Rrëfehet shefi i gjyqtarëve: Ju tregoj presionin e klubeve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tahir Kastrati është gati të largohet nëse klubet e Superiores nuk e duan në krye të Komitetit të Arbitrave. Një ditë pasi klubi i Teutës i kërkoi FSHF-së të shkarkojë Kastratin, vetë shefi i gjyqtarëve ka reaguar për "Panorama Sport".
Ai mohoi të jetë bërë pjesë e ndonjë afere, ndërsa tregoi se si klubet vendosin nën presion arbitrat para ndeshjeve.
Kastrati komentoi edhe rastin më të fundit në ndeshjen Kukësi-Teuta, ku durrsakët pretenduan se goli i dytë duhej anuluar. Për këto çështje, por jo vetëm, ja si u shpreh anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë, që prej vitesh drejton sektorin e arbitrave:
Zoti Kastrati, klubi i Teutës ka kërkuar shkarkimin tuaj nga detyra e shefit të gjyqtarëve, duke renditur tri pika si argumente ndaj punës që keni bërë deri më tani në këtë sektor. Cili është reagimi juaj?
Çdo klub është anëtar i FSHF-së dhe i lind e drejta të bëjë propozimet e veta. Me të drejtë ose me pa të drejtë, këto janë arsye që i gjykojnë vetë klubet dhe natyrisht kërkesat i shqyrtojnë organet e federatës që merren me këto probleme. Gjithsesi, dua ta cilësoj si një nervozizëm të çastit këtë qëndrim të klubit të Teutës.
Më konkretisht, klubi durrsak ka ngritur dyshime të forta për caktimin e arbitrave...
Dua të sqaroj për korrektësi atë që ka ndodhur, e cila ka qenë e ndikuar nga ndeshja e fundit. Personalisht, për aq sa drejtoj këtë sektor, nuk kam pasur asnjë problem në përgjithësi me klubet dhe në veçanti me Teutën e Durrësit. Sa i përket ankesës për ndeshjen e fundit, ju konfirmoj se të dyja palët, si Kukësi dhe Teuta, ishin dakord që takimi të gjykohej nga ata arbitra. Tashmë, vjen një moment që është shumë i diskutueshëm dhe thikë me dy presa, pasi secila palë do të protestonte nëse i ndodhte. Kësisoj, mendoj se në gjaknxehtësi e sipër, ndoshta ata e kanë gjykuar që të kërkojnë shkarkimin tim. Gjithsesi, kjo është e drejtë e tyre dhe nuk ka asgjë të keqe.
Ju mohoni çdo pretendim të ngritur kundër punës suaj?
Unë jam i pastër në punën që bëj dhe kam raporte korrekte me këdo anëtar të FSHF-së. E thashë edhe më lart, në përgjithësi marrëdhëniet e mia me të gjitha klubet janë zyrtare dhe institucionale. Nuk jam pjesë e asnjë afere me klube, individë, trajnerë apo drejtues. Unë jam i hapur dhe pres vërejtje apo sugjerime nga drejtuesit e klubeve.
Po nëse shumica e tyre nuk ju do më në krye të gjyqtarëve?
Shikoni, po të jetë nevoja, nëse unë me të vërtetë jam shkaktar i një situate të keqe me arbitrat, atëherë largohem, pasi nuk jam i pazëvendësueshëm në këtë pozicion.
Jemi në një moment ku gara për kampionat dhe Kupë po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Po e ndieni presionin për detyrën që keni dhe për më tepër që arbitrat po sulmohen thuajse çdo javë nga klubet?
Nuk më pëlqejnë këto gjëra, jam nga ata njerëz që toleroj dhe i amortizoj problemet, jo t'i komplikoj. Megjithatë, edhe pas ndeshjes ndaj Kukësit, presidenti i Teutës më ka telefonuar, duke shprehur nervozizmin me një ton jo korrekt. Kjo nuk është e denjë, por e kam mirëkuptuar ndoshta për ndjesinë e momentit. Gjithsesi, i jam përgjigjur normalisht, duke mbyllur bisedën dhe i kërkuar që të mos më telefonojë më pas këtij reagimi.
Gjatë kësaj periudhe, keni marrë ndonjë kërcënim nga drejtues klubesh sa u përket arbitrave?
Nuk mund të akuzoj asnjë drejtues klubi për kërcënime. Gjithsesi, presione të formave nga më të ndryshmet kam pasur. Kanë qenë telefonata përmes personave indirektë, por edhe presion i ardhur prej deklaratave në media. Gjithsesi, nuk janë këto shqetësime për mua dhe s'dua që të hiperbolizohen.
OK, por cilat janë realisht shqetësimet tuaja?
Drejtuesit e klubeve duhet të jenë korrektë së pari në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Janë pikërisht këta drejtues që akuzojnë arbitra dhe janë po të njëjtët që i duan. Nëse flasim për arbitra të korruptueshëm ose të pakorruptueshëm, atëherë është logjike që nga vetë këta aktorë të korruptohen. Gjithsesi, dua ta përsëris se unë nuk jam pjesë e asnjë afere. Me një korrektësi të madhe jam munduar të ndërtoj marrëdhënie të mira me çdo klub. Pastaj, nëse flasim për cilësi arbitrimi është diç- ka tjetër, që nuk bëhet me një të rënë të shkopit. Gjërat në këtë fundsezoni sa vijnë dhe agravohen, tensioni rritet në skuadra dhe kjo kërkon qetë- si e kujdes nga arbitrat, por gjithashtu nga të gjithë aktorët e tjerë që mund të jenë ndihmës në këtë rast. Pa u caktuar ende arbitri, klubet e paragjykojnë. Ato në shumicën e rasteve u paraprijnë një presioni psikologjik tek arbitri. Mendojnë se duke vepruar kështu, mund të ndikojnë në ecurinë e gjykimit, duke përfituar nga ndonjë favorizim i mundshëm.
Duke iu rikthyer rastit në ndeshjen Kukësi-Teuta 2-0, jeni i ndërgjegjshëm se vendimet e arbitrit ndikuan direkt në rezultat?
Këtu ka subjektivizëm. Kur ndodhin momente të diskutueshme, secila palë i interpreton sipas interesit të vet dhe është e njëanshme në vlerësimin e situatave. Megjithatë, ky nuk është një rast bardhezi, por që merr diskutim. Raste të tilla do të ndodhin, kështu që çdo gjë duhet të shikohet me qetësi. Nuk mund të themi pse ndodhi në një ndeshje të tillë kaq delikate. Nëse me të vërtetë një gjë e tillë bëhet vazhdë dhe unë qenkam kryesori që udhëhiqkam këtë, atëherë edhe unë nuk jam kundër verdikteve apo propozimeve të klubeve. Nëse anëtarët e FSHF-së mendojnë se jam "delja e zezë", atëherë i mirëpres dhe s'ka asnjë problem.
Keni pasur ndonjë rast së fundmi për gjyqtarë të korruptuar apo që vetë klubet e kanë denoncuar dhe ju e keni hetuar?
I mirëpres këto raste, por asnjëherë nuk kanë ardhur të denoncojnë. Unë u kam kërkuar klubeve vazhdimisht që të bashkëpunojnë, duke evidentuar rastet që gjyqtarët janë pjesë e aferave të ndryshme. Nëse vetë klubet evidentojnë një rast të tillë dhe aq më keq të dyshojnë për afera, unë jam një njeri që di të hap rrugën me qetësi.
Skënderbeu ka kërkuar që të mos arbitrohet nga gjyqtarë të Tiranës në rastet kur përballet me skuadra të kryeqytetit. A ka një vendim përfundimtar për këtë precedent?
Klubi i Skënderbeut ka bërë një kërkesë objektive, por gjithsesi kur ne kemi caktuar arbitra të kolegjiumit të Tiranës, kemi menduar për të më të mirën. Argumenti ynë është se kemi më shumë arbitra në kryeqytet dhe prandaj kemi vepruar ashtu, pasi mundësitë kanë qenë të pakta. Edhe ata që mbajnë stemën e FIFA-s, dy janë të kolegjiumit të Tiranës. E mira është që në përballjet e Skënderbeut me skuadra të kryeqytetit që të mos ketë arbitra nga Tirana, por siç e thashë kemi qenë të kushtëzuar. Në çdo vend të Europës, nuk mund të gjykoj një arbitër skuadrën e qytetit nga vjen. Për shembull, asnjë arbitër nga Madridi nuk ka gjykuar kurrë një ndeshje të Realit.
Cili është apeli juaj për klubet sa i përket vazhdimësisë së garës?
Apeli është që drejtuesit dhe trajnerët të merren me ekipet e tyre dhe të lënë të qetë gjyqtarët. Të punojnë për të përgatitur skuadrat dhe jo të merren me arbitrat, duke i paragjykuar rëndom. Nuk duhet të nxisin tensionet, pasi edhe lojtarët kur dëgjojnë se arbitri paragjykohet nga drejtuesit, hyjnë në fushë të nervozuar. Si rrjedhojë, ndëshkohen me kartonë dhe dëmtojnë skuadrën. Kjo nuk është aspak në interes të klubeve nëse vazhdojnë paragjykojnë. Ne si sektor i arbitrimit do të bëjmë maksimumin e mundshëm për të qenë sa më korrekt. Ndonjëherë korrektësia është edhe rastësi. Gjithsesi, nuk ka asnjë rast që komiteti i arbitrave që unë drejtoj të jetë bërë palë me ndonjë klub për të ndihmuar apo dëmtuar dikë tjetër.