Ronaldo e parakaloi, Mesi e uroi për golin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo u largua nga "Kamp Nou" më krenar se kurrë. Portugezi ishte i lumtur jo vetëm për fitoren e skuadrës së tij përballë Barcelonës, por edhe për disa fakte të tjera. Ai arriti të linte pas rivalin e tij, Leo Mesi, por pavarësisht këtij fakti ky i fundit u tregua një zotëri i vërtetë.
Një gol më shumë- Goli i shënuar dje në arenën kundërshtare ishte shumë domethënës sepse i shërbeu Ronaldos për të parakaluar Mesin në dy fronte. Numri shtatë i madrilenëve arriti kuotën e 16 golave në një ndeshje "klasike", ndërsa numri dhjetë i katalanasve është ndalur në kuotën e 15 golave.
Por ky aspekt nuk është i vetmi në të cilin ka triumfuar Ronaldo, sepse portugezi me golin e djeshëm e çoi në 254 numrin e rrjetave të prekura që nga koha kur ka ardhur në Madrid. Nga ai moment, Mesi ka shënuar 253 gola. Këto janë dy arsye të mjaftueshme për të festuar si i çmendur dhe Ronaldo e ka ditur mjaft mirë diçka të tillë.
Mesi e uroi- Pavarësisht faktit se Barcelona u mposht dhe Ronaldo ishte njeriu i ndeshjes, Leo Mesi tregoi se është një kampion i vërtetë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Numri dhjetë i katalanasve e takoi Ronaldon duke e uruar për fitoren dhe golin e shënuar.
Diçka të tillë e bëri edhe Pike, i cili festoi si i çmendur në momentin kur shënoi golin. Në fund të ndeshjes e kuptoi se Reali meritoi gjithçka dhe si një lider i vërtetë takoi të gjithë lojtarët e Realit duke i uruar për këtë fitore të arritur.
Benzema, një "vrasës"- Ronaldo vulosi fitoren, por sinjalet e para i dha sulmuesi francez, Karim Benzema. Ai është duke kaluar një formë të shkëlqyer dhe konfirmohet si një nga lojtarët e momentit në skuadrën e Zidanit. Francezi ka shënuar 21 gola në kampionat dhe ka një mesatare të shkëlqyer, 1 gol në 77 minuta.
Reali është shumë larg luftës për titullin, por Zidan ka marrë përgjigje pozitive për sezonin e ardhshëm. Ndeshja e fituar në "Kamp Nou" tregoi se katalanasit nuk janë të pathyeshëm dhe Reali mund ta rivalizojë... sezonin e ardhshëm.