Flamurtari, frikë nga aleancat dhe gjyqtarët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te Flamurtari u druhen aleancave dhe gjyqtarëve në këtë fundkampionati. Të bindur se me skuadrën që kanë s'e diskutojnë qëndrimin në Superiore, sërish në klubin vlonjat ndiejnë se mund të ketë faktorë kundër tyre.
Drejtori sportiv Vangjel Laluci mendon se lufta për mbijetesë është bërë shumë intriguese dhe aleancat mes skuadrave mund të ndikojnë jo pak.
"Gara e ekipeve të fundit të tabelës së klasifikimit, por edhe e skuadrave në pjesën e sipërme, është futur në një rreth shumë intrigues. Nuk e dimë se çfarë aleancash do të krijohen, por ne si Flamurtar do të luajmë vetëm në mënyrë të drejtë. Ndihemi të fortë dhe kemi besimin që do të qëndrojmë në kategori. Ne mund të fitojmë me çdo skuadër që kemi përballë. Në këto kushte, nuk bën përjashtim as transferta në Laç.
Do të shkojmë të bindur për të marrë pikë", deklaron fillimisht Laluci për "Panorama Sport". Më pas, ai flet për gjyqtarët, të cilët sipas tij e kanë bërë baltë me gabimet ndaj Flamurtarit.
"Arbitrat shpesh na kanë dëmtuar. Ne kemi folur, kemi protestuar, por kaq është forca jonë. Ne jemi shumë të pakënaqur me vendimet e gjyqtarëve në përgjithësi. Ata kanë vendosur të na dëmtojnë me sa duket. Jam dëshmitar në të gjitha ndeshjet dhe ka pasur gjëra të papëlqyera dhe flagrante. Deri këtu është forca jonë, nuk kam çfarë të them më shumë", u shpreh drejtori i klubit vlonjat. Apeli për lojtarët Vangjel Laluci u bënë thirrje futbollistëve të jenë me këmbë në tokë deri në fund. Ai thekson se Flamurtari nuk duhet të jetë euforik pas barazimit me të kuqtë.
"Performanca e ekipit ishte e mirë në ndeshjen me Partizanin. Në pjesën e parë ne luajtëm më mirë dhe nga mënyra se si rrodhi takimi jam i kënaqur, pasi mund të mos i merrnim edhe ato pikë. Gjatë javës është punuar me qëllim që të fitohej ndeshja, por në ato kushte barazimi ka vlerën e fitores. Ne jemi në një situatë që na duhet pika dhe, nëse do të vetëkënaqemi, do të bënim një gabim të madh. Në rast se themi se barazuam me Partizanin dhe jemi OK, gabojmë shumë. Çdo ndeshje për ne vlen shumë, pasi jemi në finish. Nuk kemi më kohë, kanë mbetur vetëm 6 ndeshje dhe jemi në situatë shumë të vështirë".
Përgatiti: ERMAL SIKA