Pergatitjet anti-Danimarke, kuqezinjte i bashkohen nismes 'Jo duhanit!'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kuqezinjtë kanë filluar zyrtarisht përgatitjet për sfidën ndaj Danimarkës. Skuadra e drejtuar nga tekniku italian Gianni De Biazi është grumbulluar mbrëmjen e së hënës në një resort në Durrës, ndërsa mëngjesin e djeshëm kanë filluar përgatitjet e para në fushë dhe sipas programit të paraqitur nga De Biazi, skuadra do të zhvillojë dy seanca stërvitore në ditë, të paktën të martën dhe të mërkurën, kur do të luajë një miqësore, ndërsa të enjten dhe të premten, vetëm një herë në ditë.
Mëngjesi i parë i grumbullimit nisi herët. Zgjimi u bë në orën 7 të mëngjesit. Fillimisht mëngjesi, më tej në orën 9:30 skuadra u paraqit në fushën e futbollit pranë resortit për të realizuar një takim me De Biazin dhe më pas takimin e parë me topin. Stafi mjekësor nga krahu tjetër bëri verifikimet e nevojshme mbi formën e lojtarëve të grumbulluar. Në seancën e parë Giani De Biazi ka patur në dispozicion 25 lojtarë, për shkak të mungesave të Shkëlzen Gashit dhe Odise Roshit.
Nëse dëmtimi i sulmuesit të Bazel ishte një surprizë e ditës së fundit, për mesfushorin gjithçka ishte parashikuar, prandaj dhe De Biazi dhe stafi i tij kanë vendosur që Roshi të qëndrojë në Gjermani, ku dhe do të vazhdojë rikuperimin me shpresën që të jetë i gatshëm për sfidën e 14 tetorit në Beograd kundër Serbisë. Seancat e para stërvitore kanë qenë të lehta sa i përket ngarkesës fizike, kjo edhe për faktin se shumë prej tyre vijnë pas impenjimit me skuadrat në fundjavën e shkuar. Për të përgatitur në mënyrën më të mirë sfidën e ardhshme në grupin I, De Biazi ka izoluar skuadrën, ndërsa edhe daljet përpara mediave të lojtarëve janë të programuara.
Në përfundim të seancës së parë stërvitore, kuqezinjtë i kanë dhënë bekimin e tyre nismës së Ministrisë së Shëndetësisë “Jo duhanit!”. Skuadra e De Biazit rreth mesditës, në orën 11:30 është përshëndetur nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ministri Beqaj, i shoqëruar nga zv.ministri Klodian Rjepaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda dhe drejtues e punonjës të tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor, vizituan skuadrën, falenderuan atë për mbështetjen dhe i uruan suksese në rrugëtimin e tyre. “Dëshiroj të falenderoj Ekipin Kombëtar të futbollit që pranoi ftesën tonë dhe iu bashkua nismës “Shqipëria Jo Duhanit!”.
Ne besojmë se mbrojtja e shëndetit nga duhanpirja është një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor, por pa dyshim të Ministrisë së Shëndetësisë”, – tha ministri Beqaj. Ai ndër të tjera shtoi se “është shumë e rëndësishme të promovojmë tek të rinjtë sportin”. Pas kësaj ishte momenti i pushimit dhe në orën 17:30 skuadra u mblodh për të zhvilluar seancën e dytë stërvitore. Ndër siguritë më të mëdha të De Biazit në këtë takim, sipas burimeve të gazetës pranë përfaqësueses kombëtare është pikërisht portieri Ertrit Berisha. Gardiani i portës së Lacios në Serinë A italiane, edhe pse ka humbur formacionin është një garanci për kuqezinjtë. Në sulm i vetmi emër që jep garanci për momentin është ai i Bekim Balës.