Ronaldo markohet, me Mesin duhet bërë kryqi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ka rinisur të vrapojë prej pak ditësh, por nuk ka reshtur kurrë së menduari. Xhorxho Kielini u rikthye protagonist në "Juventus Stadium" në një mbrëmje të veçantë, "Randstad perfect team", dedikuar vetëm mbrojtësit të Juventusit dhe vlerave për të nderuar një skuadër të madhe.
Dhe kur bëhet fjalë për skuadër të madhe, pa dyshim që nuk mund të jetë e tillë nëse në gjirin e saj mungojnë ata: Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi.
"Kristianon mund ta markosh në njëfarë mënyre, duke mos e lënë të hyjë nga e djathta. Ndërsa për Mesin, duhet të bësh kryqin", thotë Kielini. Por më pas, qendërmbrojtësi shtoi: "Duke lënë mënjanë shakatë, çdo lojtar ka karakteristikat e tij dhe një analizë psikologjike për t'i bërë".
31-vjeçari kujton edhe finalen e humbur të Juventusit me Barcelonën në Champions: "Mund ta kishim fituar, sepse shanset i patëm. Mund të kishim bërë edhe më tepër se aq, por ndaj Barcelonës duhet të luash ndeshjen perfekte dhe ne nuk e bëmë. Por nëse do të na vijë në një tjetër rast për t'u ndeshur, këtë herë ne do të jemi gati".