E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sherr te Tërbuni, Haxho dhe Karakaçi grushte në tunel

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sherr te Tërbuni, Haxho dhe Karakaçi grushte në tunel

Është e pazakontë, por ja që ndodh edhe kështu. Kur nuk pritej, mes Eglant Haxhos dhe Abaz Karakaçit nis një përplasje. Edhe pse lojtarë të të njëjtit ekip, ata shfaqën shenja nervozizmi në lojë.terbuni Kjo detyroi kryesorin Emirjon Sino, në minutën e 87-të të lojës, t'i tregonte të dyve kartonin e verdhë. Pati debate dhe u mendua se gjithçka do të mbetej aty.

Por jo, e kundërta ngjau. Në mbyllje të krejt takimit, teksa po i drejtoheshin tunelit, mes portierit dhe kapitenit, i cili dje në fakt nuk mbante as shiritin (pasi i kishte kaluar Gerald Tushes), nisi një sherr, ku nuk mungoi as përplasja fizike.

Por menjëherë pas grushteve të para, kanë ndërhyrë forcat e rendit, që janë munduar që të sheshojnë situatën. Gjithçka duket e pakuptimtë në fakt, por nga sa mësohet të dy futbollistët nuk i kanë raportet fort të mira me njëri-tjetrin.

Shpeshherë janë kapur me fjalë duke evidentuar gabimet e tjetrit, në pasime apo pritje. Por, një gjë është e sigurt, që presioni i rënies nga kategoria dhe mbi të gjitha kriza financiare, e cila zgjat që prej nisjes së këtij sezoni, u ka rënduar edhe më shumë psikologjikisht futbollistëve të Tërbunit.

Dhe dje gjithçka ka arritur kulmin, teksa nuk kanë ngurruar që ta shfaqin hapur zemëratën që kanë mes tyre. Në sherrin e ndodhur në tunel ka ndërhyrë edhe trajneri Viktor Gjoni.

Dhe aty për aty ka qenë gardiani Haxho, i cili i ka thënë numrit një të stolit se donte ta takonte dhe do ta priste jashtë stadiumit. Dhe kjo ndodhi, sepse pas afro 30 minutash trajneri dhe portieri janë parë duke biseduar. Haxho duket tejet i irrituar, madje fliste me këmbë e me duar, ndërsa Gjoni është munduar që ta qetësojë.