e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shaqiri falenderon Presidenten Jahjaga

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shaqiri falenderon Presidenten Jahjaga

 Futbollisti i Bajernit të Munihut dhe i përfaqësuese së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e ka falënderuar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila e ka dekoruar me Titullin Ambasador Nderi i Kosovës.

Në letrën e tij drejtuar Presidentes dhe drejtuesve të institucioneve tjera të Kosovës, Shaqiri ka shprehur kënasqësinë për vlerësimin e tij dhe të sportistëve kosovarë, të cilët e afirmojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në letrën e Shaqirit thuhet:

“Shkelqësia juaj zonja Presidente,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Kosova si vend relativisht i vogël dhe shtet i ri, është me fat që nga gjiri i saj po nxjerr talentë të rrallë në shumë sporte, me të cilët krenohet jo vetëm vendi dhe kombi ynë, por edhe sportdashësit anekënd globit. Ata, tashmë, po e mahnitin botën me sukseset dhe me talentin e tyre, duke u shndërruar kështu në idhuj, jo vetëm në vendet ku e zhvillojnë karrierën e tyre sportive por edhe përtej tyre. Të tillë kemi sot jashtëzakonisht shumë nëpër botë, si në sportet individuale po ashtu edhe në ato ekipore, të cilët me punën, përkushtimin dhe talentin e tyre, po e nderojnë dhe afirmojnë si askush tjetër vendin tonë në arenën ndërkombëtare.

Jam i lumtur që edhe unë  jam një pjesë e vogël e asaj armate të madhe të sporistëve tanë meritorë nëpër botë dhe kjo mirënjohje u dedikohet të gjithë atyre vajzave dhe djemve shqiptarë anembanë botës, të cilët, me vullnet dhe përkushtim, përmes sportit, arrijnë të afirmojnë potencialin dhe vlerat tona më të çmuara.

Prandaj, me rastin e pranimit të kësaj dekorate nga institucioni më i lartë i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që në emër të të dekoruarve dhe në emër të të gjithë sportistëve shqiptarë, kudo që ndodhen ata, ta falënderoj nga zemra Presidenten e Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, dhe përmes saj edhe mbarë popullin dhe institucionet e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme për ne dhe kolegët e mi gjithandej…!

Urojmë që Institucionet relevante në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë të bëjnë më shumë për sportin dhe sportistët, në mënyrë që talentët e lindur sportivë ta gjejnë edhe rrugën e suksesit!

FALEMINDERIT, FALEMINDERIT, FALEMINDERIT!

Thank You! Danke! Grand Mercie! Grazie!

Me respekt

Xherdan Shaqiri

Titulli Ambasador Nderi i Kosovës u jepet personaliteteve që japin kontribut për afirmimin e Kosovës dhe të interesave të saj në botë.

Presidentja Jahjaga, me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit të shpalljes së Pacvarësisë së Kosovës, përveç Xherdan Shaqirit, ka nderuar me këtë titull edhe tre futbollistë të tjerë: Adnan Januzajn, Granit Xhakën dhe Valon Behramin.