Gashi: Refuzova Zvicrën, ja pse zgjodha Amerikën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shkëlzen Gashi është në ditët e tij të para në aventurën e re amerikane dhe faqja zyrtare e Kolorado Rapids i ka kushtuar atij një reportazh.
Gjithashtu, në të është përfshirë edhe rrëfimi i vet futbollistit që nga arsyet e zgjedhjes së Amerikës si destinacion të ri në karrierën e tij, apo edhe për aventurën në Zvicër, si dhe për përzgjedhjen e Shqipërisë përpara kombëtares helvete.
Ja edhe shkrimi i plotë në faqen zyrtare të Kolorado Rapids për sulmuesin e tyre më të ri. "Është ora 08:15 dhe skuadra po konsumon mëngjesin. Periudhë e lodhshme për këdo në këtë fazë përgatitore, megjithatë e nevojshme.
Është thjesht rutina e përditshme e mëngjesit. Më pas shihet Shkëlzen Gashi që të afrohet. Edhe pse u afrua në ekip ditët e fundit nga kampionati zviceran, është energjik dhe i buzëqeshur me të gjithë.
Ai i takon të gjithë dhe me mirësjellje u prezantohet. Është një moment thuajse i pavlefshëm, por nëse do të llogaritej përshtypja e parë, atëherë Gashi është ndryshe.
Prezantimi
Që në momentin e parë kur mbërriti në Denver për të firmosur kontratën, ai ra në sytë e shokëve të ekipit për kostumin e zi dhe fiksimin që kishte për të qenë sa më i kuruar në imazhin e tij.
Përpara bisedës me mediat dhe filmimeve që do të bëheshin, ai kontrollon xhaketën. Më pas, kontrollon sërish... dhe sërish...
Për të gjithë la një përshtypje se bëhet fjalë për një futbollist me vetëbesim të lartë: Ky djalë e di se çfarë po bën dhe tashmë ka zgjedhur ta bëjë për Kolorado Rapids.
Së jashtmi, blerja e tij mund të lidhet me një surprizë në qarqet e kampionatit amerikan. Ai ishte një lojtar i Ligës së Kampioneve, kryegolashënuesi në ligën zvicerane për dy sezone dhe një lojtar që do të marrë pjesë në Europianin 'Francë 2016', ndonëse është vetëm 27 vjeç.
Për më tepër, kurioziteti shtohej nga fakti që Kolorado ka bërë sezone aspak pozitive në vitet e fundit. Megjithatë, Gashi e njeh mirë veten dhe ndjek planet dhe qëllimet e tij.
Amerika
Edhe pse në pamje të parë mund të duket se ai ndoqi rrugën që bënë disa nga yjet si Kaka, Lampard, Pirlo dhe Zherard për t'u transferuar në Amerikë, por jo.
Gashi nuk duket nga ata që ndjek udhën e 'tufës'. 'Aspak, unë fola me klubin dhe vendimi im ishte i bazuar në atë që Kolorado planifikonte dhe pretendonte për të ardhmen', shprehet ai fillimisht. 'Pata një bisedë të gjatë me trajnerin, sidomos me drejtorin sportiv.
Pas kësaj, mësova dhe pashë lojtarët që kishte në skuadra të ndryshme dhe nivelin e kampionatit apo se çfarë mund të gjeja në këtë garë.
Ju mund të dëgjoni shpesh dhe shumë lojtarë që vijnë këtu (në Amerikë) nga Europa, por unë s'e kam bërë zgjedhjen për këtë arsye.
E zgjodha vetëm se desha që të bëhesha pjesë e Kolorado Rapids', vijon sulmuesi. Përpara se Gashi të bënte bisedën finale me drejtorin sportiv, ai pati një telefonatë të gjatë me trajnerin për të mësuar rreth pritshmërive të ekipit dhe po ashtu të lojtarëve të veçantë që gjejnë mundësinë për të arritur majat edhe në një kampionat të tillë.
Për karrierën që ka ndërtuar ky futbollist, sfidat nuk janë aspak diçka e re. I është dashur të luajë në nivelet e ulëta për disa kohë, derisa e gjeti veten mes dy skuadrave më të mira në Zvicër: Grasshopersit dhe Bazelit.
Në dy vitet e fundit, ai është përballur me ekipe yjesh si Reali dhe Liverpuli duke qenë pjesë e Bazelit, megjithatë në fjalët e tij dëgjon respekt edhe për ekipe që nuk janë në nivelin më të lartë të futbollit zviceran.
Fjalë që të bëjnë të kuptosh se ky futbollist i ka marrë më të mirën çdo dite që ka luajtur në çdo ekip të mundshëm, qoftë Arau apo Belizona që kanë shërbyer në formimin e tij si futbollist.
Karriera
'Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë për mua. Në fillim më ka ecur, por më vonë kam hasur edhe probleme. Mendoj se njeriu në jetë ka nevojë për fat në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Dyshoj te vetja shpeshherë, por gjithsesi kujtoj që në moshë të re kam parë shumë.
Kjo më ka bërë më të fortë. Kualiteti më ka udhëhequr kudo dhe jam i lumtur që kam bërë zgjedhjet e duhura. Nuk më është falur asgjë, pasi gjithçka e kam arritur falë punës së madhe që më është dashur të bëj.
Dhe kështu duhet të jetë gjithmonë', tregon sulmuesi. Pavarësisht se roli i tij tashmë është i kristalizuar në fushën e lojës,
Gashi është nga ata lloje futbollistësh që gjatë karrierës së tyre kanë provuar të vendosen në shumë cepa të fushës.
'Përveç portierit, kam luajtur në çdo rol tjetër kur kam nisur futbollin profesionist. Dakord, nuk po them që mund të luaj mbrojtës, pasi ndihem më komod në rolin e sulmuesit, por gjithsesi është mirë të dish të përshtatesh në sa më shumë role dhe t'i japësh trajnerit mundësi zgjedhjeje. Këto sigurisht shërbejnë për momente të veçanta.
Në shumicën e ndeshjeve kam luajtur në sulm, edhe i vetëm në majë. Por kam luajtur edhe në rolin e një numri 6, si mesfushor mbrojtës.
Gjithashtu kam provuar edhe në të dy krahët e mesfushës. Si rol natyral, unë jam një 'winger' (mesfushor anësor).
Por, në shumë ndeshje, kur dikush nuk ka qenë në formë, kam bërë mjaft mirë edhe rolin e numrit dhjetë', vijon futbollisti i Kolorado Rapids.
Kombëtarja
Gashi e nisi futbollin në Zvicër me pretendimin të bëhej Ronaldo, kur luante me bashkëmoshatarët e tij në shkollë.
Me talentin e tij, ai spikati dhe u bë pjesë e ekipeve zinxhir të Zvicrës U-17, U- 19 dhe U-21. Në momentin që ishte gati për të zgjedhur nivelin më të lartë të përfaqësimit me Kombëtaren, Shqipëria, vendi i prindërve të tij, shfaqi interes.
'Nuk ishte një vendim i thjeshtë për t'u marrë. U ula që të bisedoja me Otmar Hitsfeld, trajneri i Zvicrës, për ekipin dhe u ktheva në shtëpi i pavendosur, pasi nuk e dija se çfarë të zgjidhja dhe se çfarë të bëja për të ardhmen.
Kisha luajtur me të gjitha nivelet e Kombëtareve të moshave zvicerane dhe kisha kaluar një periudhë të shkëlqyer.
Isha përpara dy mundësive për të luajtur, ose me Zvicrën ose Shqipërinë. Në fund, zgjodha Shqipërinë. Nuk jam bërë aspak pishman për këtë, madje po i pres me padurim ndeshjet që do të luaj me Kombëtaren.
Një lloj konfirmimi për vendimin që kam marrë është se tashmë do të luaj në Europian, për herë të parë në historinë e Shqipërisë në një kompeticion të tillë.
Është diçka e madhe, sidomos kur kujtoj momentin kur ne siguruam zyrtarisht kualifikimin. Gëzimi i tifozëve tanë, të cilët kanë qenë të mrekullueshëm, por edhe i yni, është diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë në jetën time.
Mbështetja e tifozëve shqiptarë është jashtëzakonisht e madhe. I madh e i vogël, burrë apo grua, që të gjithë ishin me lot në sy.
Ishte thjesht fantastike! Ne jemi gjenerata e re që kemi bërë krenar një popull të tërë. Ishte e mrekullueshme që arritëm t'u kthenim mbrapsht tifozëve atë kënaqësi që ata na dhurojnë ne për çdo ndeshje', rrëfen i emocionuar Gashi për kualifikimin e Kombëtares shqiptare për herë të parë në Europian.
E ardhmja
Ndonëse ka vetëm pak kohë në këtë vend, anglishtja i jep mundësinë që të flasë me këdo dhe për gjithçka. Natyrisht, përveç asaj sportive, ai ka edhe një sfidë personale që duhet të përshtatet me Denverin.
'Natyrisht që më duhet kohë të përshtatem dhe të mësoj çdo gjë rreth Denverit. Nuk e di se sa do të më duhet dhe gjithashtu s'e di se çfarë më pret.
Më e rëndësishmja është që në këto momente do të kem me vete edhe vëllamë tim dhe ai do të më japë të gjithë mbështetjen e familjes që më duhet. Në qendrën stërvitore ka disa shkëmbinj rreth e rrotull që do t'i rikujtojnë Zvicrën.
Lartësitë, moti e peizazhi do t'ia sjellin jo pak ndër mend, por jo vetëm atë. Pasi emri i tij është i lidhur me një vend që është në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Malet janë pjesë e 'makeup'- it të tij, ashtu siç janë malet, talenti dhe vullneti për të punuar shumë. Mirë se vjen te Kolorado Rapids, Shkëlzen Gashi!", përfundon reportazhi në faqen zyrtare të ekipit në kampionatin amerikan të futbollit, "coloradorapids.com".
OLSI TUJANI