Shehi: Me penalltinë shleva golin, Takaj na karikoi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kapiteni i Skënder beut, Orges Shehi, pas ndeshjes për "Supersport" pohoi se ka mbetur i kënaqur nga barazimi, duke parë rrjedhën e lojës.
Me penalltinë e pritur ai pohoi se shleu gabimin te goli i parë, si dhe mohon faktin që të ketë probleme brenda skuadrës korçare.
Orges, keni barazuar në fund, ju kënaq pika?
Ishte një finale e vogël. E kishim vlerësuar shumë ndeshjen në këtë pikë që ka ardhur sezoni, sfidë rivalësh. Barazimi vlen shumë, aq më tepër kur vjen në minutat e fundit.
Në pjesën e parë ishit të tensionuar, kurse në të dytën më të lirshëm. Çfarë ndikoi?
Kemi pasur tension në pjesën e parë, por folëm me presidentin dhe ai na ndihmoi shumë. Takaj u fut në dhomat e zhveshjes në pushim të pjesës së parë dhe na tha: "Po ju shikoj në presion, luani lirshëm, tregoni veten, sido që të dalë ndeshja, nuk ndodh asgjë". Në pjesën e parë ishim pak të ngarkuar.
Me penalltinë e pritur u treguat shpëtimtari i Skënderbeut, duke parë si rrodhi ndeshja në fund...
Shleva gabimin. Pasi vërtet me pritjen e mbajta ekipin në lojë, por e pranoj që kam gabuar te goli i Partizanit. Ndiej keqardhje, nuk ishte ndonjë gjuajte e fortë, por ishte një moment që e nënvlerësova, sepse m'u duk sikur e zotërova topin. Ky është futbolli, edhe pse kam eksperiencë të madhe, na tregon herë pas here se asnjëherë nuk duhet humbur përqendrimi.
Goli i shpëtimit erdhi nga një mbrojtës, Vangjeli...
Më vjen mirë që golin e shënoi Vangjeli, e meritonte, sepse është personi më pozitiv te Skënderbeu. Vangjelin e qeras jo për golin, por për pozitivitetin që ka si lojtar.
Flitet për probleme të brendshme te Skënderbeu, mund të na sqaroni diçka?
Më shumë janë ekzagjerime mediatike, nuk ka asnjë problem. Natyrisht, duhet disiplinë dhe te ne ekziston dhe respektohet. Situata më shumë është amplifikuar. Nëse do të kishte probleme, do të kishte masa. Plaku u dënua vetëm dy ditë. Shkëmbi, përderisa është pjesë e jona dhe do të jetë, nuk ka shumë vend për komente të mëtejshme.
Por Shkëmbi ka deklaruar se do të ikë, nuk qëndron si mesfushor i gjashtë?
Ndoshta mund të jetë viti i fundit edhe i imi. E thëna me të bërën ndryshon.