Samer: Shaqiri super lojtar, titullar sezonin tjeter
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Drejtori sportiv i Bajernit të Mynihut, Matias Samer, ka deklaruar se Xherdan Shaqiri është një nga mesfushorët me më shumë potencial në skuadër. Drejtuesi i lartë i bavarezëve nuk sheh asnjë arsye pse ata duhet ta shesin lojtarin, ndaj e largon atë përfundimisht nga merkatoja e verës. 22-vjeçai nuk ka luajtur shumë për shkak të dëmtimeve që ka pësuar, por Samer është i bindur se lojtari do të jetë gati dhe në formë të mirë për sezonin e ri. “Të gjithë në ekip jemi të mendimit se Shaqiri është një super lojtar. Ai është vetëm 22 vjeç dhe ka fituar shumë trofe.
Aftësitë e tij teknike janë shumë të mira dhe është një lojtar që punon shumë për të ruajtur formën e tij”, ka thënë Matias Samer. Pas përfundimit të sezonit pati shumë skuadra që shprehën interesimin e tyre për Shaqirin. Mes tyre Juventusi dhe Liverpuli insistuan më shumë, por përgjigja e Bajernit ishte e prerë se lojtari nuk është në shitje. “Shaqiri ka dy vite që luan me ne dhe tani e njeh mjaft mirë skuadrën dhe mentalitetin e saj.
Ai e ka të qartë se si duhet të luaj. Lojtari kërkon më shumë minuta në fushë dhe ne jemi gati t’ja japim në momentin që ai të rikuperohet plotësisht dhe të gjejë ritmin e duhur”, ka deklaruar Matias Samer. 22-vjeçari u ble nga Jup Hejnkes për të zëvendësuar Frenk Riberinë në momentet që ky i fundit nuk do kishte mundësi të luante dhe në shumë raste e ka justifikuar shumë mirë besimin që i kanë dhënë drejtuesit e klubit.
Qëndrimi i Guardiolës
Që në momentin që mori drejtimin e Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola e tha qartë se Xherdan Shaqiri është pjesë e planeve të tij. Mesfushori përshtatet lehtë me skemat e lojës së spanjollit, pasi është shumë i lëvizshëm në fushë. Gjithsesi, kjo nuk i pengoi mediat të shkruanin për një largim të lojtarit nga Bajerni gjatë verës. Aktualisht Shaqiri është pjesë e Zvicrës në finalet e Brazil 2014 dhe 22-vjeçari konsiderohet ylli i kombëtares. “E rëndësishme është që ne nuk duhet të bëjmë ndryshime të mëdha për ta pasur Shaqirin në formacion. Ai e njeh mirë filozofinë tonë të lojës dhe nuk ka dyshime se do luaj më shumë gjatë sezonit tjetër”, e ka mbyllur deklaratën e tij Matias Samer. Zyrtari i lartë i Bajernit e ka lënë të hapur mundësinë që gjatë merkatos së verës të ketë disa afrime të tjera në radhët e kampionëve gjermanë, por gjithçka do të varet nga dëshirat dhe prioritet e trajnerit Pep Guardiola.