e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shehi: Partizani na qetësoi, titullin e mbyllim këtë muaj

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shehi: Partizani na qetësoi, titullin e mbyllim këtë muaj

Orges Shehi mendon se Skënderbeu do të mbyllë llogaritë për titullin e radhës brenda këtij muaji. Portieri, i cili mban edhe shiritin e kapitenit, gjatë një interviste për "Panorama Sport" ka theksuar se barazimi i Partizanit në Vlorë e qetësoi edhe më shumë skuadrën korçare. shehiPër portierin që shkëlqeu në Kukës, edhe pse Skënderbeu pësoi humbje, diferenca duhet të thellohet akoma edhe më shumë, me qëllim që kampionati të mbyllet sa më shpejt matematikisht. Shehi nuk do që të komentojë besimin që kanë te Partizani për rikuperimin e pikëve, por gjithsesi nuk ngurron të ironizojë: "Rivali na sheh nga poshtë".

Orges, duke parë edhe barazimin e Partizanit në Vlorë, mund të quhet e pranueshme humbja në Kukës?

Nuk mund të them kështu, pasi humbja gjithmonë është një rezultat negativ. Askujt nuk i pëlqen të humbasë, për më tepër në atë mënyrë që humbëm ne në Kukës.

Gjithsesi, rivali më i afërt nuk u afrua me 3 pikë...?

Përderisa kundërshtari ynë direkt nuk përfitoi nga një ndalesë e jona, natyrisht që na erdhi mirë. Kjo na qetë- soi, sepse pesë pikë diferencë janë më mirë se tre. Por, kampionati i tillë është i formuar dhe normalisht që ndikojnë edhe rezultatet e ekipeve të tjera.

Si e keni gjykuar atë takim të humbur në Kukës, çfarë nuk shkoi?

Nuk mendoj se kemi luajtur keq në atë takim. Jemi munduar që të bëjmë më të mirën, por jemi ndëshkuar në një episod të vetëm dhe, më pas, kemi dominuar takimin. Kemi tentuar që të shënojmë dhe nëse do ta kishim bërë një gjë të tillë, tani do të ishim duke folur ndryshe.

Pa Salihin në fushë sulmi po has vështirësi. Kaq i varur është Skënderbeu nga shkodrani?

Normalisht, sepse kur mungon sulmuesi kryesor i ekipit, ka ndikim. Salihi është pika jonë e referimit në sulm dhe një lojtar që të gjithë ia dimë vlerat. Por, nuk dua të kërkoj alibi në këtë moment. Sigurisht që me Salihin në fushë të gjithë jemi më të qetë dhe më të fortë.

Diferencën me Partizanin e shikoni komode apo duhet thelluar më tepër për të pasur siguri?

Sigurisht që do të ishte mirë që nga java në javë diferenca të thellohej akoma edhe më shumë, për ta mbyllur sa më shpejt kampionatin. Megjithatë, 5 pikë diferencë janë një komoditet për ne, pasi jemi më të qetë.Asgjë nuk ka mbaruar, përderisa matematika na mban ende në lojë. Ne duhet të kemi respekt për të gjithë kundërshtarët dhe të luajmë të përqendruar në çdo takim.

Ndihet presioni për vazhdimësinë në skuadër?

Skënderbeu asnjëherë nuk ka luajtur nën presion, por edhe nëse mund të kemi qenë, e kemi përballuar si duhet. Mbeten edhe shtatë javë dhe janë ende 21 pikë në lojë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Muaji prill, sikundër ka qenë edhe vitet e tjera, edhe këtë vit do të jetë decizivi për ne.

Mendoni se e mbyllni çështjen e titullit brenda këtij muaji?

Ky muaj ka qenë gjithmonë i yni dhe mendoj se kështu do të jetë edhe këtë vit. Kemi bërë gjithmonë mirë në prill dhe kemi mbyllur kampionatin, prandaj duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar që do të kemi përballë për të siguruar matematikisht titullin.

Ju pret një ndeshje e lehtë ndaj Tërbunit...?

Me të vërtetë këtë javë do të kemi përballë Tërbunin e vendit të fundit, që mund ta quajmë një kundërshtar të lehtë në letër, por që duhet kujdes. Tërbuni është një ekip "fair-play" që, nëse e nënvlerëson, të hapë mjaft probleme. Duhet të respektojmë kundërshtarin fillimisht e më pas të marrim një fitore nga ky takim.

Në këto javë të mbetura cila do të jetë ndeshja përcaktuese për titullin?

Nuk mund të them një gjë të tillë, pasi jo gjithçka varet nga ne, por edhe nga rivali ynë për titull. Unë do t'i quaja të gjitha takimet përcaktuese për fatin e kampionatit. Më së shumti ndeshjet në transfertë, që janë të një shkalle më të lartë vështirësie, por që gjithsesi të gjitha janë të rëndësishme.

Trajneri i Partizanit, por edhe drejtori i këtij klubi besojnë ende te titulli dhe theksojnë se Skënderbeu mund të ndalet. Ju si i gjykoni këto komente?

Nuk dua të komentoj llogaritë e rivalëve tanë, por të përqendrohem vetëm tek ekipi im dhe të shohim vetëm punën tonë. Çdo ekip bën llogaritë e veta dhe askush nuk mund të gjykojë llogaritë e tjetrit.

Megjithatë, tek të kuqtë ka optimizëm se pesë pikë mund të rikuperohen lehtë ndaj Skënderbeut të thyeshëm?

Shikoni, ne jemi në vend të parë dhe nuk mund të flasim për rikuperim, pasi nuk kemi çfarë të rikuperojmë. I shohim të tjerët nga lart-poshtë, prandaj këtë gjë e mendojnë të tjerët. Rivali na sheh nga poshtë, pasi janë ata që kanë për të rikuperuar pikë.

Përgatiti: Llazi Saro