e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ronaldo: Ne Lisbone, jo per gol, po per trofeun

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ronaldo: Ne Lisbone, jo per gol, po per trofeun

Cristiano Ronaldo rikthehet të flasë pas ankthit që shkaktoi mes fansave të Realit gjatë barazimit me Valladolidin kur kërkoi zëvendësimin. Të gjithë tani mund të rrinë të qetë, pasi Ronaldo do të jetë në finalen e Champions e madje e pret atë me ambicien maksimale për “La Decima” siç deklaroi gjatë një eventi promocional.

“Shpresojmë që ajo e 24 majit të jetë një mbrëmje spektakolare për Madridin. Është finalja ku shpresonim të arrinim prej shumë kohësh, do të jetë një finale e madhe mes dy skuadrash të mëdha, një ndeshje emocionuese. Në finale shanset janë gjithmonë 50 me 50. Shpresojmë që të jetë një mbrëmje e madhe dhe që të fitojmë ne. Besoj se do të fitojmë dhe objektivi ynë është që për atë ndeshje t’i kemi të rikuperuar të gjithë futbollistët”.

Ylli i Realit u fokusua më pas te rivalët e finales, Atletikon e Simeones, skuadër për të cilën ruan vlerësimin maksimal.

“Atletiko është një ekip fantastik dhe nuk është rastësi që kryeson në La Liga. Kjo thotë shumë për ta. Është diçka e mirë që në finalen e Champions përballen dy ekipe spanjolle, kjo do të thotë se kompeticioni këtu është shumë i fortë, pastaj është dhe Sevija që luan finalen e Europa League”.

Me dygolëshin e tij ndaj Bajernit, Ronaldo theu rekordin e Lionel Mesit, duke arritur në kuotën e 16 golave në një sezon të Champions, megjithatë më shumë se sa një gol në Lisbonë, për të ka rëndësi “La Decima”.

“Do të më pëlqente të shënoja në finale, por është e njëjta gjë edhe sikur këtë ta bëjë një shok i skuadrës. Ajo që dua unë është titulli. Rekordi i golave është një rezultat shumë i mirë, por është diçka e arkivuar dhe më pëlqen të përballem me sfida të reja”.

Është pikërisht arritja në finalen e Champions që e bën më pak të hidhur për Ronaldon barazimin me Valladolid, që komprometoi rëndë shanset për La Liga, pasi me një biletë për në Lisbonë sezoni mund të konsiderohet i suksesshëm.

“Nëse do të ma kërkonin në fillim të sezonit, do të firmosja paraprakisht që në këtë moment të jemi pikërisht këtu ku jemi. Fituam Kupën, kampionatiështë i vështirë, por jo i pamundur dhe jemi në finalen e Champions”.

Pas saj, Ronaldo do të ketë misionin për të shkëlqyer në Botërorin e Brazilit, ku do të udhëheqë Portugalinë e tij.

“Brazili është një vend vëlla, ku flitet gjuha jonë dhe kërkoj ta shfrytëzoj këtë. Duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje pasi në futboll asgjë nuk është e pamundur. Skuadrat më të forta janë Spanja, Brazili, Franca, Italia dhe Argjentina. Çdonjëra mund ta fitojë për favorite janë Spanja dhe Brazili. Unë nuk i vë vetes presion, nuk kam nevojë t’i tregoj ndonjë gjë askujt. Kam luajtur për shumë vjet duke demonstruar se jam në majë”.