Raçiç kërkon falje dhe nuk prononcohet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndoshta po të kishte shënuar 11-metërshin, Partizani do të ishte tani një pikë larg vendit të parë dhe me një moral të lartë për të vazhduar përpara.
Megjithatë Stevan Raçiç gaboi dhe për këtë ka kërkuar menjëherë falje te stafi teknik në momentin e zëvendësimit, por edhe te tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit.
I përlotur, ai është përqafuar me ultrasit, duke mos u besuar as vetë syve për atë që ka ndodhur. Sulmuesi, gjithashtu, nuk ka pranuar të japë një deklaratë për mediat dhe interesimit të gazetarëve i është përgjigjur:
"Më falni, por nuk jam në gjendje", ndërkohë që largohej nga ambientet e stadiumit "Qemal Stafa" i mërzitur, edhe pse arriti të shënonte golin e barazimit.
Mungesa - Në ndeshjen e radhës që të kuqtë do të luajnë ndaj Teutës në transfertë, e cila do të jetë e fundit për fazën e tretë të kampionatit, Raçiç do të mungojë.
Kartoni i verdhë i marrë dje ka bërë që sulmuesi të plotësojë numrin dhe të jetë i penalizuar. Megjithatë për këtë takim rikthehet Xhevahir Sukaj, i cili kishte një dëmtim të lehtë në kofshë. Nuk dihet nëse mesfushori Mazrekaj do të jetë gati për përballjen me durrsakët