e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rubio: Nëse fiton Tirana, do të jetë bomba e kampionatit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rubio: Nëse fiton Tirana, do të jetë bomba e kampionatit

rubioHulian Rubio Sançez është pa dyshim trajneri më i suksesshëm i Tiranës në vitet e fundit. Në vetëm 13 muaj, ai siguroi një Kupë dhe dy Superkupa dhe që prej asaj kohe bardheblutë kanë qenë shumë larg trofeve. Dhe në fakt këto suksese për koincidencë i ka arritur ndaj të njëjtit kundërshtar, Skënderbeut.

Ekip më të cilin kryeqytetasit do të ndeshen sot për kampionat. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për "Panorama Sport" tekniku spanjoll i bën "skanerin" ish-ekipit, teksa nuk heziton që të vlerësojë punën e Ilir Dajës.

Shmang dhënien e këshillave, ndërsa sqaron se në futboll nuk ka formula fikse për të mposhtur një kundërshtar. Megjithatë, ai mendon se një fitore e Tiranës në Korçë do të përkthehej me një vend të sigurt në Europë dhe një "bombë" për kampionatin.

Mister, e keni ndjekur Tiranën këtë sezon?

Një trajner është gjithnjë i azhornuar për futbollin dhe sigurisht që unë e ndjek Tiranën dhe kampionatin shqiptar.

Ju jeni trajneri i fundit që i keni dhënë trofe Tiranës. Sa duhet të presë ky klub që t'i rikthehet suksesit?

Tirana duhet të punojë shumë dhe për një kohë të gjatë, vetëm kështu vjen suksesi. Tani duket se ka parà dhe alternativat për të gjetur futbollistë të mirë nuk mungojnë, kritere këto që përshpejtojnë marrjen e një trofeu. Por, edhe këtë vit u eliminuan nga Kupa dhe, për më tepër, janë 11 pikë larg nga vendi i parë që është zaptuar nga Skënderbeu. Tashmë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të zënë një vend të mirë në tabelë dhe të jenë në Europë.

Tirana luan me Skënderbeun nesër (sot), atje ku ju keni fituar tri finale. Ka ndonjë formulë për ta mposhtur këtë rival?

Formulë?! Jo, formulë nuk ka. Çdo gjë është e bazuar në mentalitetin e punës dhe te bindja për të arritur atë që do. Ne trajnerët duhet të jemi disi të ngjashëm me psikologët në fakt, pasi ka raste që logjika e një lojtari shkon mbi punën fizike apo atë teknike.

Tirana po drejtohet nga Ilir Daja prej javësh. Si e vlerësoni punën e tij?

Po, sigurisht që e kam ndjekur. Pastaj, e njoh prej kohësh, qëkur unë isha në Shqipëri.

A ka ndryshuar ekipi me atë në krye?

Grupi ka ndryshuar dhe ka cilësi më të madhe. Mund të konkurrojë për të qenë më lart, kanë mundësitë që të aspirojnë për gjithçka. Duket që Ilir Daja është duke punuar mirë, ndonëse për të parë rezultatet, duhet disi kohë, të cilat shpresoj që t'i ketë. Pastaj rezultatet nuk vijnë me magji.

Meqenëse ky vit iku, çfarë duhet bërë ndryshe sezonin tjetër?

Vitin tjetër duhet të ndërtohet një ekip me mentalitet fituesi, për ta përjashtuar Skënderbeun nga gara dhe marrë titullin. Mirëpo, që të arrihet kjo, duhet një punë e madhe dhe mirorganizim, duke filluar nga presidenti dhe stafi i tij, të cilët nuk duhet të jenë kurrë nervozë dhe të mos veprojnë në nxitimthi. Dhe sigurisht që trajneri duhet të dijë ta bëjë i qetë punën e tij, pa rekomandimet që mund të vijnë nga jashtë klubit.

A do t'i jepni një këshillë Dajës para këtij dueli delikat?

Një trajner nuk duhet që të japë kurrë këshilla për një tjetër, pasi do të quhej ndryshe si "futje hundësh". Nuk është aspak elegante kjo, ndaj po e shmang. Thjesht dua që t'i uroj shumë fat.

Tirana shkon në Korçë me mungesa. A do të ndihen, kur dihet që përballë ka një ekip shumë të konsoliduar?

Kur disa nuk janë gati, atëherë do përdoren të tjerët që janë në dispozicion. Për këtë është organika e gjerë dhe e fortë. Shpresoj që të rikthehen shpejt dhe të jenë më të fortë se në fillim, pasi entuziazmi dhe dëshira sigurisht që rritet kur ke një grup më të plotë.

Duke parë garën e Tiranës deri në javën e 21-të, mendoni se do ta arrijnë Europën?

Teuta dhe Kukësi do ta vënë ndjeshëm në vështirësi. Ndaj duhet që të luftojnë fort edhe me ato. Meqenëse përmenda Kukësin, dua të përgëzoj Klodian Duron, ish-lojtarin tim, i cili tashmë është trajner. E përqafoj dhe i uroj shumë fat në këtë pozicion të ri.

Nëse marrin pikët e plota në Korçë, një vend në zonën "Euro" do të ishte më pranë, apo do të komprometonin edhe këtë objektiv?

Nëse Tirana fiton në Korçë, do t'i japë një goditje të madhe kampionatit, do të ishte si një bombë për kundërshtarët, që dashur pa dashur do viheshin nën presion. Gjithsesi, sezoni është ende i gjatë, ka shumë javë për t'u luajtur. Gjithçka mund të ndodhë.

Titulli do të mbetet në Korçë, apo edhe Partizanin e shihni si një pretendent për kampionatin?

Skënderbeu mendoj se është një hap përpara të gjithëve, por Partizani e Tirana janë duke punuar mjaft mirë dhe së bashku po e bëjnë garën edhe më të bukur.

Krahasuar me kohën kur ju ishit te Tirana, mendoni se është rritur futbolli shqiptar?

Janë një hap përpara sa i përket mentalitetit dhe mbështetjes që po marrin, në raport me punën jo edhe aq.

Kombëtarja e Shqipërisë do të jetë në Francë, besoni se mund të befasojnë në kampionatin europian?

Po, po. Shqipëria ka evoluar shumë dhe mendoj se ka dorë të madhe trajneri. Ndaj kam bindjen se mund të bëjnë befasinë në Francë. Më pëlqen sesi ai punon dhe besoj se do arrijë që t'i hapë punë çdo kundërshtari, të paktën kështu shpresoj që të ndodhë.

Shqipëria është në një grup me Spanjën në eliminatoret për Kupën e Botës. Mendoni se do të jetë një kundërshtar i lehtë për Spanjën tuaj?

Nuk ka kundërshtarë të lehtë, kurrë do të thosha. Çdo ndeshje duhet të luhet, madje "të voglat" në letër janë gjithnjë aty për të trembur.

E fundit, me çfarë po merreni aktualisht?

Vazhdoj të jem i lidhur shumë me futbollin, ofertat nuk më kanë munguar, ndonëse ende nuk ka ardhur ajo që unë dua. Jam gjithnjë gati për të rimarrë detyrën në fushë, por vetëm për një projekt serioz dhe ambicioz.