Shënoi gol alla Ronaldo, Gega tregon suksesin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ecuria e kuçovarëve edhe në javët e para të fazës së dytë është pozitive, ku skuadra ka marrë maksimumin e mundshëm duke arritur katër fitore radhazi.
3-pikëshi i fundit është regjistruar ndaj Tepelenës, ku realisht kuçovarët kanë vuajtur jo pak, pasi në minutat e para të pjesës së dytë e kanë parë veten në disavantazh. Gjithsesi, reagimi i kuçovarëve pas disavantazhit ka qenë i menjëhershëm ku skuadra ka realizuar përmbysjen falë golave të Ardian Gegës dhe Romario Alushit.
Një sukses i vështirë, por tepër emocionues për Naftëtarin që vazhdon të kryesojë në grupin e tyre. Mesfushori Ardian Gega realizoi një eurogol. Ekzekutimi i tij ishte perfekt nga rreth 35 metra duke marrë një trajektore si në rastin e ekzekutimeve të goditjeve të dënimit nga Kristiano Ronaldo.
"Realisht, ishte një fitore e vështirë, por e merituar. Kemi pasur raste të mira për shënim, ku jemi ndëshkuar në një nga aksionet e pakta të kundërshtarit. Megjithatë, reaguam në mënyrën më të mirë të mundshme duke përmbysur shifrat. Pavarësisht se arritëm një fitore të vështirë, mendoj se i kemi kënaqur sportdashësit e zjarrtë kuçovarë.
Pa dyshim, nuk ka ndeshje të lehta, ku ne duhet të vlerësojmë maksimalisht të gjithë kundërshtarët e grupit tonë. Jemi të vendosur për t'u rikthyer në Kategorinë e Parë pa ndihmën e ndeshjes shtesë. Për sa i përket golit ndaj Tepelenës, i provoj shpesh ato gjuajtje nga goditjet standarde. Rezultoi perfekte dhe jam shumë i lumtur që e ndihmova skuadrën në këtë përballje", përfundon Gega.
Përgatiti: Arben Çepani