Rrëfehet Bartomeu: Siti të mos e provojë, Mesi slargohet për parà
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Josep Maria Bartomeu vështron jashtë zyrës së tij mini "Kamp Nou"-n ku luan Barcelona B dhe, më pas, hedh sytë edhe tek impianti gjigant. Është një ditë e rrallë gri në Barcelonë.
Më shumë duket si një ditë e zymtë në Mançester sesa një ditë mesdhetare në një vend ku shkëlqen vetëm dielli. Kjo është ironike, duke qenë se presidenti i Barcelonës po vret mendjen si ta mbajë Mesin, Nejmarin apo Busketsin larg kthetrave të Pep Guardiolës te Mançester Siti.
"Qytetarët" i kanë marrë administratorin e deleguar, Ferran Soriano dhe drejtorin sportiv, Txiki Begiristain. Prej sezonit tjetër do të drejtohen edhe nga Pep Guardiola, trajneri më i suksesshëm në historinë e Barcelonës.
Kur i afrohesh "Kamp Nou"-t në Barcelonë, stadiumi gjigant është në krah rrugës kryesore, me një rrugë që e lidh atë me stadiumin e ekipit të dytë. Po të shkosh në "Etihad", është i njëjti sistem. Siti ka joshur të gjithë pronën intelektuale të klubit katalanas.
Përse të mos joshë edhe lojtarët? "Ne e dimë që Mesi mund të fitojë më tepër para në ekipe të tjera, apo Nejmari, Busketsi, Pikeja ose Suarezi", tregon për "DailyMail" presidenti katalanas, i cili u rizgjodh në krye të klubit verën e shkuar.
"Nejmar për shembull, kur erdhi te Barça, kishte oferta më të mira nga klube të tjera. Suarez gjithashtu", vijon 53-vjeçari duke mos e treguar në të dy rastet klubin, por në të dy këto raste dihet që ishte pikërisht Mançester Siti.
"Por ata vendosën që të vijnë te Barcelona, sepse ky është klubi që tërheq lojtarët, pasi ne jemi më tepër se një klub. Ne kujdesemi për shumë gjëra të tjera, u qëndrojmë më pranë fëmijëve në botë përmes UNICEF-it, fondacionit Melinda Gejts apo Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Afrikë përmes projekteve me fëmijët.
E gjitha kjo krijon atmosferën se ne nuk jemi vetëm një klub futbolli. Ne jemi më shumë se një klub". Por Mançester Junajtid, që është gati të paguajë 190 milionë euro (klauzolën e kontratës) për Nejmarin dhe këtë është gati ta bëjë në kesh, jo përmes punëve të bamirësisë, është mbret në futboll. "Le të shohim. Ne kemi besim se do t'i mbajmë lojtarët tanë, pasi ata janë shumë të lumtur në këtë klub dhe qytet.
Ata e shijojnë sportin, profesionin e tyre dhe janë një grup. Prandaj jemi optimistë se ata nuk marrin vendim për t'u larguar për shkak të parave. Mesi tha pak ditë më parë se Barcelona do të jetë i vetmi klub europian për të cilin ai do të luajë. Kështu që, nëse një nga këto klube është i interesuar për Mesin, atëherë ta lërë fare. Këtë nuk e kam thënë unë, por ai".
Bartomeu është i qetë edhe për çështjen "Nejmar", enturazhi i të cilit duket se u jep sinjale inkurajuese atyre që e ndjekin. "Unë mendoj se ndoshta gjatë gjithë historisë së këtij klubi ne nuk kemi bashkuar dot tre lojtarë të këtij kalibri si Nejmar-Suarez-Mesi. Leo është këtu prej moshës 13-vjeçare. Nejmar erdhi në 2013, por që në vitin e tij të parë u përmirësua.
Pastaj erdhi Suarez dhe ne ndryshuam disi stilin e lojës. Nuk luajmë gjithnjë me një numër 9, ndonjëherë luajmë me një 9 false. Ndërsa tani ai ka gjetur vendin e tij në qendër dhe është përshtatur në mënyrë perfekte. Suarez është një yll.
Në pozicionin e tij për ne ai është më i miri në botë. Të gjithë lojtarët tanë janë në një moment kur ne po rinovojmë kontratat. Prandaj në këto momente unë nuk shoh asnjë që të largohet në verë. Nuk mund të them tani se i kemi mbyllur rinovimet apo jo. Kur ta bëjmë, atëherë do ta shpallim. Siti dhe të gjitha klubet e mëdha janë një kërcënim. Por edhe Barcelona është një kërcënim për ta gjithashtu", nënvizon presidenti.