e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rrëfehet kroati Bushiç: Ja e vërteta me Tiranën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rrëfehet kroati Bushiç: Ja e vërteta me Tiranën

Nuk është larguar nga Shqipëria me përshtypjet më të mira, megjithatë ka pasur një moment të rëndësishëm në karrierën e tij që e ka lidhur me futbollin në vendin tonë. Tomislav Bushic në OhërTashmë është një lojtar i lirë, kjo për shkak të kapriciove të trajnerit të ri të skuadrës, edhe pse ai u bë heroi që ngjiti ekipin në superligën e Malajzisë.

Me gjithë shkëputjen nga futbolli ynë, Tomislav Bushiç tregon për "Panorama Sport" se gjithsesi informohet për të rejat më të fundit të Superiores, sidomos për dy skuadrat e tij të preferuara, Vllazninë dhe Tiranën.

Në një intervistë për gazetën, ai jep edhe një mendim për derbin, duke bërë edhe parashikimin për rezultatin, madje edhe me autorët e golave. Ishit autori i një goli që e ngjiti "T Team Teranganu"- n në Superligë.

Çfarë ndodh tashmë me ju?

Luajta 15 ndeshje dhe shënova 13 gola, ku një nga më të rëndësishmit ishte ai që përmendët ju në ndeshjen finale për t'u ngjitur në ligën e parë. Megjithatë, tashmë jam lojtar i lirë.

Si ka mundësi?

Krejt çuditshëm, trajneri i ri solli një sulmues në ekip pasditen e ditës së fundit kur mbyllej edhe afati i transferimeve. Që nga 15 shkurti jam një futbollist i lirë, për faktin se trajneri bëri plane të reja. Megjithatë, ndryshe nga veprimet e trajnerit, drejtuesit e klubit janë treguar korrektë me marrëdhënien kontraktuale dhe do ta respektojnë deri në fund.

Pse nuk ndryshuat skuadër, apo kampionat?

Nuk kisha mundësi. Gjatë merkatos, kisha disa oferta nga ekipet e Superligës dhe të ligës së parë, por i refuzova sepse nuk kisha dëshirë të ndryshoja ambient. Pas ambientimit, në sezonin e dytë do ta kisha më të lehtë që të tregoja formën time, por krejt papritur ndodhi ajo që ndodhi me trajnerin e ri.

Çfarë do të ndodhë tashmë me ju?

Do të vazhdoj të stërvitem çdo ditë për të ruajtur formën. Këtë periudhë do ta shfrytëzoj për të qëndruar më shumë pranë familjes sime.

Nëse ju përmend fjalën "Shqipëri", cila është gjëja e parë që ju vjen në mendje?

Shkodër.

Pse jo Tiranë, duke qenë se është edhe kryeqyteti, përveç të tjerash?

Tirana është gjithashtu mirë, qyteti dhe eksperienca me skuadrën, por Shkodra për mua ka qenë sikur të isha në shtëpi, në qytetin tim të lindjes.

E keni ndjekur kampionatin shqiptar?

Po, Vllazninë dhe Tiranën. Ndjek mediat tuaja dhe informohem. Gjithashtu, mundohem të shoh edhe çdo video që pasqyron ndeshjet për të parë jo vetëm rezultatet, por edhe pak për aksionet dhe golat.

Çfarë ndjesie keni për këto dy ekipe?

Uroj që të dyja të arrijnë objektivat që kanë. Më vjen keq që Vllaznia të luftojë për mbijetesë. Uroj shumë që të lërë pas vendet e fundit, ndërsa për Tiranën shpresoj të ruajë një vend që i siguron Europën.

Në të vërtetë, duket si hipokrizi kjo e juaja për Tiranën...

Jo. Edhe pse unë nuk kalova më të mirën me të gjithë atje, gjithsesi ka qenë një nga skuadrat që unë kam kaluar momente të karrierës sime dhe nuk e harroj. Kam ruajtur shumë miq në atë ekip, ashtu si në Shkodër dhe flas vazhdimisht.

Keni përfunduar të gjitha procedurat me Tiranën?

Është një çështje që nuk dua të zgjatem shumë. Kam fituar gjyqin dhe tashmë pres përgjigjen e klubit. Uroj edhe për të mirën e tyre, që të jenë korrektë me afatet.

Në Shqipëri qarkullon një lajm sipas të cilit ka një ultimatum nga FIFA për ekipin për borxhin ndaj jush dhe për të tjerë...

Nuk e di. Unë kam vetëm 19.000 EUR për të marrë. Për gjëra të tjera s'di të them asgjë.

Si e keni parë Tiranën këtë sezon?

Tirana, jo vetëm këtë sezon, po në kaq kohë sa unë kam nisur ta ndjek kampionatin shqiptar, ndryshon shumë. Si në drejtim, ashtu edhe lojtarë dhe kjo nuk më duket mënyra më e mirë për të kërkuar rezultatet që meriton ajo skuadër. Aktualisht, gjykoj që do të kenë një garë të fortë me Teutën dhe gjithashtu Kukësin.

Është java derbi...

E di kalendarin (qesh).

Çfarë mendoni për këtë përballje që Tirana nuk e fiton prej shumë takimesh?

Për mua, do ta ketë të vështirë edhe këtë herë.

Po thoni që fiton sërish Partizani?

Jo. Dua të them që Partizanin e shoh një ekip pak më të avantazhuar, për nga mënyra si luajnë si skuadër. Megjithatë, pres që këtë herë të përfundojë barazim.

Kush mendoni se mund të bëjë diferencën në këtë sfidë?

Sukaj dhe Bakaj do të vendosin shumë, të paktën unë mendoj se te këta dy futbollistë do të jenë shpresat për fitore te secila skuadër.

Mund të bëni një parashikim?

Si ekip pritës, them që Partizani ka 55% të shanseve. Jo vetëm kaq, por edhe se bën një lojë më shumë si skuadër. Megjithatë, unë parashikoj barazim 2-2.

Do mund të bënit edhe një parashikim për autorët e golave?

Është e vështirë. Por do të zgjedh Sukaj e Raçiç për Partizanin dhe Elisin e Malajn te Tirana. Mendoni të riktheheni edhe një herë në Shqipëri? Pse jo. Edhe nëse nuk do të vij të luaj me ndonjë skuadër, kam miq për të takuar dhe mund të vij për të kaluar pushime.

Përgatiti: OLSI TUJANI