Hoxha: Barazimi si humbje për ne, e dominuam plotësisht
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, ashtu si dhe pjesëtarët e tjerë të ekipit nuk e fsheh mërzinë për fitoren që u iku nga duart. Sipas portierit Hoxha, Partizani meritonte fitoren në këtë përballje me korçarët, pasi dominoi gjatë gjithë ndeshjes.
Hoxha e pranon se goli i pësuar ishte i evitueshëm, gjithsesi mendon se ka ende kohë që Partizani të rikuperojë në luftën për titullin kampion. "Rezultati përfundimtar i ndeshjes është një humbje e madhe për ne. Nuk e prisnim këtë gol në fund, prandaj barazimi vlen si një humbje për Partizanin.
E dominuam plotësisht ndeshjen, por futbolli kështu është, ka momente të mira dhe të këqija. Realisht pas kësaj ndeshjeje jemi në një situatë jo të pëlqyeshme, pasi humbëm një shans të mirë. Gjithsesi, përsëri ka ende kohë për të rikuperuar dhe për të mbajtur gjallë luftën për titullin kampion.
Goli i pësuar në fund ndoshta ishte i shmangshëm, por u bë një rrëmujë në zonë, kështu që edhe unë humba mundësinë e reagimit. Duhet të ishim më të përqendruar te krosimi, megjithatë, mendoj se goli i Skënderbeut erdhi nga një goditje dënimi për një faull që nuk ishte.
Penalltia e humbur? Nëse loja do të shkonte 2-0, do të ishim më ndryshe. Frika u shtua pas humbjes së penalltisë. Atë që ndodhi e shikoj si fatkeqësi, por futbolli të ndëshkon, prandaj dhe është kaq i bukur", u shpreh kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, pas barazimit 1-1 me Skënderbeun.
Portieri Hoxha nuk pati shumë punë në ndeshjen e djeshme. Ai në një rast u tregua shpëtimtar me ndërhyrjen e dytë, por në fund të ndeshjes, mbrojtja më e mirë e Superiores nuk arriti të ruante avantazhin. Kapiteni i kuq e konsideron si një mundësi të shpërdoruar nga Partizani, gjithsesi ata nuk janë dorëzuar, por kjo varet se çfarë ecurie do të ketë Skënderbeu, i cili është katër pikë para.