e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fagu voton për barazim: Shënojnë Salihi e Muzaka

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fagu voton për barazim: Shënojnë Salihi e Muzaka

Erbim Fagu parashikon "X" në Korçë. Ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Skënderbeut, tashmë në rolin e trajnerit për skuadrat e moshave, në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport" i bën një analizë të detajuar ndeshjes që luhet të hënën.
fagu Ai e cilëson këtë përballje tejet delikate për vetë objektivat që kanë klubet, ndërsa paralajmëron se takimi do të vendoset nga Salihi dhe Muzaka.

Si "ish" i Skënderbeut dhe Tiranës, si e parashikon Fagu ndeshjen e së hënës?

Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e gjitha për t'u shijuar, duke parë edhe pozitat që kanë të dy ekipet. Skënderbeu lufton për të blinduar kreun, ndërsa Tirana vendin e tretë. Është një duel me rëndësi, ku do të vendosin kualitetet.

Dhe, kush ka më shumë kualitete...?

Skënderbeu, duhet pranuar kjo gjë. Prej vitesh kanë ruajtur grupin dhe ky është një avantazh shumë i madh. Ndërsa Tirana është rikthyer vetëm në javët e fundit.

Eliminimi nga Kupa do të ndikojë te morali i Tiranës?

Besoj se po. Kur pëson një disfatë, morali bie. Por kjo do të jetë një provë për Tiranën, pasi një ekip i madh gjen forca për t'u ringritur. Kupa ishte i vetmi trofe që garantonte Europën më me lehtësi, pasi dihet që në kampionat garën nuk do ta kenë shumë të lehtë.

Përballë një Skënderbeu të konsoliduar, sa shanse ka Tirana që t'ia dalë?

Tirana mbetet Tiranë. Është një skuadër e madhe dhe ka fanellën e rëndë, por nuk mund të harrohet fakti që përballë ka Skënderbeun, ekipi më i mirë në Superiore për vitet e fundit. Besoj se do ta kenë të vështirë, por edhe Skënderbeu nuk do e ketë të lehtë ama. Tirana tashmë ka gjetur stabilitet me trajnerin Daja, pasi e ka mbledhur shumë skuadrën.

Me një barazim kush do të ishte më i kënaqur?

Për Tiranën një barazim do të ishte shumë i kënaqshëm, pasi është fushë shumë e vështirë dhe, për më tepër, me atë ekip që ka Skënderbeu.

Skënderbeu pati luhatje në startin 2016-ës, përse ndodhi kjo?

Nuk ishin hapa falsë. Gjithçka erdhi prej largimit të Olainkës dhe Berishës. Një skuadër që e bazon lojën tek ata të dy dhe mungesat, krijuan atë luhatje. Por, forca e tyre nuk do të vihet në diskutim.

Kush do ta vulosë këtë takim, duam emra këtë herë?

Salihi. Është lojtari më në formë i kampionatit shqiptar. Sulmues që arrin të shënojë në çdolloj pozicioni, i ngjit mjaft mirë goli.

Po Muzaka...?

Ëmmm, shumë e drejtë. Është një Salihi dhe ai për Tiranën. Të rikthehesh te goli dhe me atë formë pas një dëmtimi e operacioni nuk është e lehtë dhe për këtë më besoni, pasi e kam kaluar edhe vetë. Kam bindjen se ai do të jetë vendimtar për bardheblutë në atë takim. Salihi dhe Muzaka do të bëjnë diferencën.

Titulli edhe këtë vit në Korçë do të shkojë, apo mendoni se ka ardhur koha e Partizanit?

Po, po, në Korçë do të shkojë. Duke parë ndryshimet e shumta të Partizanit pas merkatos, kam bindjen se Skënderbeu mbetet më favoriti. Ata e kanë ruajtur bazën e skuadrës, ndërsa të kuqtë mbeten rivalët.

Edhe Tirana po ushton presion ndaj Partizanit, e shihni të mundshme një rokadë për vendin e dytë?

Absolutisht e mundshme, 7 pikë nuk janë shumë. Por Tirana do t'ia dalë, vetëm nëse merr një rezultat të mirë në Korçë. Po ia doli, do ia bënte më të lehtë edhe Skënderbeut për t'u shpallur kampion.

Mendoni se të hënën do të rikthehen edhe tifozët në stadium, pasi në javët e fundit duket sikur interesi është ulur?

E vërtetë është kjo, numri është reduktuar. Por një duel si ky do ta mbushë stadiumin. Kur shkon Tirana në Korçë, interesi i tifozëve shtohet. Pastaj, pse të mos shkojnë, kur kjo do të jetë një ndeshje reklamë për futbollin shqiptar.

Do të jetë një duel që do luhet në fushë apo edhe në pankina?

Veç kualiteteve në fushë, do të ketë ndikim edhe dora e dy trajnerëve më të mirë që kemi në Shqipëri, me skemat dhe taktikat që do zgjedhin për këtë 90-minutësh. Është duel tejet delikat për secilin ekip.

Sa do të ndikojnë mungesat e Muçës dhe Smajlit te Tirana?

Do të ndikojnë, pasi janë dy lojtarë kyç të formacionit të Ilir Dajës. Nëse do t'i mungonin Skënderbeut, nuk do krijohej panik në fakt, pasi kanë organikë të pasur, ndërsa bardhebluve u mungojnë realisht alternativat.

E fundit Erbim, për kë do të bëni tifo?

Për barazimin (qesh). Shpresoj që të dalë 1 me 1, me gola të Salihit dhe Muzakës. Në fund do të mbeten të gjithë të kënaqur, edhe unë bashkë me ta.