Sancez i jep leksion Anglise ne 'Uembli'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Anglia merr një leksion shembullor nga Kili, në fazën “përgatitore” për Kupën e Botës. Edhe pse në vitin 2013 “luanët” e Hoxhsonit nuk kishin njohur asnjë disfatë, e para erdhi në stadiumin mitik të “Uemblit”. Mjaftoi Aleksis Sançez për të thyer 2-0 kundërshtarin, i cili mori si “dhuratë” vërshëllimat e tifozëve të tyre në fund të sfidës.
Ndeshja – Hoxhson vendosi të eksperimentojë, duke hedhur që nga minuta e parë debutuesit Rodrigez e Lalana në sulm, ndërsa Forster zuri vendin e Ian Hartit në portë. E megjithatë mjaftuan vetëm shtatë minuta për të shpërqendruar vendësit. Pas një krosimi nga e majtë, Aleksis goditi bukur me kokë dhe mposhti gardianin anglez që në gjuajtjen e parë në kuadrat. U deshën 30 minuta lojë që “luanët” të merrnin veten dhe të ishin më të qartë në aksionet e tyre. Gjithsesi, Uejn Runi nuk arriti të bënte diferencën dhe të përshtatej si duhet me partnerët e rinj të repartit të avancuar. Rodrigez vështirë se do ketë edhe një mundësi tjetër në dispozicion për të luajtur titullar, ndërkohë që Lalana arriti të ishte mjaftueshëm i zhdërvjelltë në lojën e tij, për të qenë ende pjesë e planeve të trajnerit. Njëkohësisht, Forster nuk bëri mjaftueshëm për të dhënë garanci.
Edhe pse kilianët u munduan të ruajnë avantazhin për pjesën më të madhe të lojës, me një mbrojtje kompakte dhe aksione me shumë pasime, anglezët e mbyllën ndeshjen me dy gola të pësuar. Saktësisht në sekondat e fundit, ishte sërish Aleksis Sançez që i vetëm përballë gardianit të Sëlltikut e dërgoi topin në rrjetë me një klas të jashtëzakonshëm, duke e gjuajtur në formë parabël. Edhe pse nuk është fundi i botës dhe as fundi i Kupës së Botës, tifozët e pranishëm në “Uembli” e pritën mjaft keq disfatën në shtëpi, duke reaguar ashpër ndaj lojtarëve të tyre. Nga ana tjetër, Kili tregoi maturinë dhe një shpejtësi “frikësuese” në kundërsulme, e cila duket se është edhe pika e dobët e mbrojtësve anglezë…
“I merituam sharjet e tifozëve anglezë”
Roj Hoxhson nuk ka vendosur që t’i mbrojë lojtarët e tij pas humbjes në shtëpi, madje u ka dhënë të drejtë tifozëve që i vërshëllyen dhe shanë në fund të takimit. “Nëse mundesh në fushën tënde, nuk ke asnjë justifikim për të mos pranuar kritikat e tifozëve. Ata kanë të drejtë që reaguan në atë formë. Kili luajti më mirë dhe e meritoi suksesin”, – deklaroi trajneri i Anglisë. “Është e vështirë të marrësh mësime nga një humbje e tillë. Ne thjesht duhet të përmirësojmë ndjeshëm lojën tonë, pasi nuk mund të paraqitemi kurrsesi në këtë mënyrë në Kupën e Botës. Do të ishte katastrofike”, – shtoi Hoxhson.