e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Serbi-Shqiperi, vijojne perplasjet mes federatave

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Serbi-Shqiperi, vijojne perplasjet mes federatave

Siguria e tifozëve shqiptarë për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të luhet më 14 tetor në Beograd, vijon të mbetet një problem i madh për fqinjët tanë ballkanikë. Federata Serbe e Futbollit përmes një komunikate zyrtare ka vijuar me qëndrimin e saj, ku i kërkon qeverisë shqiptare të futbollit identifikimin e tifozëve shqiptarë që do të udhëtojnë drejt Beogradit. Lidhur me këtë deklaratë të palës serbe ka folur vetëm

komisioneri për sigurinë i Federatës Serbe të Futbollit, Mirko Milivoj. Sipas tij, një nga problemet kryesore që po haset në krijimin e kushteve të sigurisë është refuzimi i Federatës Shqiptare të Futbollit të pranojë kërkesat për identifikimin e tifozëve që do të udhëtojnë drejt Serbisë, ndërsa shtoi se problem mbetet dhe fakti i pranisë së tifozëve shqiptarë nga Kosova në Beograd. Po ashtu Milivoj theksoi se, nëse FSHF nuk paraqet listën e emrave të tifozëve shqiptarë, prania e tyre do të jetë e vështirë. “Nëse deri të premten Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të dërgojë emrat dhe mbiemrat e bartësve të biletave, çka është një kusht në përputhje me rregullat e UEFA-s, atëherë do të diskutojmë me autoritetet shtetërore mbi vlerësimin e sigurisë dhe do të nxjerrim konkluzione. Po ashtu, jemi duke marrë të gjitha masat me qëllim që të parandalohen incidente të mundshme edhe nga tifozët serbë. Kontrollet gjatë hyrjes në stadium do të jenë tepër rigoroze. Nëse dikush vjen me mendjen për të djegur flamurin e kombëtares mike, ata do të arrestohen, do të dërgohet në prokurori dhe pastaj në burg. Të infiltruar në radhët e tifozëve në stadium do të jenë oficerë civilë të policisë, që do të përpiqen për të ndaluar ndonjë marrëzi.”, ka thënë Milivoj për mediat serbe.