e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shameti: Moçka fatsjellësi im, këtë vit fitojmë Kupën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shameti: Moçka fatsjellësi im, këtë vit fitojmë Kupën

Ylli Shameti theu tersin e traversave, duke shënuar ndaj Teutës në ndeshjen e dytë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ndoshta golin më të rëndësishëm në këto tre sezone për Kukësin.ylli shameti Mbrojtësi gjirokastrit, në një intervistë për "Panorama Sport", tregon për ngërçin që ka pasur, teksa goli i ishte kthyer në makth.

Bashkë me kapitenin Renato Malota, ai ishte ndër më të mirët në fushë, duke konfirmuar se mbetet një siguri e madhe në mbrojtjen e skuadrës verilindore.

Mbrojtësi Shameti shpreson që kjo ecuri e Kukësit do të vazhdojë deri në fund të sezonit. Ai thekson se ka ardhur momenti që pas dy finaleve të humbura, Kukësi të fitojë për herë të parë Kupën e Shqipërisë, pikërisht këtë edicion.

Shameti, shënuat golin e parë, në një kohë që një ditë para ndeshjes parashikuat se do të bënit diçka të tillë me një postim në "Facebook"?

Është e vërtetë, pasi prisja prej kohësh të shënoja me fanellën e Kukësit. Kisha shumë besim dhe e parandieja se do të ndodhte një gjë e tillë ndaj Teutës.

Pse pikërisht ndaj Teutës e kishit këtë parandiejnë?

Është një koincidencë e bukur, por, në fakt, portieri Moçka më sjell shumë fat. Edhe në sezonet e kaluara i kam shënuar kur ka qenë pjesë e Flamurtarit. Fillimisht, në kampionat godita shtyllën ndaj Teutës, por për Kupë ishte dita ime dhe e ndieja që do të shënoja.

Ju ishte bërë makth shënimi i golit?

Realisht më ishte kthyer në makth, pasi kam krijuar shumë raste dhe nuk kam pasur fat të shënoj. Në disa ndeshje, traversat më kanë penguar, ndërsa në disa sfida të tjera kam qenë thjesht i pafat. Tashmë tersi u thye.

Keni ndonjë dedikim special për golin?

Goli shkon si dhuratë për bashkëshorten. Ia kisha premtuar para ndeshjes dhe fatmirësisht shënova.

Në goditjet standarde dilni shpesh në sulm, bashkë me Malotën. Tashmë që thyet tersin e golave, mendoni se do të shënoni sërish me Kukësin?

Uroj që të shënoj sa më shumë për të ndihmuar ekipin dhe t'i jap sa më shumë pikë. Uroj që paralelisht me punën time të kem edhe pak fat, që me thënë të drejtën më ka munguar gjatë kohëve të fundit.

Gjithsesi, ndaj Teutës vuajtët jo pak...

Të gjitha ndeshjet kanë specifikat e tyre. Me këdo e kemi të vështirë, për më tepër në këtë moment të sezonit. E rëndësishme është që ne arritëm ta përmbysim rezultatin dhe të kualifikohemi. Ishte thjesht një detyrë që ne duhet ta realizonim, por shpresojmë që ky takim të jetë kthesa për vijimin e rezultateve pozitive të Kukësit.

Kjo fitore dhe ky kualifikim erdhi nga golat e dy mbrojtësve. Mendoni se ky repart po kthehet në pikën më të fortë të skuadrës?

Jo, pika më e fortë e Kukësit është grupi, pavarësisht se unë dhe Malota shënuam. Në ndeshje të tjera do të jetë radha e sulmuesve, detyra jonë është të mbrojmë dhe sulmojmë mirë si skuadër

Me afrimet në merkaton e dimrit, a është më i fuqishëm Kukësi?

Afrimet janë kualitative, por mendoj se duhet ende kohë të ambientohen me grupin. Çdo ndeshje që kalon, na bën më të fortë. Na kanë munguar rezultatet, ndërsa harmonia në grup ka qenë gjithmonë prezente. Së bashku me lojërat e bukura, duhet të marrim edhe pikët.

Keni humbur dy finale Kupe, është ky viti i duhur?

Rruga është ende e gjatë dhe e vështirë. Me këmbë në tokë shohim përpara, por unë besoj se nuk do të dalim pa trofe.

Si e shikoni ndeshjen e radhës me Partizanin?

Është ndeshje e vështirë, shkojmë për rezultat pozitiv, si dhe për të vazhduar këtë moment të mirë që po kalojmë si ekip.

Ju mjafton një barazim në Tiranë?

Partizani ka një ekip që ka marrë rezultate të mira, jo më kot qëndrojnë në vend të dytë. Do të jetë ndeshje e luftuar dhe uroj që në fund buzëqeshja të jetë për ne.

Ju druheni të kuqve, ju kanë mundur dy herë?

Aspak, ne shkojmë të bëjmë lojën tonë dhe nuk i kemi frikë fare. Kukësi ka rival vetëm vetveten, gjithnjë nëse del në lojën e tij, ashtu siç ne dimë. Nëse do të kemi pak fat, s'ka ekip që na del përpara.

Çfarë mendoni për objektivin në kampionat, Tirana tashmë është + 6 pikë?

Duhet t'i marrim ndeshjet një e nga një dhe të fitojmë sa më shumë pikë, sepse lojërat e bukura i kemi zhvilluar. Kampionati është i gjatë, do të synojmë Europën edhe nga kampionati pa dyshim.