimi të bërë nga Bonuçi. Në shtesë është goditja me kokë e Zapatas, që bën të dridhen bardhezinjtë. Megjithatë, në fund janë ata që festojnë.
Konte: Dikush duhet rrahur…
Antonio Konte është i lumtur për rezultatin, por pësimi i golave të vazhdueshëm bën që ai të vazhdojë me kërcënimet për repartin e mbrojtjes. Gjithsesi, fitorja dhe reagimi pas golit të Muntarit ishin ato që i pëlqyen trajnerit të Juventusit.
Konte, 6 fitore në 7 ndeshje…
Kur u zbardhën kalendarët e Serisë A, të gjithë folën për një Juventus që vështirë se do përballonte gjithë këto impenjime, ndërsa tani dëgjoj që jemi një skuadër e fortë, por ende nuk bindim. Nuk di çfarë të flas përpara jush. Unë di vetëm që jam i lumtur me shumicën e paraqitjes sonë në fushë, por kemi ende shumë për t’u përmirësuar. Më çmend fakti që pësojmë gol në gjuajtjen e parë që marrim në kuadrat. Duhet të vë duart mbi ndonjë për këtë që po na ndodh, mbase kështu do të zgjohemi. Kundër Milanit kemi thyer çdo rekord, sepse ju betohem që as e pashë golin e Muntarit pas 20 sekondash, por tabela ma tregoi. Gjithsesi, u treguam të zotët që përmbysëm gjithçka.
Pas kësaj fitoreje të madhe “armiqtë” do qëndrojnë më urtë me siguri?
Nuk jam i habitur nga fakti që kemi shumë armiq, sepse prej dy vitesh fitojmë vetëm ne dhe duan të na shohim të mundur. Këtë e thotë historia, me përjashtim të periudhës 1930- 1935, kur ky klub fitonte 5 tituj radhazi. Prandaj, ua bëj të qartë lojtarëve, klubit dhe tifozëve, të gjithëve, për të fituar titullin e tretë vetëm kjo që kemi bërë deri tani mbase nuk do të mjaftojë. Nëse nuk qëndrojmë të bashkuar dhe nëse nuk do të sakrifikojmë për njëri-tjetrin, do t’i hapim vetëm probleme vetes.
Nervozoheni nëse ju themi se me këtë sjellje kujtoni Murinjon?
Unë nuk kam ardhur në këtë arenë të futbollit për të kopjuar dikë, sepse fundja karrierën time e kam filluar prej kohësh, në ekipe si Arexo, Bari e Siena. Ndaj, çështje armiqësish dhe ziliqarësh i kam mësuar nga eksperienca ime, jo sepse Murinjo e ka thënë këtë. Pastaj, dikush harron që kam luajtur për 13 vite si lojtar i Juventusit, ndaj i di mirë intrigat që ndodhin kundër nesh.
Kundër Milanit bëtë “bing” me zëvendësimet. Ku frymëzoheni?
Edhe kundër Gallatasarajit m’u duk se isha i frymëzuar, por në fund përfunduam në barazim 2-2 dhe në gazeta pashë se nota 5 ishte më e larta për mua. Por, mbase në të tilla gjëra jeni më të zotët ju. Unë jam thjesht me fat që gjej gjithmonë lojtarë në gadishmëri të plotë që më përgjigjen, edhe kur duhet të luajnë vetëm 5 minutat e fundit. Kjo është forca ime.
Pas golit të Kielinit, shpërthyet në gëzim?
Po, sepse kjo fitore na duhej që të qetësoheshim pa mëri për pak ditë. Fundja, dy përballjet e radhës kundër Fiorentinës dhe Realit të Madridit mund të jenë udhëkryqi deciziv i sezonit tonë.
Alegri: Nëse kemi 8 pikë është vetëm faji im, Pirlo…
Masimiliano Alegri është shfaqur disi nervoz përpara kamerave të gazetarëve, sepse tani fillon të ndjejë presionin e renditjes së turpshme, ndonëse nuk kërkon ta shkarkojë askund përveçse te vetja këtë situatë. “Nëse kemi 8 pikë në renditje, do të thotë se kaq kemi merituar në fushën e lojës. E vërteta është që në këtë fillimsezoni paguajmë me gol çdo gabim që kryejmë në mbrojtje dhe kjo na i vështirëson gjithmonë e më shumë ndeshjet. E di që është diçka e vështirë, por unë nuk jam i shqetësuar për të ardhmen, ndonëse më duhet të pranoj se lojtarët nuk kanë asnjë faj, fajtori i vetëm për këtë krizë rezultatesh jam unë dhe asnjë tjetër. Paraqitja ishte e mirë, por kryem edhe disa gabime, të cilat Juventusi nuk na i fali. Gjithsesi, askush të mos bëjë gafë të dorëzohet, sepse kampionati është ende shumë i gjatë dhe kohë për të rikuperuar kemi shumë dhe do ia dalim të arrijmë objektivat tanë. Grushti i Meksesit? Nuk ishte një goditje në fytyrë mesa di unë, por as një faull për provë televizive, sepse goditje dhe përplasje të atilla në zonat e rreptësisë shihen pafund në çdo ndeshje. Ndaj, pranoj versionin e lojtarit tim dhe asnjë tjetër. Pirlo që largova na ndëshkoi? Ta keni të qartë njëherë e përgjithmonë që Andrean nuk e largova. Ai nuk la Milanin, sepse ishte një lojtar skarco, por për arsye të tjera që bëni mirë të pyesni atë. Do ta riktheja Pirlon? Askush, unë i pari nuk i vë në dyshim cilësitë e tij, mjafton të shohësh ndeshjen që bëri kundër nesh. Por edhe kjo është një pyetje që nuk më takon mua të jap përgjigje”, – tha pas ndeshjes trajneri 46-vjeçar i kuqezinjve.
Ja pse Mekses u ndëshkua me karton të kuq
Mbase shumë nuk e kuptuan gjatë ndeshjes, por Filip Mekses ka dalë me karton të kuq, pasi grumbulloi dy të verdha gjatë takimit. I pari erdhi në aksionin që solli golin e Xhovinkos, por dënimi erdhi pasi Roki lejoi avantazhin për bardhezinjtë. Ndërkohë, në minutën e 74-t vjen e verdha e dytë, për faull ndaj Xhovinkos dhe e kuqe. Fillimisht francezi dhe milanistët nuk e kuptojnë këtë vendim, por Roki ia sqaron që ndëshkimin e parë ia ka akorduar 5 minuta më parë, në rastin e golit të Xhovinkos. Por, përveç kësaj, 31-vjeçari do përballet me provën televizive, për grushtin në zonë ndaj Kielinit, i cili meritonte jo vetëm të kuqen direkte, por edhe penallti për të zotët e shtëpisë. Dënimi minimal pritet të jetë tri ndeshje që, së bashkë me të kuqen, mund të shkojë në katër. Gjithsesi, gjithçka do të saktësohet sot.
Shfryn Kielini - Ndërkohë, për këtë gjest, vëllai-menaxher i Kielinit nuk është kursyer në “Twitter”. “Çfarë burrë m…!”, – frazë që i drejtohet natyrisht Meksesit.
Përgatiti: