e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Duart lart

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duart lart

saimir demiNga SAIMIR DEMI

Të ngresh një dorë sa herë që ta kërkojnë do të thotë që ke mirësinë të miratosh gjithçka që të kërkohet, ndërsa t'i ngresh të dy duart, je thjesht i dorëzuar pa kushte. Prej kohësh në Federatën Shqiptare të Futbollit është punuar fort për ta unifikuar kuptimin e këtyre dy gjesteve dhe ia kanë arritur teorikisht, por edhe në praktikë.

Pjesa më e madhe e drejtuesve të klubeve, pjesëmarrës në Asamblenë e së mërkurës, janë ata që në më të shumtën e rasteve shfryjnë për mënyrën se si funksionon institucioni që drejton futbollin në Shqipëri, duke mos lënë rast pa e treguar me gisht në ambiente të mbyllura, apo nëpërmjet faqeve të gazetave dhe ekraneve të televizioneve.

Janë ata që thërrasin për korrupsion, për favorizime të dikujt në disfavor të dikujt tjetër, për trukime ndeshjesh, për manipulime me urdhër nga lart dhe për gjithfarë aferash. Të jesh në ndonjë lokal me personazhe të tillë, në ato momente të "së vërtetës" që nuk janë të pakta, nuk ka se si të mos vihesh në siklet nga tonet e ashpra.

Apo edhe në ndonjë studio televizive, ku pasi çuditesh nga monologë të mbushur plot me argumente, fillon të besosh se më në fund dolën disa që kanë kurajën të vënë pikat mbi "i".

Por, në fakt, nuk ka arsye për t'u çuditur më, që sa herë vjen Asambleja, e zakonshme ose jo, janë po të njëjtët gërnjarë që ngrenë një dorë, të dyja, apo ngrihen fare në këmbë për të miratuar gjithçka që propozohet nga podiumi, madje edhe pa lexuar fare tekstet e formateve A4 që kanë përpara.

Edhe të mërkurën ishte e njëjta histori. U fol nga titullarët për një edicion pothuajse të pastruar nga trukimet dhe pothuajse të gjithë tundën kokën si kinezë, megjithëse ankohen privatisht javë pas jave. U fol për financat dhe e njëjta indiferencë nga salla, megjithëse më shumë se gjysma e atyre që janë në krye të klubeve, prej muajsh nuk kanë mundësi të paguajnë as ata fukarenjtë që korrin barin e fushave.

U fol për arbitrat dhe asnjë zë kundër, megjithëse i mallkojnë nga mëngjesi deri në darkë dhe një pjesë e tyre janë shpallur zyrtarisht "non grata" nga disa klube në të njëjtën kohë. Dhe, në fund, të gjithë u larguan me nga një puro në dorë, apo me cigare më të lehta, për të bërë sërish prepotentin në ndonjë lokal apo studio televizive.

Nuk e di nëse është mendim i përgjithshëm, por personalisht jam i bindur se personazhi më pozitiv i këtij futbolli që ekziston në Shqipëri është Armand Duka, pikërisht ai për të cilin këta nuk lënë gjë pa thënë nëpër tavolina dhe e puthin në publik.

Arsyet për të arritur në këtë përfundim janë dy dhe shumë të thjeshta: Së pari është i vetmi që është i drejtpërdrejtë, sepse gjithçka e thotë në tribunë përballë të gjithëve dhe, së dyti, është më i sinqerti, pasi ato që paraqet i ka përpiluar me koshiencë dhe kështu që nuk ka arsye për t'i bërë gjërat kulisave, por në të kundërt shfrytëzon më së miri ambientin që i ka krijuar komoditetin për të qenë gjithmonë transparent.

Dhe votohet pothuajse unanimisht duke përmirësuar çdo radhë rekordin e tij personal. Vetëm se këto nuk janë Asamble, por përsëritja e një megaturpi. Si mund të qëndrojnë si manekinë aktorët më të rëndësishëm të futbollit dhe pikërisht në vendin e fjalës?

Po vetëm Edmond Hasanbelliu është shumë pak për të thënë pa drojë se njerëzit që nuk kanë lidhje me këtë sport, ose me aftësi shumë të kufizuara, kanë mbushur të gjithë sektorët drejtues. Po a nuk është fare pak vetëm zëri i Hasanbelliut, kur edhe Ylli Shehun e Andrea Markon që nuk kanë ndërruar kurrë fanellë i vlerësojnë si ish të Tiranës?

Kur një ish-polic do të merret me etikën dhe kjo Asamble e votoi duke lënë jashtë listës Hito Hitajn? Si ka mundësi që drejtuesi i një klubi periferik nuk ka durim të dëgjojë deri në fund Tahir Kastratin, i cili po fliste për sektorin më të rëndësishëm, atë të arbitrave dhe e ndërpret me duartrokitje ironike?

Si mund të jetë normale që, pas një fushate denigrimi të punës së De Biazit, e filluar nga një zëdhënëse shtypi në FSHF dhe vazhduar nga drejtues në FSHF e anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, të cilët meritën e kualifikimit për në "Euro 2016" ia dedikonin kryesisht presidentit, të mërkurën e dekoruan me "Nderi i Kombit në Futboll", njëlloj si Refik Resnjen dhe Mikel Jankun, të cilët këtij futbollit tonë i kushtuan jetën?

Po pse kaq të kursyer në vlerësime mirënjohje, kur mund të gjesh personalitete nga Shkodra në Gjirokastër, në Vlorën e Barcelonës, të cilët nuk e meritojnë të injorohen, pa në motivacion le të kishin shkruar që kanë luajtur me Lushnjën?

Këto po që nuk i kuptoj, por që nesër do të fillojnë të bëjnë përsëri qametin, aq sa do të krijojnë përshtypjen në publik që Duka i ka ditët e numëruara këtë e parashikoj.

"Mbreti vdiq, rroftë mbreti" dhe në Asamblenë e radhës do të zgjidhet po i njëjti... sepse Armando është realisht më i miri nga të gjithë këta dhe e meriton 100% këtë status.