e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Perfundon aventura shqiptare ne Soci 2014

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Perfundon aventura shqiptare ne Soci 2014

Mbyllet përpara kohe gara e skiatores Suela Mëhilli në Olimpiadën e Soçit. 20-vjeçarja nga Vlora nuk arriti dot të futej as në manshin e dytë të garës përmbyllëse të Lojërave të 22 Dimërore, që ishte gara e sllallomit. Në Resortin Alpin Rosa Khutor, Suela Mëhilli konkurroi me numrin 80 dhe e përshkoi itinerarin e detyruar të kësaj disipline me kohën modeste 1’10”05, kohë që është plot 17”38 më e ngadaltë sesa ajo e lideres provizore të garës, adoleshentes së talentuar amerikane Mikaela Shiffrin, sidoqoftë skiatorja shqiptare humbi afërsisht 8” që në sektorin e parë të kronometruar. Koha e Mëhillit ishte 1’10”05 dhe do të kishte mjaftuar për ta renditur përkohësisht atë në pozicionin e 56-të, megjithatë vlen të theksohet se pas zbritjes së parë në provën e sllallomit vetëm 60 skiatore regjistruan kohë.

Gjithsej, në këtë garë, morën pjesë 88 skiatore dhe 28 prej tyre nuk u futën fare në manshin e dytë të kësaj disipline. Suela Mëhilli, së bashku me 24-vjeçaren gjermane Kristina Geiger në fund të provës hapëse u skualifikuan nga gjyqtarja e garës, pasi nuk kaluan siç duhet portat e detyruara, ndërsa tre skiatore nuk zbritën fare në pistë. Kjo ishte gara e dytë për të në Olimpiadën e Soçit pasi Suela Mëhilli ditën e martë mori pjesë edhe në garën e sllallomit gjigant, garë që në fund u fitua nga sllovenia Tina Maze. Koha e përgjithshme e skiatores veterane ishte 2’36”87, ndërsa 20-vjeçarja vlonjate në atë garë u pozicionua në vendin e 60-të, me plot 0.5’ diferencë. Në fund, pavarësisht rezultateve tepër modeste në këto dy gara, pjesëmarrja e Suela Mëhillit në Lojërat e Soçit konsiderohet pozitive për faktin se ajo është e para sportiste femër që përfaqëson vendin tonë në një Olimpiadë Dimërore.

Shqipëria përfaqësohej në Soçi 2014 edhe nga skiatori Erjon Tola, i cili nuk mundi të paraqitej në asnjë garë, pasi u dëmtua gjatë një stërvitjeje në palestër. 27-vjeçari u dëmtua në parakrahun e majtë dhe iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Kjo olimpiadë dimërore ishte e treta në karrierë për Erjon Tolën, i cili e ka përfaqësuar Shqipërinë më parë në Olimpiadën e Torinos (2006) dhe të Vankuverit (2010).