e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Valsi i pankinave të Serisë A, ja lëvizjet e bujshme

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Valsi i pankinave të Serisë A, ja lëvizjet e bujshme

Thashethemet për disa prej trajnerëve më të mirë të Serisë A sa vijnë dhe bëhen edhe më të zhurmshme. alegriFundi i sezonit ka alarmuar disa presidentë klubesh, të cilët duhet të nisin të programojnë të ardhmen me pankinën në pikëpyetje.

Në kampionatin italian të tillë dilemë e kanë disa skuadra. Anjelët e Juventusit po bëjnë çmos që ta mbajnë Alegrin. Ndërkohë që e njëjta gjë ndodh si tek Interi dhe te Fiorentina.

Erik Tohir shpeshherë ka thënë se ka programuar të ardhmen me Mançinin, edhe pse ky i fundit i ka vendosur kushte "të shtrenjta" për të qëndruar.

Në pikëpyetje është edhe e ardhmja e Paulo Souzës, i cili gjithmonë e më shumë "po ftohet" me familjen Dela Vale. "I ndarë" në shtëpi është edhe Sinisha Mihajloviç. Tekniku serb e di fare mirë se mund të qëndrojë në Milano vetëm nëse fund të vitit bën mrekullinë duke u renditur i treti. Prej ekipeve të mëdha vetëm Roma dhe Napoli duket se nuk kanë të tilla probleme.

Konfuzion

Dilema të tilla nuk ekzistojnë te Roma. Rezultatet e mira që ka marrë Spaleti në aventurën e dytë te Roma dhe mbështetja që i dha presidenti për çështjen "Toti" tregojnë qartë se aventura e teknikut në kryeqytet kësaj here nuk do të mbarojë shpejt.

Ndërkohë që te Milani marrëdhënia me Mihajloviçin mund të rezultojë një "flirt". Humbja përballë Sasuolos ka bërë që në sytë e Berluskonit, Miha të kthehet ai i disa muajve më parë.

Komplimentet që i bëri "Kavalieri" Euzebio Di Françeskos pas fitores së Sasuolos mbi "Djallin" janë një tregues i qartë i raporteve të vështira mes presidentit dhe trajnerit. Kjo fitore ka pasur shumë kuptim për teknikun e klubit emilian, pasi falë saj është ngjitur në krye të listës që ka përpiluar Berluskoni për post-Mihajloviçin.

E vështirë duket edhe marrëdhënia mes Aurelio De Laurentisit dhe Mauricio Sarrit. Presidenti i Napolit ka kohë që do që t'i rinovojë kontratën teknikut brenda 30 prillit. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë vështirë se Sarri do vazhdojë që të jetë trajner i Napolit. Siç dihet, Sarri paguhet me 750 mijë euro në sezon, por ecuria me kampanët në eksperiencën e parë i jep të drejtën që të kërkojë trefishin.

Montela, pasues i Manços

Për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet, vendi i tretë në Serinë A duket se s'i mjafton as Mançinit dhe as Interit për të vazhduar raportin edhe për një vit tjetër. Deri në javët e para të janarit trajneri ishte i bindur se kishte një ekip që mund të konkurronte deri në fund për titull me Juven dhe Napolin.

Por rendimenti në 9 javët pasardhëse tregoi se Interi i përkiste një tjetër realiteti. Deri më tani të dyja palët janë të pakënaqura me njëratjetrën. Për këtë arsye, Manço largohet në verë nëse nuk arrin Champions-in. Arsye kjo që shtyn drejtuesit të mos sforcojnë qëndrimin e tij, pasi kanë hedhur sytë nga Montela.

Akulli

Në Firence të gjithë po mundohen që të shkrijnë "akullin" e krijuar mes Souzës dhe shoqërisë gjatë janarit. Në merkaton dimërore tekniku portugez u zhgënjye shumë, pasi familja Dela Vale nuk i plotësoi dëshirat që kishte. Për këtë arsye, ata po bëjnë maksimumin që të rifitojnë besimin e portugezit, i cili nuk ka shumë dëshirë që të rinovojë kontratën.

Simpatia

Edhe pse mund të duket një paradoks, gjithçka është e vërtetë. Paulo Souza mund të jetë trajneri i ardhshëm i Juventusit. Nëse Masimiliano Alegri do t'i kërkojë dyshes Marota-Paratiçi që të largohet në verë (e kërkon Reali), atëherë drejtuesit në fjalë nuk do të ngurrojnë që ta rikthejnë në Torino Souzën. Portugezi ka stimën e drejtuesve dhe tifozëve, të cilët nuk kanë harruar vitet kur ai aktivizohej për skuadrën e tyre.

Trekëndëshi

Në specialen kushtuar të ardhmes të disa prej trajnerëve më të mirë të Serisë A, "Gazzetta dello Sport" zbulon se Mihajloviç, nëse do të largohej nga Milani, mund të përfundonte te Lacio.

Ndërkohë që trajneri aktual i klubit roman, Stefano Pioli, do të transferohej në Emilia. Sasuolo do ta priste krahëhapur pasi Skuinci është përgatitur të humbë Euzebio Di Françeson (i cili mund të jetë trajneri i ardhshëm i "Djallit").

Të tjerat

Nëse Roberto Donadoni do të largohej nga Bolonja për pankinën e kombëtares, atëherë vendin e tij do ta zinte Xhampiero Ventura.

Trajneri aktual i Torinos thuhet se nuk dëshiron që të vazhdojë më bashkëpunimin me Urbano Kairon dhe për këtë motiv do të ishte i lumtur që të stërvitë një ekip ambicioz si Bolonja.