e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rrogat në ajër, Karakaçi u kërkon falje tifozëve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rrogat në ajër, Karakaçi u kërkon falje tifozëve

Tërbuni vazhdon përgatitjet për transfertën e Kukësit, por problemet dhe peripecitë janë nga më të shumtat te skuadra pukjane. karakaciLojtarët po mundohen të japin më të mirën, ndonëse nuk janë paguar që prej 7 muajsh. Gjithçka përballohet nga familjarët e lojtarëve, por edhe nga trajneri Gjoni.

Vonesat e fundit kanë ardhur për shkak se Prefektura Shkodër ende nuk e ka lëvruar fondin që ka miratuar Bashkia Pukë për ekipin në fillim të këtij viti.

Kapiteni i ekipit të Tërbunit, Abaz Karakaçi, pohoi se ndaj Vllaznisë ekipi nuk ka toleruar dhe gjen rastin që t'u kërkojë falje tifozëve pukjanë për paraqitjen që bënë në ndeshjen e fundit.

"Unë i kërkoj ndjesë tifozërisë që u zhgënjye nga kjo ndeshje. Ekipi ka ardhur në ngritje, pavarësisht humbjes me Vllazninë, ku ne u munduam të bëjmë një tjetër lojë të bukur.

Kemi qenë të angazhuar fort për këtë takim, por në fund nuk arritëm të realizojmë qëllimin. Tani jemi fokusuar maksimalisht te ndeshja me Kukësin, ku shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv, pasi e kemi treguar forcën tonë ndaj Partizanit apo Flamurtarit.

Ekipi është në gjendje të mirë, prandaj ju them që ta kalojnë këtë humbje dhe të bëjmë të pamundurën që të qëndrojmë në Superiore. Tërbuni ende ka shpresa për të mbijetuar, kështu për asnjë arsye nuk e konsiderojmë vetën të zbritur një kategori më poshtë.

Shpresojmë që duke nisur nga sfida e radhës me Kukësin dhe deri në fund të marrim pikët që na nevojiten për të mbijetuar", u shpreh kapiteni i Tërbunit, Abaz Karakaçi.

Përgatiti:Ditmir Pema