Mario Manxukiç, bomberi i golave me peshë për Juventusin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duhej të kalonin plot 103 ditë, saktësisht që nga 3-2 i vuajtur në transfertë kundër Karpit, që Mario Manxukiç të rikthehej të festonte një gol në kampionat, atë të së shtunës në mbrëmje, në "Juventus Stadium", kundër Empolit, i cili mjaftoi për t'i dhënë tri pikët skuadrës së tij.
Nga ajo kohë, bomberi kroat ishte në letargji, ndonëse ashtu siç nënvizon pa u lodhur trajneri Masimiliano Alegri, "Manxukiç më duhet edhe kur nuk shënon". Dhe nuk mund t'i kundërvihesh për analizën e tij, sepse ballkanasi realisht që ofron jo vetëm muskuj, centimetra dhe hap hapësira në sulm, por sakrifikohet më shumë sesa të gjithë shokët e tjerë të repartit.
Pas një fillimi të vështirë sezonal, Manxukiç arriti që të fitojë hapë- sirën e tij në skuadër, aq sa ai është edhe më i pazëvendësueshëm sesa Paulo Dibala, sepse edhe në mungesë të argjentinasit, ish-lojtari i Atletikos së Madridit dhe i Bajernit të Mynihut ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë, me Moratën dhe Zazan që duhej të luftonin për një fanellë titulli.
Kundër Empolit, ai shënoi golin e tij të parë me bluzën e Juventusit për vitin 2016 (ndërkohë kishte shënuar me kombëtaren, në miqësoret e këtij muaji). Edhe pse 10 gola sivjet mund të duken pak, në të vërtetë Mario Manxukiç ka kaluar në dopioshifër, njësoj si Paulo Dibala me 18 realizime dhe Alvaro Morata me 10.
Edhe pse golat nuk mund të jenë spektakolare si goditjet akrobatike të Paulo Dibalës, apo ato në sprint të Alvaro Moratës, realizimet e 29-vjeçarit janë gjithmonë me peshë, sepse sa herë që ai shënon, Juventusi fiton.
Numri 17 i formacionit bardhezi u tregua deciziv që në muajin gusht, kur me golin e tij ndaj Lacios, vendosi një pjesë të Superkupës së Italisë, trofe i parë sezonal për bardhezinjtë. Më pas u përsërit dy herë në Champions, në të dyja sfidat me Mançester Sitin, dy gola të shoqëruar me dy fitore.
Edhe në kampionat vlera e realizimeve të tij është absolute, duke gjunjëzuar Palermon, Fiorentinën, dopietë me Karpin, me Atalantën dhe dy herë me Empolin. Dhe të mendosh se ky është sezoni i tij i parë, ku ambientimi ka kërkuar kohën e tij, por ndoshta sezoni i ardhshëm do të jetë ai që do të vërë në vitrinë Mario Manxukiçin e vërtetë