Leva, kusht Realit: Vij nëse shisni Ronaldon
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Robert Levandovski largohet nga Bajerni i Mynihut vetëm për të luajtur me Realin e Madridit. Klubi spanjoll ka shfaqur interes për shërbimet e sulmuesit, duke qenë i gatshëm për të paguar deri në 100 milionë euro për kartonin e tij.
Gjithsesi, nëpërmjet menaxheri të polakut, ka pasur edhe kushte të ndërsjella. Futbollisti 27-vjeçar pranon të luajë me madrilenët, vetëm nëse në fund të edicionit do të shesin Kristiano Ronaldon.
Duke ditur që portugezi dëshiron të jetë gjithnjë protagonist në fushë dhe të shënojë sa më shumë gola (detyrë që do t'i takojë Levandovskit që ta bëjë), futbollisti i Bajernit kërkon t'u paraprijë problemeve të mundshme.
Pikërisht, ky kusht ka qenë ai që ka lënë pezull bisedimet, pasi Florentino Perez nuk dëshiron të heqë dorë nga lideri i skuadrës. Jo sepse nuk ka oferta për CR7, por prej impaktit të tifozëve. Kohët e fundit, mbështetësit e skuadrës iberike kanë shprehur pakënaqësi për vendimet që ka marrë presidenca, por kanë duartrokitur idhullin e tyre.
Nga ana tjetër, Levandovski ka një vend të sigurt në formacion te Bajerni, pasi Karlo Ançeloti e shikon si perfekt për të udhëhequr repartin e avancuar. A mund të largohet Ronaldo për të afruar Levandovskin? Kjo është dilema që ka shoqëruar kohët e fundit presidentin Perez.
Por, edhe sinjali se ka zgjedhur Kristianon është dhënë gjatë këtyre ditëve, kur ka pasur një ofertë të Realit për Aubamejangun... Morata - Pak ditë më parë, edhe Morata kishte vendosur një kusht të tillë sa i përket rikthimit në Madrid. Ai nuk donte që të ishte më shok ekipi me Ronaldon, për arsyen e vetme se nuk do ta lejonte që të luante lirshëm.