Ruci: Ky Flamurtar është i goditur psikologjikisht
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vasil Ruci mendon se Flamurtari ka nevojë për terapi psikologjike. Në një intervistë për "Panorama Sport", ish-trajneri dhe ish-sulmuesi shigjeton sërish arbitrat për vendime jo të drejta. Ruci flet edhe për Kombëtaren shqiptare, që, sipas tij, do të bëjë surprizën në Francë.
Si e vlerësoni ndeshjen që Flamurtari zhvilloi në Durrës?
Më në fund gjendet një arbitër shqiptar, që gjykon mirë, por sërish nuk jep një penallti. Ky është arbitrimi në Shqipëri.
Sërish keni ankesa për gjykimin?
E përsëris. Më në fund u gjet një arbitër shqiptar që gjykon mirë, por prapë nuk na jep një penallti.
Jeni i kënaqur me çfarë dha ekipi në fushë?
Më pëlqeu ajo që ekipi dha në fushë. Luajti mirë ndaj Teutës dhe mendoj se skuadra e meritonte të fitonte.
Mendoni se Flamurtari qëndron në Superiore në fund të sezonit?
Patjetër që Flamurtari do të qëndrojë.
Të mërkurën luhet Kupa. Si e shikoni përballjen me Kukësin?
Do ta shikojmë të mërkurën, por patjetër që do të jetë e vështirë si ndeshje.
Sipas Vasil Rucit, çfarë nuk shkon te Flamurtari?
Ekipi ka nevojë për psikologji. Flamurtari duhet të rritet, pasi për këtë i ka të gjitha mundësitë dhe shanset për të fituar Kupën e Shqipërisë, si dhe për të qëndruar në Superiore. Lojtarët janë të ngarkuar psikologjikisht, pasi kanë ngarkesën e kategorisë. Por cilësitë e tyre janë shumë të mira.
Të kalojmë te kuqezinjtë e De Biazit. Si e shikoni ekipin kombëtar?
Me Kombëtaren tonë në Francë do të habiten të gjithë. Shqipëria do të bëjë surprizën e Europianit. Arsyeja është e thjeshtë. Nëse lojtarët tanë do të dinë ta vlerësojnë se çfarë futbolli kanë në këmbët e tyre, duke u ballafaquar me ekipet e tjera kombëtare. Unë jam i bindur se jemi të barabartë. Rëndësi në Europian do të kenë dy faktorë: Duhet të vlerësojmë kundërshtarët, si dhe faktori kundërshtar, i cili do të na vlerësojë ne. Dhe ne do të jemi surpriza e kampionatit europian.
Si e vlerësoni punën e trajnerit De Biazi?
Në përgjithësi, ne shqiptarët nuk i bëjmë dot punët tona dhe duhet që me patjetër të na i bëjnë të huajt. Nëse nuk do të ishte De Biazi, nuk do të kishim ekip kombëtar dhe nuk do të ishim kualifikuar. Pra, trajneri ka një meritë të jashtëzakonshme.
Mendoni se De Biazi duhet të qëndrojë në krye të Kombëtares?
Duhet ta mbajmë De Biazin. Nuk shtrohet pyetja duhet të qëndrojë. Nëse do të qëndrojë apo jo, nuk është në dorën tonë.
Cili është krahasimi mes Kombëtares së sotme dhe asaj të kohës suaj?
Janë gjëra shumë të ndryshme. Kombëtarja aktuale është e përbërë prej profesionistëve. Kombëtarja jonë ka qenë amatore, por që luanin si profesionistë. Faktorët e tjerë të ndikuar nga sistemi dhe nga shumë gjëra të tjera e bënin atë ekip me cilësi brenda në fushë dhe pa frymë kolektiviteti. Pra, luhej futboll profesionistësh, pa shpërblim profesionistësh. Ka ndryshime të mëdha dhe nuk mund të krahasohen.
Jeni shprehur se keni qenë i persekutuar. Pse?
Kam thënë në një intervistë për "Panorama Sport" se nëse do të flisnim për mua dhe të bënim krahasime, duke parë statistikat e mia, besoj se do të dalin shumë njerëz të humbur. Por nuk dua që t'i hyj kësaj pune për arsye se sot është koha të mendojmë më ndryshe, jemi më të mëdhenj në moshë dhe e vetmja gjë që kemi shmangur nga karakteri ynë është egoizmi. Duhet të jemi më të thjeshtë dhe me këmbë në tokë. Por edhe një herë po e them, që, nëse do t'u hyjmë statistikave, shumë njerëz në Shqipëri të asaj kohe do të dilnin të humbur.
Për cilën e keni fjalën?
Për rezultatet brenda në fushë. Për rezultatet e mia, krahasuar me të tjerët, por edhe të kohës së sotme. Do të dalin shumë të humbur. Por nuk dua që t'i futem kësaj pune, pasi e njëjta gjë që më mungon tani është egoizmi.