'Rally Albania' 2014, se shpejti nis aventura
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E çuditshme apo jo, Shqipëria e ka ndërtuar reputacionin sfidues dhe tërheqës mes qindra garuesve që kanë marrë pjesë në edicionet e përvitshme të “Rally Albania”.
Karakteristikat specifike gjeografike kanë joshur konkurrentët dhe kanë inkurajuar edhe organizatorët të provojnë sfida të reja sportive. Risitë do të vazhdojnë edhe për këtë edicion me faza maratonë që do të përfshijnë të gjitha kategoritë. Starti “off road” do të nisë në 7 qershor 2014.
Ekipi organizator, i cili ka mbajtur gjeometrinë e grackave në fazat e shkuara, ka prezantuar ndërkohë edhe terrenet e reja, shumë të ndryshme nga ato të edicionit të 2013. Duke kontrolluar garën përgjatë dhjetë viteve, organizatori dhe menaxheri sportiv, Edvin Kasimati konfirmoi se ky vit është viti i surprizave dhe grackave: “Ky edicion do ketë të veçantë numrin e pjesëmarrësve, gjatësinë e trajektores dhe disa zona të reja, siç është zona e Lurës”.
“Të 150 garuesit, mes tyre edhe shqiptarë, do të kenë rastin të përballen me njëri - tjetrin”, – thotë Kazimati. Ai konfirmon se gjatësia e garës është 2100 km, e gjitha kjo e shtrirë në 6 ditë me zonat e reja midis Ersekës dhe Frashërit. “Kemi një etapë të gjatë Peshkopi –Orikum, e cila do shkojë 600 km e do jetë dhe etapa më e vështirë. Një etapë maratonë rezistence, e cila mendohet të zgjasë 14 deri në 16 orë”. Veç terreneve të paeksploruara, këtë vit si në çdo garë tjetër simotër në botë “Rally Albania” do të ketë “Life tracking”, e cila do tregojë në kohë reale vendndodhjen e çdo garuesi. Të marrësh pjesë në “Rally Albania” është një përvojë unike. Një kërcim i guximshëm drejt së panjohurës, ku aromat e padukshme të ardhura nga e gjithë bota reflektojnë edhe qëllimin e saj, kulturor, turistik, historik. Tani koha për të folur ka mbaruar sepse të gjithë po merren me përgatitjet e fundit për këtë aventurë fantastike.
Ky i këtij viti është edicioni i 10-të i ‘Rally Albania’ në vendin tonë dhe ky jubile ka shtyrë organizatorët të përgatisin surpriza të shumta për fansat e këtij sporti.