Shkëmbi, nga emri i stadiumit, tek emri i stolit!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga GËZIM SINEMATI
E kërkon në fushë Bledi Shkëmbin dhe e gjen në një baner të tifozëve, në të cilin shprehet mirënjohja për kapitenin e tyre.
Kujton ditët e bukura me diell dhe gotat e mbushura me eufori, kur nga gjiri i familjes kampione lindi ideja për pagëzimin e stadiumit me emrin e tij. Një ide që nuk fitoi dot shumicën, siç duket, as pakicën që bënte lojën nga tribuna.
Kjo, ngaqë futbolli i sotëm nuk luhet vetëm mbi barin jeshil. Shkëmbi ishte i bukur për t'u parë në fushë, madje në një kampionat me mungesë inteligjence dukej sikur do të mbijetonte gjatë. Kjo edhe në sajë të gjenit të lindur.
Askush nuk mund të vinte bast se metamorfoza e tij do të ishte kaq e mbrapshtë: nga emri që do t'i vinin stadiumit, në emrin që i kanë vënë... stolit. Po të dëgjosh popullin, shpjegimi duket pak bindës: Josa nuk ka më nevojë për shërbimin e tij! Po të besosh fjalët që dalin nga vetë futbollistët, kapiteni është shpallur "i paaftë" nga presidenti Takaj.
Qoftë e vërtetë? Ajo që ngjet, nuk është fort e bukur: e kërkojmë në fushë dhe e gjejmë në baner. Ku ka gabuar kapiteni për të mos merituar as edhe një pjesë loje? Skënderbeu, edhe pse ka një histori të re si kampione, flitet se ka shumë sekrete.
Pale kur bëhet fjalë për prishje idili midis futbollistit më të pushtetshëm dhe njeriut të parave. Dy njerëz që kanë kombinuar mrekullisht, në të mirë dhe në të keqe të lojës, në atë që quhet identitet i klubit.
Dhe në një skuadër që ka shumë merak të shtiren si të lumtur, duke mbivlerë- suar pikët në krahasim me rivalët, duke shpërfillur moralin para milionave, ka shumë arsye reflektimi, sidomos kur cenohet vlera e mirënjohjes.
Një vit më parë, me zë të lartë, kampionët jepnin leksione për harmoninë dhe lumturinë kolektive. Tani, kur kanë më shumë para, duken se nuk e blejnë dot lumturinë...