Shorti te henen, shqiptaret shpresojne tek goglat, pa serbet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Të hënën është “dita e së vërtetës” për Skënderbeun, Kukësin, Partizanin dhe Laçin. Një short që për skuadrat shqiptare pritet të jetë me dy fytyra për rrugën e tyre në Europë. Kështu për korçarët kampionë të vendit, shanset janë shumë të mëdha. Sepse për herë të parë, një skuadër nga vendi ynë e nis shortin nga vazoja e parë dhe ka mundësi që të ketë kundërshtarë të dobët, pak a shumë nga gjithë rajoni, ku nuk është se shquhet ndonjë ekip. Kundërshtarët e korçarëve janë si më poshtë: Sarajevo (Bosnjë), Ventspils (Letoni), Dila Gori (Gjeorgji), Trencin (Sllovaki), Zalgiris (Lituani), Astana (Kazakistan), Milsami (Moldavi), Rudar (Mali i Zi), Vardar (Maqedoni), Stjarnan (Islandë), Fola (Luksemburg), Dundalk (Irlandë) dhe Hibernians (Maltë).
Problemi më i madh për ekipet tona në Europa League, mbeten kundërshtarët e fortë. Mund të jenë të shumta skuadrat që mund të “hahen”, e të tjera që nuk mund të kalohen. Nëse korçarët janë goxha mirë në renditje dhe kuotim, në Europa League, gjërat për skuadrat shqiptare janë komplikuar jo pak. Përballë, tre ekipet shqiptare do të ketë skuadra të forta. Rreziku i parë është Uest Hem United. Anglezët kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në Europa League si një prej tre skuadrave më “fair-play” dhe do të nisin gjithçka nga turi i parë.
Përveç Uest Hemit, kundërshtarë të tjerë të fortë janë edhe Sherifi i Tiraspolit, Rosenborgu, Elfsborgu, Hajduku i Splitit, Apolloni i Limasolit, Omonia, Neftçi Baku, Go Ahed Eagles, apo edhe Brondby, Debreceni e Crvena Zvezda. Dhe të thuash që gjithmonë ekipet ndahen sipas territorit dhe pozitës gjeografike. Mesa është marrë veshm UEFA pritet të bllokojë edhe përballjet mes ekipeve shqiptare dhe atyre serbe. Shkak janë bërë ngjarjet e Beogradit, pasi nuk mund të tolerohen më histori si ato të 14 tetorit.
Në shortin e turit të parë do të marrin pjesë gjithsej 104 skuadra, të cilat do të ndahen në 52 çifte. Short i favorshëm për ekipet shqiptare do të konsiderohej vetëm nëse Partizani, Kukësi dhe Laçi përballen me skuadra nga vende të vogla, edhe pse kurbinasve u janë qepur gjithmonë ekipet luksemburgaze, apo të kuqve ekipe moldave, e kuksianëve skuadra nga Ish-Republikat e Bashkimit Sovjetik.
Historia e vjetshme? Skënderbeu vitin e parë në Champions është ndeshur me APOEL Nikosia, duke u mundur në të dyja ndeshjet, 0-2 në Korçë dhe 0-4 në Qipro. Sezonin e dytë është përballur me Debrecenin, teksa ka fituar ndeshjen e parë 1-0, por ka humbur në Hungari 0-3. Në vitin e tretë është ndeshur me Neftçi Baku në turin e dytë, duke barazuar 0-0 ndeshjen e parë në transfertë dhe fituar të dytën në kohën shtesë 1-0. Në turin tjetër ndeshet me Shahter të Kazakistanit, duke humbur takimin e parë në transfertë 0-3, ndërsa në kthim shënon 3 gola, por më pas pëson 2 dhe skualifikohet. Por fiton të drejtën për t’u ndeshur në “play-off” të Europa League, teksa përballet me Chernomorets Odesa të Ukrainës.
Mundet në takimin e parë 0-1 jashtë, fiton 1-0 ndeshjen e kthimit, humb me penallti të drejtën e pjesëmarrjes në grupe të këtij kompeticioni. Vitin e kaluar shorti e përballi me BATE Borisov. Sërish i pafat Skënderbeu, barazon 0-0 në Bjellorusi, ndërsa në kthim 1-1 dhe eliminohet. Laçi u kualifikua për në turin e dytë në Europa League, pasi mposhti Rudar Velenje të Sllovenisë në turin e parë. Gjithsesi në turin e dytë u eliminua nga ukrainasit e Zorias. Pas Laçit edhe Flamurtari kaloi në turin e dytë, vjet në Europa League. Ata u kualifikuan me gjeorgjianët e Sioni Bolnisit. Më pas vlonjatët nuk ia dolën me rumunët e Petrolul Ploieshti. Kukësi u dorëzua në "Qemal Stafa" përballë kazakëve të Kairat Almati. Verilindorët nuk arritën të përmbysnin shifrat në ndeshjen e kthimit dhe kështu nuk u kualifikuan. Kujtojmë që Kukësi, arriti të kalonte tri raunde, para dy sezonesh në Europa League, por që një ecuri e tillë të përsëritet, duhet që fati të përndjekë sërish skuadrat shqiptare.