Ronaldo: Smë tremb askush, Navas një përbindësh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kualifikimi kundër Romës ka shtuar vetëbesimin në radhët e Realit të Madridit dhe mbi të gjitha te lideri i tyre në fushë, Kristiano Ronaldo.
Sulmuesi portugez është i kënaqur me arritjen e skuadrës së tij, sepse pavarësisht faktit që ata nuk po bëjnë sezonin e tyre më të mirë, nga çerekfinalet e sipër, gjithçka do të ndryshojë.
"CR7" është i bindur që ai me shokë jo vetëm mund të shkojnë në finalen e "San Siro"-s, por edhe mund ta fitojnë atë, pa pasur frikë askënd.
"Nuk kam një preferencë në lidhje me rivalin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Për ne, të gjitha skuadrat janë njësoj. Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet janë ndeshje të komplikuara, por më shumë sesa ne duhet të jenë të tjerët të frikësuar që do të kenë përballë Realin e Madridit.
Ne dimë gjithmonë që të jemi gati për të tilla ndeshje të rëndësishme, ndonëse s'e mohoj që për momentin diçka na mungon. Çfarë? Pikësëpari vazhdimësia, pak fat dhe ambicia për të luftuar, ndonëse së fundmi, skuadra ka ndryshuar ritëm dhe besoj se tani e deri në fund të sezonit do të shihet një Real ndryshe".
Duke iu rikthyer ndeshjes me Romën, Kristiano Ronaldo kërkon të ngrejë në piedestal në veçanti një prej shokëve të tij, portierin Kejlor Navas.
"Jo vetëm me Romën, por që nga ndeshja e parë e kampionatit e deri më sot ka qenë vendimtar për ne. Por pritjet e tij në Champions, në ndeshjen e fundit ishin prej një përbindëshi. Jo vetëm unë, por edhe shokët e mi të tjerë mendojmë se ai ka qenë një ndër më vendimtarët sivjet, prandaj kushdo që kishte ndonjë dyshim për të duhet të kërkojë falje, sepse po flasim për një portier madhështor".
30-vjeçari gjithsesi kërkon të përgëzojë edhe dy lojtarë të tjerë, të riun Lukas Vaskuez dhe Garet Bejlin: "Vaskuez është një talent i madh dhe meriton të gjitha elozhet e marra së fundmi, ndërsa Bejl po kthehet në nivelet e tij pas dëmtimeve dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit, sidomos në Champions".
Përgatiti: JETON STAMOLLA