SPECIALE/ Formacioni me tapi, ja cilët lojtarë luajnë më shumë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Është luajtur më shumë se gjysma e kampionatit në Superiore, plot 21 takime. Në vend të parë në klasifikim vijon të qëndrojë Skënderbeu, kampion i pesë viteve të fundit, por cilët janë "kampionët" e aktivizimeve, ata që ia kanë dalë mbi të tjerët për të pasur më shumë minuta në këmbët e tyre.
Një vëzhgim i hollësishëm i "Panorama Sport" ju jep një pasqyrë të qartë rreth skuadrës titullare të minutave të luajtura deri më tani, duke mos lënë mënjanë edhe lojtarët e stolit.
Ekipi me më shumë titullarë është Kukësi, me katër të tillë, ndërkohë që Skënderbeu nuk përfaqësohet nga asnjë futbollist, as në stolin e rezervave.
Janë pesë lojtarë që janë aktivizuar në të gjitha ndeshjet deri më tani, me vetëm tre prej tyre në formacion dhe një në pankinë, ndërkohë që Gilman Lika, edhe pse ka luajtur në 21 takime, nuk i ka minutat e mjaftueshme për të qenë as në stol.
Interesante janë edhe golat e këtij formacioni, ku të gjithë së bashku kanë realizuar 17-të të tillë, një më pak sesa golashënuesi i kampionatit, Hamdi Salihi.
Jo vetëm kaq, por goleador është një mbrojtës, Gentian Muça, me katër të tillë, ndërsa në stol golashënues është Artur Magani.
Në këtë formacion janë dy portierë me minuta të barabarta në këmbët e tyre, Ervis Koçi i Kukësit dhe Argent Halili i Flamurtarit. Këta "gardianë" janë aktivizuar në të gjitha takimet dhe janë të vetmit që i kanë minutat e plota, plot 1980, duke mos munguar për asnjë sekondë në këtë kampionat.
Për hir të renditjes së ekipeve dhe golave të pësuar, vendin e titullarit e merr Koçi, ndërsa Halili qëndron në stol.
Mbrojtësit
Një betejë e fortë për një vend titullari në këtë formacion ka në repartin e mbrojtjes. Ata që e kanë të sigurt një vend janë Gledi Mici dhe Genian Muça, pasi askush si ata në prapavijë nuk ka luajtur 1800 minuta në 20 takime.
Mbrojtësit e Kukësit dhe Tiranës kanë munguar në vetëm një ndeshje këtë sezon dhe nuk janë zëvendësuar asnjëherë në takimet që kanë zhvilluar.
Ky repart plotësohet me Stipe Buljan të Laçit në qendër me Muçën, me plot 1771 minuta në këmbët e tij. Nga ana tjetër, krahu i djathtë i mbrojtjes i takon Arbnor Fejzullahut, teksa është aktivizuar në 1752 minuta gjatë këtij kampionati.
Nuk ia del të ketë një vend titullari në prapavijë Blerim Kotobelli, i cili, edhe pse është aktivizuar në 1772 minuta, në krahun e majtë vendi është i "blinduar" nga Mici.
Mesfushorët
Në këtë formacion, mesi i fushës është i përbërë nga tre futbollistë, të cilët vijnë nga skuadra të ndryshme. Krahu i djathtë i këtij reparti është "pronë" e Olsi Gocajt, me plot 1779 minuta në 20 takime.
Qendra e saj do t'i takojë mesfushorit të Partizanit, Lorenc Trashit, me 1691 minuta të luajtura deri më tani. Ky repart do të kompletohet nga futbollisti kosovar i Kukësit, Besar Musolli, me plot 1700 minuta në Superligën e këtij sezoni.
Duhet thënë se vetëm për pak minuta nuk ia del që të jetë në këtë formacion Erando Karabeci i Tiranës, duke përfunduar në stol.
Sulmuesit
Ajo që bie në sy në repartin e avancuar ka të bëjë me faktin se kemi një japonez, një brazilian dhe një shkodran, dhe që të tre nuk janë sulmues tipikë, por luajnë paksa të tërhequr.
Kështu, Flores i Kukësit është aktivizuar në të gjitha sfidat e këtij sezoni në plot 1888 minuta dhe ka shënuar tre gola.
Së bashku me të, një vend titullari ka fituar edhe Fukui i Tiranës, me plot 1625 minuta dhe ka shënuar dy gola.
Plotëson këtë repart Ndriçim Shtubina i Vllaznisë, me 1694 minuta dhe dy rrjeta të realizuara. Interesant është fakti se shënuesi më i mirë me 5 gola, Artur Magani, qëndron në stol, ku edhe pse është aktivizuar në të 21 sfidat e këtij sezoni, nuk ka në këmbët e tij më shumë se 1538 minuta në fushë.
VLADIMIR MEMA

