e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rrëfehet mbrojtësi, Arapi: Titulli vendoset në Tiranë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rrëfehet mbrojtësi, Arapi: Titulli vendoset në Tiranë

Skënderbeu ka "arkivuar" humbjen në Kukës dhe menjëherë është përqendruar te Tërbuni. Renato Arapi, në një intervistë të dhënë për gazetën, e cilëson atë disfatë si mungesë përqendrimi, ndërsa e pranon se barazimi i Partizanit i lumturoi. arapiPor, mbrojtësi durrsak nuk e diskuton titullin, madje e cilë- son javën e ardhshme kundër Tiranës si vendimtare për ta mbyllur këtë kapitull.

Humbët në Kukës, a do të ndikojë në objektivin final ky gabim?

E dinim që do të ishte një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Çdo ekipi mund t'i ndodhë që të humbë në Kukës dhe nuk është ndonjë gjë e madhe, sigurisht duke parë edhe mënyrën sesi u ndëshkuam në Kukës. U ndëshkuam thjesht nga një shpërqendrim i yni në një moment të caktuar, pastaj e gjithë pjesa tjetër ka folur vetëm për Skënderbeun. Megjithatë, pavarësisht kësaj humbjeje janë ende shumë pikë në lojë dhe mendoj se favorit kryesor për të fituar titullin është Skënderbeu.

Ju nuk ia dolët, por as Partizani s'përfitoi dot. Iu gëzuat barazimit në Vlorë?

Pasi u mbyll ndeshja, ishim të interesuar që të mësonim se si do të dilte Partizani. Dhe nuk mund ta mohojmë që na erdhi mirë që barazuan, pasi tani janë pesë pikë pas nesh. Janë më mirë se tre normalisht. Nëse do të ishin tri pikë, atëherë situata do të ishte ndryshe dhe ndoshta do të vendosej nga ndeshjet direkte.

Pesë pikë janë në diferencë komode tani kur mbeten edhe 7 javë?

Duke parë edhe kalendarin që kemi përpara, mund të them se është një diferencë komode. Gjithsesi, nuk janë as shumë. Është një diferencë e mjaftueshme dhe, nëse do të dimë t'i menaxhojmë si duhet, do të shpallemi ne kampionë.

Çfarë i mungoi Skënderbeut në Kukës pasi qarkullimi i topit ishte në anën tuaj?

Unë do të thosha se një ndikim të madh pati edhe fusha. Sikundër e dinë të gjithë, fusha e Kukësit është shumë më e vogël, u munduam që ta vëmë në presion ekipin vendës, por pa pasur raste të shumta për konkretizim. Kjo ndodhi edhe për vetë faktin se ekipi kundërshtar u mblodh me forca të shumta në prapavijë duke luajtur i gjithi në zonën e tij. Natyrisht kjo na e bëri më të vështirë atë takim. Por, gjithsesi, mendoj se të gjithë duhet të ishim më këmbëngulës në kërkim të një rezultati pozitiv.

Pa Salihin, sulmi juaj vuan. Kaq i rëndësishëm është ai për ju?

Ne e kemi thënë edhe më parë që Salihi është një lojtar që bën diferencën. Faktet flasin vetë për atë lojtar që ka shënuar mbi 35 gola duke e kapur që nga Kupat e Europës. Kishte vite që një sulmues i Superiores nuk ishte kaq deciziv me gola dhe nuk shënonte kaq shumë. Kjo e tregon vetë që Salihi i mungon Skënderbeut, pasi është një sulmues tipik, një lojtar goli.

Këtë javë luani me vendin e fundit, në një ndeshje të thjeshtë. Kjo do të thotë se do të shikoni më shumë ndeshjen e Partizanit?

Do të ishte gabim i madh nëse do të shikonim për ndeshjen e Partizanit pa kaluar më parë takimin tonë. Pavarësisht se do të luajmë me Tërbunin, ne do të duhet të fokusohemi te ky takim, pasi çdo ndeshje vlen tri pikë. Ne duhet të japim më të mirën e mundshme, pasi ndeshjet po vijnë drejt fundit dhe një gabim do të ishte fatal. Kjo tregon se duhet të jemi të përqendruar maksimalisht, të jemi më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse dhe më këmbëngulës në sulm, pasi nuk na lejohen më gabime. Shpesh është aluduar për aleanca mes ekipeve.

Ju do të dëshironit që Kukësi të luante po me të njëjtën grintë edhe ndaj Partizanit?

Unë jam futbollist dhe nuk më takon që të merrem fare me të tilla gjëra. Normalisht, do të doja që gjithçka të luhej drejt dhe Kukësi deri tani ka treguar se një gjë të tillë ka bërë gjithmonë duke luajtur drejt me të gjitha ekipet që ka pasur përballë dhe për këtë i jap merita.

Kur mendoni se kampionati do të vuloset edhe matematikisht? Cila do të jetë java vendimtare?

Java më vendimtare do të jetë ajo e ndeshjes kundër Tiranës. Nëse ne do të fitojmë kundër Tiranës, atëherë shumë gjëra do të ndahen që atje. Nëse nuk fitojmë dot, atëherë ma merr mendja se gjithçka do të mbyllet në ndeshjen direkte me Partizanin.

Përgatiti: LLAZI SARO